Maxim Vengerov do të dirigjojë Filharmoninë e Kosovës

Filharmonia e Kosovës do të prezantojë koncertin e parë në serinë e koncerteve në shënim të 20-vjetorit të themelimit.

Përmes një njoftimi për media, Filharmonia e Kosovës ka thënë se në koncertin e 2 shkurtit, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do drejtohet nga violinisti më i shquar i kohës dhe një nga dirigjentët më të dalluar që ka njohur historia e muzikës në botë, mjeshtri Maxim Vengerov.

Filharmonia thotë se Vengerov rikthehet në Prishtinë pothuajse pas 20 vjetësh, pasi më parë e kishte vizituar Kosovën si ambasador i vullnetit të mirë i UNICEF-it duke performuar për fëmijët e Kosovës. Por kësaj radhe vjen për të dirigjuar orkestrën e Filharmonisë së Kosovës.

Në program, Filharmonia njofton se do interpretohet “Simfonia e 7-të” dhe “Koncerti për violinë, violonçel dhe piano” nga Beethoveni me solistët e dalluar Ozcan Ulucan në violinë, Laszlo Fenyo në violonçel dhe Birsen Ulucan në piano.

Koncerti njëherësh do shënojë 250-vjetorin e lindjes së mjeshtrit klasik, Beethoven.

Koncerti do të mbahet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë. Biletat (gratis) për koncertin mund të tërhiqen nga dita e mërkurë nga ora 10:00 – 16:00 (29.01.2020) në objektin e Filharmonisë së Kosovës (rruga “Sylejman Vokshi”, nr. 19, Prishtinë).