Maya Angelou: Unë çohem

Me rrena t’kullume e t’shëmtume
Mundesh emnin me ma kryqëzu
Mundesh edhe në lloq me m’lanë
Por unë, si feniks, n’kambë kam m’u çu.

A po të shqetëson guximi jem?
Çka të ka ra kjo çehre e dekës?
Se unë rri si me pasë burime nafte
Bash në dhomën tem të ndejës!

Sikur drita e hanës edhe diellit,
E patrembun si përru,
Sikur shpresat që fluturojnë n’ajri,
Unë në kambë prapë kam m’u çu.

A po do me m’pa të mposhtun?
Kryeulun sytë teposhtë?
Krahëkrrusun si lypësare,
Tue u zhgarravitë përtokë?

A po t’lëndon madhështia jem?
Mos po ndjehesh i gjymtum
Se unë qeshem si me pasë miniera
Në oborr t’shpisë derdhun lum?

Me fjalë plumb mundesh me m’rrokë,
Me shikim mundesh me m’qorru,
Me m’vra mundesh me urrejtje,
Por unë, si era, n’kambë kam m’u çu.

Natyra jem joshëse a po t’ngjallë tërbim?
A të ka zanë ngushtë hutia
se unë vallëzoj si me pasë diamante
bash ku takohen kofshët e mia?

Nga vrima e turpit t’historisë
Unë çohem
Nga e kalumja e rranjosun mes mizorisë
Unë çohem
Jam rrëke e zezë që vërshon pa mbarim
Vërsulem e rritem pa frenim.
Tu e lanë përmas errësirrën dhe tmerrin
Unë çohem
Mëngjeseve kur rrezet diellin e dredhin
Unë çohem
Në dorë mbaj dhuratën e stërgjyshërve të mi,
Jam andrra dhe shpresa e skllaves për liri.
Unë çohem
Çohem
çohem përsëri.

Përktheu: Vlora Konushevci

ObserverKult


Lexo edhe:

VLORA KONUSHEVCI: T’KAM DASHTË HALA PA T’NJOHTË