Maya Angelou: Marshi i të njëmiliontëve

Poezi nga Maya Angelou

Nata ish e gjatë,
Plaga e thellë ishte
Err’ e terr në gropë
Me muret teh thike
Larg bregut, nën një qiell mavi,
prej gërshetash zvarrë më tërhoqen,
dhe më plasën fare pranë teje
duarlidhur ishe, gojëmbyllur,
emrin tim s’e thirre dot njëherë,
ashtu krejt i mjerë, siç dhe unë isha
por ja që fatkeqësisht Historia
ta veshi Ty mantelin e turpit…

E thashë, pra-
Nata ish e gjatë
e thelle plaga ishte
gropa err’ e terr
faqet – tehe thike.
Por sot, buçet zëri i shpirtit të lashtë
na çon fjalë të thella,
përmes vitesh, shekujsh,
detesh, oqeanesh.
Thotë: Bashkohuni
dhe shpëtoni racën tuaj.
Zinxhiret e skllavërisë e kanë paguar çmimin e lirisë!
Toka e premtuar – larg, shumë larg këtej!

Nat’ e gjatë pafund
Plaga e thellë ishte
Err’ e terr në gropë
Me mure teh thike
Ferri që jetuam dhe prapë po jetojmë
Na i mprehu shqisat
dhe forcoi dëshirën
Por këtë mëngjes
kaq qartë e shoh mes ankthit,
Shpirtin tënd.
Dhe e di se bashkë do e bëjmë shpëtimin
Vrikthi sjell në mend të shkuaren e turpshme,
Në të kaftën e madhe të syrit tënd shoh’
Dashurinë për familjen!
Të them: – Le të perplasim duart
dhe shkojmë në këtë mbledhje të madhe,
Le të përplasim duart dhe të flasim gjuhën e dashurisë,
Le të përplasim duart dhe ta braktisim shtegun e ndyrë të indiferencës,
Përplasim duart dhe le të gjejmë ku fshihen zemrat tona,
të bashkohemi dhe të ndreqim fajet tona,
të bashkohemi dhe pastrojmë shpirtin,
t’i lëmë mënjanë provat naïve dhe të
ndalim shtrembërimin e historisë sonë
Përplas duart dhe shpëto shpirtrat nga rënia në humnerë.
Përplas duart dhe bëji vend gazit të hyjë në kuvend.
Njerzillëkut në dhomat tona të gjumit,
Dhembshurisë në kuzhinat tona.
Dhe përgjërimit për foshnjat…

E dime prej të parëve, se mes gjithë kësaj dhimbjeje,
Mbi gjithë këtë ferr –
Ne jemi të pazhdukshem dhe serish do ngrihemi
…Dhe sërish do ngrihemi!

Në shqip: Majlinda Bashllari 

* Million Man March – Lëvizje për bashkim dhe protestë e zezakëve të ShBA në vitin 1995, kundër diskriminimit dhe mospërfshirjes në zgjedhjet elektorale të më shumë se një milion e gjysëm njerëzve nga ky komunitet…

ObserverKult


Lexo edhe:

MAYA ANGELOU: NJERËZIT HARROJNË GJITHÇKA, PËRVEÇ SI I KENI BËRË TË NDJEHEN…