Martin Camaj: Si doli emni prej gurit
Ata që presin barin me drapij dhe kosa të shkurtra, posaçe për livadhe me gur në bjeshkën e Cukalit, janë njerëz të heshtun dhe vetëm në dukje të qetë: dhimba u bren kocat natën e i kap si pika në mëngjes në muskuj e gjymtyrë kur sjellin së pari rreptas hekurin në bar. Në parzmin e leshtë u fshehet frika e gjarpnit që pret tue njehë në ritëm afrimin e krismës së drapnit në tërfojë.
Mbledhësit e barit flejnë në vapën e ditës mbështetë për trungun e ahut nën hije e shohin andrra syçelë.
Ma i riu i zgjoi njëherë e u tregoi atë që kishte gjetë, diçka të gdhendun, gungë e madhe ngjyrë ashti, rrashtën e breshkës e mbi atë gjarpnin dredha-dredha, gjithçka të bamun gurë! Mirë – thanë ata – na e dimë qëmoti se nema e Orëve ndërron në shkamb çdo gja, edhe bariun me tufë përpara, po puna ashtë: si erdhi breshka deri këtu, kaq nalt?
Njeni sish shpjegoi me buzë në gaz:
“Unë kam helm në gjak pse gjarpni më zuni tri herë, andaj unë di në këtë mes pakëz ma tepër se ju. Breshka – tha ai – e pruni deri këtu në shpinë gjarpnin. Shikoni, si janë të ngrimë më një si të mos ishin dy frymorë! Si pela ime, Dranja, e unë mbi të kaluer.”
Mandej folësi mori briskun e me maje ia shkoqi gjarpnin breshkës nga rrashta mbi të cilën mbeti gërresa dredha-dredha, si ravë që përshkon gjysmën e globit.
Dranja, e quejtën njëzani ata breshkën në gurë, pa gjarpën.
*Shkëputur nga “Dranja”
Përgatiti: ObserverKult
————————-
Lexo edhe:
MARTIN CAMAJ: KAM SHIKIMIN TAND NË SHPIRT
Kam shikimin tand në shpirt
dhe melodinë e pavdekshme
të gjakut në pasion.
Freskia mëngjesore
dhe bari i lagun fryjnë
zemrën time të zgjueme
nga prania jote në të.
Kam shikimin tand në shpirt.
Poezinë e plotë e gjeni duke klikuar KETU
ObserverKult