Tmerret e komunizmit: “Iu banë tortura të tmerrshme në trupin e tij, tue e copëtue kambësh e duersh”…

Publikohet një studim të panjohur të Dom Zef Simonit, me titull “Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni nga 1944 në 1990-ën”, ku kleriku katolik me origjinë nga qyteti i Shkodrës që vuajti për vite me rradhë në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe më 25 prill 1993 u shugurua Ipeshkv nga kreu i Selisë së Shejtë, Papa Gjon Pali i II-të.

Studimi i plotë i Dom Zef Simonit, duke filluar nga tentativat e qeverisë komuniste të Tiranës menjëherë pas mbarimit të Luftës për ta shkëputur Kishën Katolike nga Vatikani, fillimisht duke i ndaluar kthimin në Shqipëri Delegatit Apostolik, Imzot Leone G.B. Nigris, pas vizitës që ai kishte bërë te Papa në Vatikan në vitin 1945 dhe më pas me presionet e kërcënimet ndaj Monsinjor Frano Gjinit, Gaspër Thaçit e Vinçens Prenushti, të cilët e kundërshtuan prerë “ofertën” e Enver Hoxhës dhe si rezultat u pushktuan prej tij, si dhe fatin tragjik të shumë klerikëve të tjerë që arrestuan, u torturuan dhe u dënuan me burgime, si: Dom Ndoc Nikaj, Dom Mikel Koliqi, Atë Mark Harapi, Atë Agustin Ashiku, Atë Marjan Prela, Atë Rrok Gurashi, Dom Jak Zekaj, Dom Nikollë Lasku, Dom Rrok Frisku, Dom Ndue Soku, Dom Vlash Muçaj, Dom Pal Gjini, Fra Zef Pllumi, Dom Zef Shtufi, Dom Prenkë Qefalija, Dom Nikoll Shelqeti, Dom Ndré Lufi, Dom Mark Bicaj, Dom Ndoc Sahatçija, Dom Ejëll Deda, Atë Karlo Serreqi, Dom Tomë Laca, Dom Loro Nodaj, Dom Pashko Muzhani, etj.

Me 16 gusht të vjetit 1944, me rastin e festës së Shën Rrokut që kremtohet posaçërisht në Shirokë, një fshat buzë liqenit të Shkodrës, në proçesionin e kësaj dite, Dom Ndre Zadeja, meshtari i detyrës, gojëtari në za dhe shkrimtari i zgjedhun, i flaktë në zemër, e nder vepra për “Fe e Atdhe”, binom që kishte karakterizuar Klerin Katolik historikisht, e sidomos në kohët e luftave të Gjergj Kastriotit-Skanderbeut, këto fjalë i tha popullit e rinisë: “Dy fjalë i kam sot me ju, sidomos me ju, o të rij. Një re e zezë me një ideologji të kuqe po vjen mbi kokat tueja. Ajo ka ndërmend të shprazet mbi ju, por atëherë s’keni për të pasë shka me i ba, veç me bajtë e me i sprovue të këqiat, se përveç të zezave të tjera që ka, ajo mohon edhe Zotin”. Këto fjalë i tha tre muej e pak, para se të hynte komunizmi në Shqipni, e gati shtatë muej para se të pushkatohej meshtari i zjarrtë, i vlershëm Dom Ndre Zadeja, i pari meshtar i pushkatuem në Shkodër, mbas murit të vorrezave katolike, me datën 25 mars 1945, ditë e dielle, ngjarje kjo që tronditi Shkodrën, rrethet, malësitë dhe mbarë Shqipninë.

Komunistët e morën vesh vonë, se mesha e mesnatës për Krishtlindje, me 24 të dhetorit 1944 në Kishën Katedrale, nuk do të thuhej, se mos ngjante ndonjë turbullim. Por regjimi i ri nuk e duronte këte veprim. Prandaj disa nacionalë-çlirimtarë të krishtenë edhe ndonjë komunist i krishtenë, ndonëse vonë, rreth orës dy të mbasdrekes, i’u drejtuen Kryeipeshkvit të Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçit, me lutje të thuhej Mesha e Mesnatës. Mbasi Imzoti u tha se: ‘tashti asht tepër vonë me lajmue popullin’, këta i premtuen se merrshin përsipër ta lajmojshin. Shkojshin derë në derë tue thanë: “Sonte thuhet mesha e mos kini frikë, pse besimi asht i lirë”. Për ma tepër, po të thonte kush se besimi nuk do të ishte i lirë, kjo do të quhej prej regjimit të ri një shpifje, një parullë e fortë e reaksionit, e do të kishte ndeshkime. Shej i sigurtë se nuk do të kishte dredhi u ba të ramet e kumbonëve në mbarë qytetin e një popull i madh mori pjesë qetësisht e me shumë gëzim në Meshen e Mesnatës.

Por regjimi i ri nuk mundi të durojë gjatë, nuk mundi të qëndronte pa gënjeshtrat e veta e pa gënjeshtarë në gjithçka.

Filloi shpejt përsekutimi, një përsekutim i posaçëm në botë e në historinë e kombit tonë, një masakër fanatike dhe e vazhdueshme pesëdhjetëvjeçare, për të rrenue gjithshka me vlerë që ishte arrijtë sidomos mbas pavarësisë. Lufta kundër Kishës e besimit katolik në këtë kohë mund të ndahet në tri faza:

E para, fillon nga vjeti 1945 deri në 1950. Asht ajo e zhdukjes së klerit, me burgime e pushkatime, mbas torturave fort çnjerëzore, të zhdukjes së vlerave shpirtnore e kulturore katolike në mbarë Shqipninë, nën udhëheqjen e Partisë Komuniste, drejtue prej Enver Hoxhës, mbështetë në politiken sllave direkt në Shqipni, drejtue prej Titos.

E dyta fazë, nisë nga vjeti 1951 deri në 1960, e asht ajo që na po e quajmë një lloj pakësimi të ashpërsimit të luftës kundër fesë, mbas prishjes së marrëdhanieve me Jugosllavinë.

E treta, mbas prishjes me Bashkimin Sovjetik në vjetin 1961, por tue mbajtë vijën staliniane, ajo e periudhës kineze, kur do të ngjajnë presione kineze, mbyllja e kishave dhe e të gjitha institucioneve fetare në Shqipni, me revolucionin kultural, deri në 1990.

Shqipnia, kishtarisht kishte pesë dioqeza dhe Abacinë Nullius të Mirditës.

Ishte arkidioqeza e Shkodrës, qendër metropolitane që drejtohej nga arqipeshkvi i saj, Imzot Gaspër Thaçi, Arqipeshkvia e Durrësit me arqipeshkvin Imzot Vinçenc Prennushin, që ishte edhe Administrator i Shqipnisë së Jugut, Imzot Gjergj Volaj, ipeshkëv i dioqezës së Sapës, Ipeshkvia e Lezhës me Imzot Luigj Bumçin, Ipeshkvia e Pultit me Imzot Bernardin Shllakun, Abacia Nullius e Mirditës, me qendër në Orosh me Ipeshkvin Imzot Frano Gjinin dhe Delegatin Apostolik, me qendër në Shkoder, Imzot Leone Nigris.

Gjindeshin në Shqipni disa urdhna rregulltarësh e rregulltaresh. Urdhni i Shën Françeskut me provinçialin në Shkodër, urdhën i hershëm qysh në shekullin XIII, që, simbas tradítës, me ardhjen e Shën Françeskut në Lezhë. Një urdhen që mbante misionin edhe në zonat ma të vështira të Dukagjinit. Lavroi gjuhën shqipe e hapi një farë shkolle të mesme në Pëdhanën e Zejmenit, në shekullin e shtatëmbëdhetë, edhe dy shkolla, ajo e Troshanit dhe e Blinishtit. Në qytetin e Shkodrës fretënt kambëzbathë, me sandale, hapshin të parën shkollë fillore publike në Shqipni, për të vorfënit, me 1861.

Ma vonë të vorfnit e Asisit hapën edhe liceun “Illyricum” i një niveli të naltë, me nxanës nga mbarë Shqipnia e për të krishtenë e muslimanë. Një urdhën që dha figura të shqueme të dijës në të gjitha fushat si gjuhëtarë, shkrimtarë, profesorë të shquem të kulturës klasike greko-romake, historianë si: Mons. Vinçenc Prennushi, Atë Anton Harapi, Atë Gjergj Fishta, Atë Justin Rrota, Atë Marin Sirdani, Atë Pashko Bardhi, Atë Bernardin Pali, Atë Donat Kurti, Atë Gjon Shllaku, me të nipin e vet françeskan, Atë Aleks Baqlin, Atë Frano Kiri, Atë Benedikt Dema, Atë Viktor Volaj, Atë Daniel Gjeçaj e të tjerë, të gjithë të pregatitun në Universitetet e Europës, tue shti kulturën pozitive të Europës e tue i dhanë një zhvillim të madh kulturës shqiptare.

Shoqnia “Jezus”, me fillesën e vet në Shkodër, në vjetin 1841, bante një mision të përmendun për të rranjosë fenë me devocione e lutje që do të mbesin të paharrueshme edhe gjatë përsekutimit në zemrat e buzët e popullit. Një mision, që zbuste zakonet e ashpra e pajtonte gjaqet e shumta që arrijshin në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë, deri në numrin 4000 pajtime.

Një shoqni që sjell e zhvillon një kulturë të mirë europiane e kulturë kombëtare në Seminarin Papnuer dhe në liceun e Kolegjes Saveriane, tue pasë njerëz të shquem, si: Atë Jak Jungun, Atë Genovizzi-n, Atë Anton Xanonin, Dom Ndré Mjedën, Atë Mark Harapin, Atë Gjon Karmën, Atë Jak Gardin-in, Atë Daniel Dajanin, Atë Giovanni Fausti-n, Atë F. Cordignano-n, Atë Zef Valentini-n, Atë Pjetër Meshkallën, Atë Ndoc Saraçin, Atë Zef Saraçin, etj.

Salezianët e salezianet, të përhapun në disa qendra në Shqipni, të cilët simbas drejtuesit e pedagogut të madh Dom Gjon Bosko, merreshin kryesisht me rini, tue shtie nder ata shpirtin e uratës e të punës. Orionitët, edhe këta në gjasim të Salezianëve.

Kuvendi i motrave Stigmatine, Servite, Vinçenciane, të cilat punojshin aq shumë për edukimin e vajzave në shoqni fetare, në shkolla femnore e Vinçencianët nder spitale. Ishte dhe një numër i madh meshtarësh që shërbejshin në famullitë, o gjindeshin në qytete për të mbajtë shkollat, licetë.

Ndër dhunat e para të qeverisë komuniste ndaj Kishës, kje mospranimi i Delegatit Apostolik, Imzot Leone G.B. Nigris, në vjetin 1945, kur po kthente mbas vizitës te Papa, prej Rome në Shqipni. Tue zbritë në Durrës, i kje ndalue të hymit. Në vendin e tij emnohej si Zavendës – delegat Apostolik, Ipeshkvi i Abacisë Nullius, Imzot Frano Gjini. Imzot Gaspër Thaçi, së bashku me Imzot Vinçenc Prennushin u thirrën prej Enver Hoxhës që u kërkonte bashkëpunim, me konditë që këta të shkëputeshin nga Selia Shejte. Të dy refuzuan me guxim këto propozime.

Mbas vdekjes së Imzot Gasper Thaçit, Enver Hoxha provoi përsëri një tentativë tjetër, tue thirrë Imzot Frano Gjinin. Refuzimi i Imzot Gjinit ishte i premë: “Unë nuk do ta ndajë kurrë grigjën teme nga Selia Shejte”. Asnjë nga Kleri Katolik nuk pranoi skizëm gjatë historisë së përsekutimit.

I pari meshtar i pushkatuem në Shqipni ka qenë Dom Lazer Shantoja në vjetin 1945. I’u banë tortura të tmerrshme në trupin e tij, tue e copëtue kambësh e duersh. Kur e pau e ama e vet në atë gjendje, i u lut qeverisë tue i thanë se: “E paguej unë plumbin që ta pushkatoni tem bir. Nuk mund të shifet prej askuj në atë gjendje”!

Shpejt u arrestuen meshtarë françeskanë, si: Atë Gegë Luma, famullitar në Berishë, e me radhë Atë Dioniz Makaj, në Nikaj e Mertur, Atë Alfons Çuni, Atë Gaspër Suma e Atë Sebastian Dedaj në Theth e Gomsiqe, meshtari misionar gjerman Dom Zef Maksen, e sa e sa të tjerë.

U burgosën Atë Gjergj Vata, i cili nuk ishte konsakrue ende meshtar, e Atë Jak Gardin-i i Shoqnisë “Jezus”, italian me origjinë, por me vepra, shqiptar i fortë.

Në liceun e Françeskanëve edhe atë të Jezuitëve, në vjetin shkolluer 1945, imponohej nga regjimi formimi i një celule të rinisë. Vinte një propagandist që fliste. Prezent ishte edhe një profesor, simbas radhe. Në radhën që kishte pasë Atë Jak Gardin-i, i kishte paraqitë mbledhjes së të rijve disa objeksione. Ditën e Shën Luigj Gonzagës, me 21 qershuer, Atë Gardini mbajti predkun në kishë tue naltue figurën e shejtit.

Në kishë ishin edhe disa “agjentë civila”, që shënojshin fjalët e tij mbi Zotin e Shejtin. Në këtë ditë të 21 qershorit, ora 9 të mbramjes u arrestue. Ky ishte shkaku i arrestimit dhe i dënimit me dhjetë vjet burgim, që do t’i kalonte nepër burgjet e kampet e punës të Maliqit të Korçes e të Bedenit të Kavajës, pasqyrue ne librin e tij “Dhetë vjet burg në Shqipni”, i përkthyem në disa gjuhë të Europës dhe në gjuhën shqipe prej Mons. Simon Filipaj.

Me datën 21 të qershorit u arrestue për të parën herë dhe Atë Gjergj Vataj.

Me 31 të dhetorit 1945, u zbulue organizata nacionaliste “Bashkimi Shqiptar” me të krishtenë, myslimanë e rrajën e kishte në Seminarin Papnuer në Shkodër. Prej një zelli atdhetar, disa seminaristë vepruen pa dijeninë e të pareve, me disa aksione shtypi, me trakte që shkaktuen edhe arrestimin e pushkatimin e Atë Giovanni Fausti-t, italian, nënprovinçial i Shoqnisë “Jezus” dhe të Atë Daniel Dajanit, shqiptar, Rektor i Kolegjës e i Seminarit.

Në një grup me këta bashkuen edhe intelektualin aq të shquem shqiptar, Atë Gjon Shllakun, nxanës i neotomistit të shekullit, Jean Jacques Maritain, të akuzuem padrejtësisht se kishte formue demokristianen. Me këtë grup u pushkatue dhe organizatori kryesor, seminaristi Mark Çuni. Gjithësej shtatë vetë, në një ditë të mbylltë me shi e me vaj, të datës 4 mars 1946.

Në dosjet e tyne të Ministrisë së Punëve të Mbrendshme, në momentet para pushkatimit, u gjetën fjalët: “Rrnoftë Krishti Mbret” dhe “Falim anmiqtë tanë”.

Lëvizja e Postribës, me 9 shtatuer 1946, arrestoi dhe një grup meshtarësh, pa marrë pjesë ata në ketë levizje. Arrestohen Imzot Frano Gjini, Imzot Gjergj Volaj, Imzot Nikollë Deda, Dom Tomë Laca. Të tre këta prelatë u pushkatuen.

Në vjetin 1946, zbuluen në malësi të Dukagjinit Atë Anton Harapin, anëtarin e Regjencës, që mbas torturave të randa, u pushkatue së bashku me Lef Nosin e Maliq Bushatin.

Provinçialin e françeskanëve, Atë Mati Prennushin, dhe gardianin e fretenve në Shkodër, Atë Çiprian Nikën, të akuzuem me shpifje se kishin futë armët te lteri i kishës së Shënandout, në kishën françeskane të Gjuhadolit, të cilët, mbas një qëndrimi trimash në gjyq, u pushkatuen e vdiqën martirë.

U dënuen e vuejtën randë nder burgje Atë Pal Dodaj, Atë Donat Kurti, Atë Aleks Baqli, Dom Tomë Laca, Atë Mëhill Miraj, Dom Nikollë Shelqeti, Dom Mark Hasi, Fra Zef Pllumi. Kuvendi i françeskanëve të Gjuhadolit u shndërrue në një hetuesi të përgjakshme që na e përshkruen saktë Atë Zef Pllumi në librin e vet “Rrno per me tregue” dhe në një burg, ku marrin frymë afër 700 të burgosunish.

Edhe frateli i përvuejtë i françeskanëve, fra Ndue Vilaj, që pësoi vetëm tortura, kurse frateli i shquem nga Kosova, i Jezuitëve, Gjon Pantalija, vdiq mbrendë nder tortura. Atë Pal Dodës, i’u gjet nder mundime si një motër e mirë, Drita Kosturi, e si një vëlla i vërtetë nder çastet e vështira, në burgun e Durrësit, Imzot Vinçenc Prennushit, Arshi Pipa.

Shumë meshtarë e rregulltarë u arrestuen, u torturuan dhe u dënuen me burgime, si: Dom Ndoc Nikaj, Dom Mikel Koliqi, Atë Mark Harapi, Atë Agustin Ashiku, Atë Marjan Prela, Atë Rrok Gurashi, Dom Jak Zekaj, Dom Nikollë Lasku, Dom Rrok Frisku, Dom Ndue Soku, Dom Vlash Muçaj, Dom Pal Gjini, Fra Zef Pllumi, Dom Zef Shtufi, Dom Prenkë Qefalija, Dom Nikoll Shelqeti, Dom Ndré Lufi, Dom Mark Bicaj, Dom Ndoc Sahatçija, Dom Ejëll Deda, Atë Karlo Serreqi, Dom Tomë Laca, Dom Loro Nodaj, Dom Pashko Muzhani, etj.

Herë mbas here, në orët e para të agimit, mbas vorrezave të Rrëmajit në Shkoder, dëgjoheshin krismat e pushkëve që shtrijshin përdhé meshtarë, rregulltarë e sa civilë katolikë e muslimanë. Llojet e torturave ishin nga ma të ndryshmet, si: korrenti elektrik, mbushja e gojës me krypë, kamxhiku e druni, futja me kokë poshtë në fuçi me ujë të akullt për disa ditë, me ecë kambë zbathë mbi pllaka të kuquna metalike, me të shtie vezë të zieme nën stjetull, pakësimi i ushqimit për të shkaktue vdekjen, ilaçe për të shkatërrue sistemin nervuer e për të ba të flasësh çka nuk di as ai vetë, e lloje të tjera të shpikuna nga njerëz të Sigurimit të pashpirt.

Vinë me radhë, Dom Anton Muzaj, i torturuem për vdekje, të cilin e liruen gjallë e për gazep, që mbas pak muejsh, vdiq në arqipeshkvi në moshën 29-vjeçare. Dom Dedë Maçaj, porsa meshtar i ri, u pushkatue para regjimentit ushtarak në Përmet.

Do të vdisshin, pa gjyqe, ndër tortura, Atë Bernardin Palaj, të cilit, i lidhën trupin me një tel të ndryshkun, vdiq nga sëmundja e tetanozit. Dom Lekë Sirdani e Dom Pjetër Çuni, arrestohen e do të vdesin ndër tortura me krena teposhtë në gropat e zeza. Dom Dedë Plani, Dom Luigj Bushati e Dom Luigj Prendushi, u pushkatuen. Atë Bernardin Llupi u pushkatue në Pejë. Dom Alfons Tracki e Dom Zef Maksen, i pari me origjinë polake dhe i dyti gjerman, u pushkatuen. Atë Serafin Kodës i duel shpirti me gabzherrin e nxjerrun nga fyti. Papa Pandit, prift i ritit oriental në Korçë, i prenë kokën, tue i’a vendosë mbi trupin e tij të vdekun e Papa Josifin, prift i ritit oriental në Elbasan, e mbytën në kampin e punës së mundimeve në kënetën e Maliqit.

Këta janë shembuj të naltë të jetës para vdekjes në jug, të cilët i përshkoi në shekullin e parë Apostulli Pal, e Apostulli Andrea. Krishtënimi nuk ka hy në Shqipni nga pushtuesi. Roma e kishte pushtue Ilirinë, por ajo ka persekutue idhtas të krishtenët e krejt Perandorisë.

Dom Mark Gjanit, tue e torturue, i kerkuen ta mohonte Krishtin. Përkundrazi Dom Marku tha fjalët e fundit mes dhimbave: “Rrnoftë Krishti Mbret!” Vdiq i varun nder shpatulla, tue i’a hjedhë trupin qejve e mbeturinat e tij i lëshuen në përrue. Tamam ashtu si vepruen turqit me eshtnat e Gjergj Kastriotit, e me prelatin e lavdishëm, Imzot Pjetër Bogdanin, apo si vepruen ma vonë komunistat, tue nxjerrë prej vorrit eshtnat e Mons. Jak Serreqit, Mons. Lazër Mjedës, Mons. Gaspër Thaçit, Mons. Ernest Cozzi-t, Mons. Bernardin Shllakut, Atë Gjergj Fishtës e së bashku me atë, pa dijtë gja, të Dedë Gjo’ Lulit, eshtnat e të cilit françeskanët i kishin ruejtë në vorret e tyne për t’i ba një monument.

Motër Maria Tuci, përsonë që i kushtohej Zotit, kje arrestue e provoi torturat e një lloji antinjerëzuer, por qëndroi heroike për të ruejtë fe e nder. Mbasi u lirue nga hetuesia, vdiq shpejt në spitalin e Shkodrës. Tortura të jashtëzakonshme provuen Atë Anton Luli, pater i “Shoqnisë Jezus”, që pat torturën e “Lojës me top”, korrentin e rrymës elektrike e torturën e mijëve e tjera të paraqituna në librin e tij: “Atë Anton Luli S.J. Ne e dijshim martir…” Atë Frano Kiri provoi në Sigurim tri ditë e tri net, i lidhun me trupin e një të vdekuni dhe e zgjidhën, “ndërsa kullojshin langjet e trupit të të vdekunit” fakt i shkruem nga Atë Konrad Gjolaj në librin e tij “Çinarët”. Kurse Atë Gjon Karmën, jezuit, e shtinë në një arkivol për së gjalli, të mbuluem me kapak, tue pasë ndonjë birë të çilun, por pa e dijtë i torturuemi. /Memorie.al

—————

LEXO EDHE:

Kur komunistët bënin kërdi: “Babanë e vranë se nuk u dorëzua, xhaxhanë e vranë në kufi me Jugosllavinë”

ObserverKult