Marsel Lela: Shtëpia është streha ku ka gjithmonë një vend për ty

Marsel Lela

Poezi nga Marsel Lela

Shtëpia është vendi ku kthimi është gjithmonë në plan;
Është koka e kthyer gjithmonë pas;
Është rehatia e trupit dhe e shpirtit;
Është rriska e bukës së kafshuar me ëndje;
Është aroma e mollëve dhe ftojve ndër rroba;
Është thesari imagjinar në baulen e vjetër
dhe të mistershme të gjyshes;
Është brumi i zënë nga duart e nënës;
Është kolla e babait kur kthehet nga puna;

Është pasioni fëminor për lodrat;
Është arratisja këmbëzbathur
Dhe trikoja e veshur mbrapsht;
Është dhoma e mbushur me postera dhe ëndrra
që mbase edhe do bëhen realitet;
Është streha ku ka gjithmonë një vend për ty.

Tokën e ka marrë malli për këmbët e zbathura,
Askush s’i fut më hundët në punët e luleve
Dhe aromat kanë mbetur jetime,
Si këto pemë ku askush nuk gdhend më një zemër.

Coklat e shpërndara kuturu mbi lymin e tokës
Më kot kalben ëndrrash për të ndezur një zjarr
Plot rrëfenja gjyshesh e sy të pagjumë fëmijësh.

Karrot e fshatit përtej në luginë
Tërheqin osh kujtimin e një zhegu të hershëm
Nën hijen e ullinjve dhe këngës së gjinkallave.

Një përrua që rrjedh përtueshëm,
Një gardh shtremaluq,
Një oborr që zhurmon,
Një qen që kotet,
Një zë që të thërret në të errur
Dhe aroma e duarve plot jetë.

Nga vëllimi me poezi “Guralecë”

“Titulli i origjinalit “Shtëpia”

Observerkult


marsel lela putheshim

Lexo edhe:

MARSEL LELA: NANLOKJA

Poezi nga Marsel Lela

Me furkën e vjetër
Nanlokja tjerr mendimet e mia
E me to bën një poezi
Për gjithë dimrin.

Kaq e thjeshtë duket jeta
Në ato duar të moçme,
Rrudhat në to ngjajnë me brazdat
Prej nga kanë mbirë
Mijëra kallëza dashurie.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult