Njeriu është bërë prej kohe dhe uji;
Rrjedh në vadën e përditshmërisë së tij
Duke rrëzuar një nga një të gjitha pritat
Që vetë i ndërton me gurë të rëndë mundimi.
Njeriu rrjedh ndër përrenj dimërorë
Të turbullt shqetësimesh;
Fryhet nëpër lumej të rrëmbyer pasionesh
Dhe naltohet ujvarave të krenarisë
Që kanë si trofe veç humnerën.
Njeriu rrjedh nëpër liqene madhështorë,
Por edhe nëpër hurdha e përroska modeste
Që ëndërrojnë të voziten nga anije
Të parfumosura me lakuriqësi.
Njeriu nuk rrjedh dy herë në të njëjtin ujë,
Por nganjëherë qëllon të qelbet në të njëjtin pasion;
Të vegjetojë pellgjeve dhe moçaleve të mbushura
Me pritje, plogështi dhe harresë.
Të rrëshqasë nëpër kanalet e ujrave të zeza
Dhe të bëhet kënetë që kundërmon frikë.
Njeriu rrjedh në gotat e tavernave,
Në djersën e ballit,
Në orgazmat topitëse.
Njeriu është bërë prej kohe dhe uji.
Ai rrjedh, pluskon, zhytet, fundoset , mbytet
Tek vetja dhe kthehet sërish aty
Për t’ia nisur nga e para.
ObserverKult
Lexo edhe: