Martin Camaj: Jo gjithë jeta qenka burim poezie

martin camaj deshta
Martin Camaj

Ka rrethana në jetën e njeriut që ky don me i harrue. Posa qet kryet një këso ngjarjesh në kujtesën e tij, ai e ndrydh, për shpirt kishte me e nxjerrë me gjithë rranjë prej fundit të zemrës, por s’ban!
Papritmas kujtimet e pakënaqshme mbijnë dikund ku as ndërmend nuk të shkon, shpesh si shfaqje negative, për shembull, në marrëdhanje me të tjerët. Nëse kjo vetje që don me harrue diçka është krijues, këto ngjarje të pakandshme i shfaqen pavetëdishëm në krijimet e tij në letërsi, për shembull, ose në pikturë apo në tinguj. Ky lloj arti del tepër i kapërthyem , por nëse asht vërtet art, del në trajtën e vet i harmonishëm.
Me zbërthimin e këtyne krijimeve artistike merren gjurmuesit, kritikët e bile tash së fundit dhe psikologët dhe aty këtu ndoj gjuhëtar.
Unë nuk i përkas kësaj rigate njerëzish, as si krijues, as si gjurmues. Poezia ime rrjedh nga ato rrethana jete që unë due t’i kujtoj!
Qe, për shembull një:
Kam lindë në një vis të egër “ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit”, kaq i thyeshëm ashtë ky vend. Përtej përjetimeve atje, mbas të shtatit vjetë deri në të dhjetin më kujtohet prekja e gjarpnit të fshehun në fier, saktas ndija e të ftoftit të një lëkure të lëmuet. Mandej më çuen në shkollë mbasi më kish hy në palcë kjo ndije. Në qytet ua ka tregue me qindra herësh moshatarëve të mij këtë rrethanë në varianta të ndryshme.
Ma vonë mora vesh se paska tekste të shkrueme edhe mbi lëkurën e gjarpnit. Unë s’do ta kisha prekë kurrë me dorë një pergamenë të tillë.
Mbas 13 vjetësh ktheva në vendlindje. Të dytën ditë mbas kthimit, njerëzit e mij më thanë me shkue ndër rëmaj, ndër vorre, të vizitoj ata që kishin vdekë gjatë kohës kur unë isha larg. Më përcolli një plak që nuk më kujtohej se e kisha njoftë ma parë. Mbasi në asnjë gúr vorri tek na ndër male nuk gjen emën të shkruem, më duhej një përcjellës. Ky, kur mbërritëm atje, në vend me më thanë: ky ashtë vorri i t’yt et ose ky apo kjo, thirrte para çdo gúr vorri i t’yt et ose ky apo kjo, thirrte para çdo gúr vorri: ooo! (Filan Filani) me emën e mbiemën.
Tue dalë prej Rëmajvet, iu fala nderës malësorit plak që m’i tregoi vorret e njerëzve të mij. Tejet i ngacmuem iu çue delli në ballë:
“Si, tha, po më falësh nderës për kaqe gja? Vetëm një za u lëshova,  bre burrë! e kurgja tjetër: dashtë Zoti e më kanë ndie!”
Prej kësaj rrethane më ka mbetë në kujtesë fjala zani që përshkon prej një jetë në tjetrën. Për botën nga vi unë zani ishte gjithçka, sinonim me përjetësinë, kujtesën, me kangën….Thuhet me mbetë në za “mos me u harrue”, dal në za “bahem i përmendun, me famë” e së fundi urimi ta ndiefsha zanin e mirë! “ndëgjofsha mirë për ty!”
Përçuesi i zanit të mirë, i kangës epike, ishte rapsodi, një njeri pa emën, një za i pashoq e i papërsëritshëm. Nëse ky shuhej, delnin 100 tjerë por asnjë za si ai sepse në botën e mitit askush nuk ashtë i pavdekshëm, vetëm i trashëgueshëm në një trajtë të re. Bota e mitit ngjan të jetë një model se si duhet të jetë jeta e vërtetë ku flitet haptas për të drejtën e padrejtësinë. Atje del fitues në shumën e rasteve  e vërteta, ndonëse edhe në zemrën e botës së mitit gjindet fundi i ferrit. Edhe unë, për shembull, e kam fitue tepër vonë vetëdijen e një fshehtësie të tillë, papajtimin e zanit me shenjat apo çka janë shkrojat e një libri të lashtë që në të vërtetë e përjetësojnë zanin e shumë para sa e sa shekujsh.
Me këtë vetëdije lidhen edhe shtjellimet në vargjet e lira të këtij libri.
Ai qe një moment si gjetja e një filli peni nga zhdërvillohet tanë lamshi dhe lamshi ashtë ngjarja që u ngul në kujtesë si nyell i fortë në kohë. Kjo mund të jetë edhe një andërr, nëse çka po tregoj ashtë gja e vërtetë.
Ishte mes vjeteve 1956 e 1961. Në Romë pata mundësinë me pasë përduersh librin ma të vjetër të njoftun deri sot në gjuhën shqipe. Ky dihet se ku ashtë, unikat, e vetmja kopje në botë. Mbasi ende nuk kish ribotime të këtij libri, m’u donte me shkue përditë në Bibliotekë për të lexue në të. Rregulla e lypte me nënshkrue çdo ditë se e mora tekstin në lexim e se në fund e dorëzova shëndosh, ta pavenuem. E njëjta rregull vlente për të gjithë ata që studionin tekste të lashta në këtë bibliotekë. Kjo sjellje me kohë shndërrohej në ritual, disesi bahej pjesë e pandame e rrjedhës gjurmuese. Rituali përkonte edhe me përmbajtjen e këtyne teksteve që shpesh ishin Shkrime Shejte. Sikur gjat studimit në kësi librash do të ishte pezullue kjo sjellje, libri i lashtë do të kish humbë diçka nga nimbi mistik: nga kjo magjí tret diçka edhe kur restaurohen tekstet e lashta dhe letrës ose pergamenës s’i vjen ma erë shekujsh.
Shumica e gjurmuesve në sallën e posaçme të librave të lashtë e të inkunabullave ishin murgj të vjetër, pos disave, fytyrë-imët, hije bujare hebrejsh të stërholluem shpirtnisht prej dijes. Ata vishin nga Lindja e Perëndimit dhe ishin ndeshë rastësisht në këtë Bibliotekë ku vetvetiu kishin trajtue taraf më vete dhe s’përziheshin me askend. Mes tyne flitnin gjuhë të ndryshme nga ato të mëdhatë botnore tue përzie në kuvend fjalë e thanie hebraishte. Mbas gjase, po ato pak fjalë të kulturës së tyne të lashtë nuk do t’ishin marrë vesh, harmonia e kuptimit do t’ishte prishë.
Fqinji im, aty pranë meje me një inkunabull të shekullit tetë hapë mbi tryezë, ishte një benediktin plak, liturgjist në za. Edhe teksti im shqip kishte përmbajtje të tillë e shestoja ndër mend si t’ia gjej shtegun ta pyes për ndoj këshillë. Ia zuna shtegun gjatë pauzës në terracën mbi pullazin e Bibliotekës kah shihej mbarë Roma. Ia solla fjalën e ai u rrudh tue fshehë të dy duert në mangët e zhgunit deri në brryla.Qartë!
s’kish kohë me humbë me mue! Mbas tri ditësh erdh vetë tek unë e më pyeti për vështirësitë që kisha. Kështu e kështu, i thashë, gjithçka do të zgjidhej sikur të kisha tekstet në gjuhën time mbi të cilat u mbështet autori i librit në fjalë.
“Ti mbron tezën se ka pasë një traditë shkrimi në shqipe para tekstit që hulumton?”
Jam i bindun!”, iu përgjigja.
“Po të ekzistonin tekste të tilla, do t’ishin zbulue dikun deri më sot. Ty të mbetet vetëm një rrugëdalje: venu në kërkim palimpsestesh!
-U kujtue se kjo fjalë më hutoi. –Çka don me thanë palimpsest?
Kompozita vjen nga greqishtja: palin ‘për së ri’ e psestos ‘ i shlyem, i gërvishtun’, kështu quhen ato pergamena me shtresa dorëshkrimi njeni mbi tjetrin”.
Ma vonë mora vesh se pergamena, lëkura, në lashtësi ishte landë e kushtueshme e murgjit e kuvendeve të vorfna shlyenin me langje të tharta e bimësh shkrimet e vjetra që nuk u hynin në punë (për shembull shqipja një murgu grek!) dhe shkruenin mbi to traktatet e tyne ose diçka tjetër pa vlerë. Për fat në shekullin e tetë ose ma vonë s’ka pasë langje të forta dhe shkrimet kinse të shlyeme munden me u përtri lehtë e të lexohen në rreze ultraviolete. Herën e fundit që u takova, murgu për të më dhanë zemër, më tha që mos të lodhem tue kërkue. “Diçka ke për të gjetë me siguri! Mos harro, kjo llojë pergamene e shkrueme dhe e shlyeme disa herë në kataloge bibliotekash të lashta shënohet, ngjit mbas signaturës ndër kllapa, me emërtimin codex subscriptus, a more vesh?”
Kur dola prej Bibliotekës ishte mbramje. Më doli përpara një botë e re dhe Roma arkeologjike fare e zbulueme në ngjyrën e saj tipike, ngjyra e tullës së pjekun, e kuqlemët e korpit njerëzor të rrezitun në diell.
Në ditt që ndoqën në Bibliotekë nuk m’u dha me lypë ma librin ma të vjetër të shqipes: më doli qefit me mend në palimpseste të lashta.
Tue rëmue nëpër këtë tempull të librit të lashtë, hasa dhe në botime të rralla të lirikës greke, asosh autentike të kohës së Hesiodit.
Këto tekste i njihte mirë dhe murgu i zi pse kish lexue tanë jetën pa u ngi kurrë me to. Ky, mes kuvendit përmbi mitin e lashtë, më pyeste me një za cinizmi të lehtë “e po palimpsesti yt?” ndoshta për të më qitë ndërmend se kisha edhe një profesion tjetër.
Dhe këndej zu fill ravgimi palimpsestesh nëpër qytete të mëdha kudo mbërrita, në një anë, e në tjetrën, kërkimi mbas mitit poetik ose qetësisë së humbun.

Përgatiti: ObserverKult