Kur takon Saimir Pirgun ke një efekt habie dhe surprize. Pret të shohësh një personazh të famshëm skenash muzikore, plot etiketa dhe ornamente që rrethojnë zakonisht tenorët e njohur, por zbulon një djalë të thjeshtë, të qeshur dhe shumë të komunikueshëm. Nuk i ka rënë aspak “në kokë” fama e merituar ndërkombëtare disavjeçare dhe kjo është një meritë e madhe njerëzore. Saimir nuk është aspak i tillë. Ka mbetur në thelb një “çun i mirë Elbasani”, por me një dhunti të jashtëzakonshme që po i hap dyert e artit botëror.
Në fakt nuk është e drejtë që protretin e Saimir Pirgut ta fillosh nga modestia e tij magnetike. Do të ishte krejt e padrejtë dhe minimizuese, që të kufizohesh vetëm tek imazhi dhe personaliteti i tenorit më të famshëm shqiptar. Por ja që kur e ke njohur një herë djalin e mrekullueshëm të skenave, jashtë vitrinës skenike, goditesh nga qasja e tij krejt e natyrshme në raportet me të tjerët.
Le të jemi të qartë. Po flasim për talentin më të madh operistik shqiptar, i cili së bashku me Ermonela Jahon kanë habitur skenat më prestigjioze të operave nëpër botë. Nga viti 1981, kur hodhi hapat e parë në qytetin e lindjes Elbasan, Saimir Pirgu ka ecur shumë, jashtëzakonisht shumë. Ka tërhequr vëmendjen e Luciano Pavarotit, mentorit të tij të parë, ka marrë nota të larta vlerësimi nga mediat e kritika e specializuar, ku nuk mungojnë komente si “një nga zërat më të bukur që mund të dëgjohen sot” (Seen And Heard International), si “një nga interpretuesit më të rëndësishme botërorë të roleve të tenorit lirik” (Opera Today) “Një yll në rritje” (Opera Now). Apo edhe përcaktime të tilla si “Interpretimi i tij vokal tingëllon spontan, krejtësisht i pa sforcuar, duke u zgjeruar vazhdimisht në një lojë intuitive dritë-hijesh me një prekje të mëndafshtë” (The New York Times), “Teknika e tij është e shkëlqyer dhe cilësia lirike e zërit të tij është po kaq e bukur” (Plácido Domingo), “Vetëm qielli mund të jetë kufiri i tij “, (The New York Sun).
Në intervistën që Saimiri Pirgu dha për Javanews, e pyetëm për suksesin më të fundit, interpretimin në grupin e solistëve të Simfonisë së 9 të Beethoven në 100 vjetorin e Festivalit të Salzburgut, nën drejtimin e Ricardo Muttit.
Zoti Pirgu, fillimisht urime për suksesin e fundit në 100 vjetorin e Festivalit prestigjioz të Salzburgut, ku interpretuat në kuartetin e solistëve të simfonisë së 9-të korale të Bethovenit, nën drejtimin e maestro Ricardo Mutti. A mund të na thoni fillimisht çfarë përfaqëson për ju ky interpretim në këtë lloj formati?
Festivali i Salzburgut ka 100 vjetorin këtë vit, dhe pas ketij viti të jashtëzakonshëm pandemie, fakti festivali që është hapur festivali me dy produksione opera dhe me dhjetra koncerte, ka qenë një eveniment për të gjithë botën e artit klasik. Për mua ishte kënaqësi, pasi unë kam qenë disa herë me Filarmoninë e Vjenës dhe me maestro Muttin, por që të jesh pjesë e këtij festivali për këtë jubile, për 100 vjetorin, të jesh këtu dhe me simfoninë numër 9 të Bethovenit, ështe jo vetëm një kënaqësi, por dhe përgjegjësi shumë e madhe.
Festivali i Salzburgut është një festival shumë i rëndësishëm i operas. Për herë të parë ai është organizuar në vitin 1920 dhe që atëherë organizohet çdo verë në qytetin austriak të Salzburgut, që është edhe vendlindja e Mozartit.
Këtë vit, pavarësisht pandemisë, formati i festivalit ka qenë i njëjtë, koncerti është mbajtur njësoj sikur të mos kishte pandemi. Kjo është arritur duke testuar të gjithë individët, që nga solistët e deri te punonjësit më të thjeshtë të festivalit, çdo javë. Asnjë nuk mund të hyjë në festival pa bërë testin. Po kështu nëse dikush nga artistët takohet me dikë dhe rri me të për më shumë se 15 minuta, duhet të japë emrin dhe numrin e telefonit të tij për çdo rast. Pra masa rigoroze sigurie.
Ndërsa përsa i përket publikut, janë respektuar rregullat e distancimit social dhe vënia e maskës. Salla ka 3 mijë vende ulur, ndërsa u lejuan vetem 1200 vetë, të ulur në distancë nga njëri-tjetri. Festivali i Salzburgut tregoi se mund të arrihet një gjë e tillë, me testim rigoroz të artistëve dhe respektim të rregullave të distancimit social. Shtrohet pyetja nëse do të jenë teatrot e tjera në botë në gjendje ta ndjekin këtë shembull. Le të shpresojmë.
Ka qenë një surprizë e bukur për publikun botëror artdashës, që të jepni një shfaqje të këtyre përmasave në Salzburg, në kushtet e një pandemie globale. Si po i përjetoni situatat e reja në të cilat ju duhet të interpretoni, të kryeni provat dhe t’i përgjigjeni axhendës artistike të ngjeshur që keni?
Siç e përmenda edhe më sipër, ishte kënaqësi të isha prezent në një vit si ky, të pazakontë për të gjithë, por sidomos për botën e artit. Është 100 -vjetori i Festivalit dhe për publikun austriak simfonia nr 9 e Bethovenit është një repertor shumë i njohur për ta dhe shumë i rëndësishëm mund të them.
Për fat të keq, për shkak të pandemisë, të gjitha shfaqjet m’u anuluan, që nga fundi i shkurtit deri në shtator dhe nuk dihet ende se si do shkojë më tej. Edhe datat e reja që janë tani, iniciativat e reja që merren nga teatrot, po gjithashtu edhe kalendari që ishte më përpara, duhen verifikuar të gjitha nga e para. Po ribëjmë axhendat koncertore në kushte të reja dhe jemi çdo ditë në pritje të vendimeve që do marrë çdo shtet për qytetarët e vet, kështu që këtë vit është tepër e vështirë të parashikojmë. Jetojmë çdo ditë me shpresën që jetës do t’i kthehet sërish normaliteti dhe bashkë me të, edhe artit.
Cilat janë obligimet e tjera profesionale gjatë këtij viti kalendarik?
Të them të vërtetën kam qenë me fat që gjatë kësaj periudhe, gjatë së cilës kemi mundur të bëjme diçka në pak shtete si Italia, Austria apo Gjermania, unë kam qenë nga të paktët artistë që kam mundur të këndojë. Për herë të parë pas pandemisë këndova në Santa Cecilia me maestro Clavio dhe maestro Antonio Pappano, pastaj hapja e Arenës së Veronës, dhe disa shfaqje në festivalin e Bolzanos, dhe tani pjesëmarrja në festivalin e Salzburgut. Më tej do vijojmë, nëse kjo gjendje e jashtëzakonshme do na lejojë, me disa koncerte me orkestrën e teatrit San Carlo të Napolit, Reggia Di Caserta dhe gjithashtu në operan e Mynihut me operan Makbeth, në Filarmoninë e Lukseburgut edhe në Koncertin e Vjenës për Krishtlindje. Gjithmonë në varësi të situatës me Covid, nëse do të mund të na lejojnë që të këndojmë.
Si ishte bashkëpunimi me maestro Muttin? Sa të “lehtë” janë në marrëdhënie pune dirigjentët e famshëm me të cilët keni punuar si Abbado, Mehta, etj
Siç e thashë është hera e tretë që vij në Festivalin e Salzburgut me Maestro Ricardo Mutti. Hera e parë ka qenë me Requiemin e Verdit, hera e dytë me Requiemin e Berlioz dhe tani me Simfoninë numër 9. Gjithashtu unë kam kënduar shpesh me të në Chicago Symphony, në Filarmoninë e Vjenës, në Muzik Ferrain në Vjenë dhe gjithashtu në Mynih….
Të punosh me një dirigjent të tillë është vërtetë kënaqësi, por edhe përgjegjësi, dhe i vetmi shqetësim i çdo artisti dhe jo vetëm i imi, është që të mos t’i zhgënjesh, për shkak të nivelit të lartë të orkestrës dhe këtij dirigjenti.
E kam kënduar për herë të parë Simfoninë numër 9 me maestro Zubin Metta dhe pastaj e kam kënduar edhe disa herë të tjera me dirigjentë të tjerë. Përgjegjësia kur këndon më njerëz të tillë është e madhe, por gjithmonë kam mbetur me idenë që nga këta njerëz mund të mësosh gjithmonë shumë dhe ndjehem me fat të kem kënduar me ta.
Zoti Pirgu, ju shquheni për një sjellje të natyrshme dhe disi shpërfillëse ndaj emrit dhe famës së merituar ndërkombëtare që keni arritur gjatë karrierës tuaj, ende të shkurtër. Si arrin të jetë kaq spontan, një artist që e sheh emrin e tij në faqet e para të shtypit të specializuar operistik të të gjithë botës?
Nuk do e quaja shpërfillëse, përkundrazi unë i jam mirënjohës publikut në mbarë botën, pasi është publiku ai që e ngre artistin dhe i jep vlerësimin e merituar. Përsa i përket natyrshmërisë, unë jam ai Saimir që kam qenë, mundohem të ruaj brenda meje vlerat e njeriut të thjeshtë, edhe pse siç e thatë edhe ju, fama bën punën e saj. Por për mua artisti mbi të gjitha është njeriu brenda vetes, artisti është koka, ndërsa fama është kapelja, nëse do të shprehesha në mënyrë figurative.
Ju nuk e keni fshehur asnjëherë se vendlindja vazhdon të ushtrojë tërheqje dhe të nxisë vëmendjen tuaj. Si i keni raportet me Shqipërinë?
Mund të them raportet me Shqipërinë i kam të shkëlqyera. Më ndjekin rregullisht publiku vendas dhe ai nëpër botë. Pas dy dekadave jashtë Shqipërisë, shqiptarët që jetojnë në ato vende ku unë këndoj, kanë mundësine të vijnë e të më ndjekin në sallë. Nuk ka kënaqësi më të madhe sesa të kesh në sallë spektatorë shqiptarë, qofshin ata nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, apo gjetkë.
E them me krenari se emri “Albanian tenor`” më ka ndihmuar shumë për t’u identifikuar e për t’u mbajtur mend nga audienca, që nuk mban mend emrin apo nuk di shumë për prejardhjen time.
Sado shabllone që të duket, ka gjithnjë vlerë të dimë opinionin tuaj mbi gjendjen e sotme të artit operistik shqiptar. Sa i informuar jeni në këtë aspekt dhe cili është mendimi juaj për situatën ku ndodhen kolegët e tuaj shqiptarë?
Është një temë tepër e gjatë për t’a shpjeguar në një intervistë. Ajo ç’ka unë do të thoja është se situata në Shqipëri pas viteve të trazicionit dhe gjatë këtyre viteve, ka qenë gjithmonë pothuajse e njëjtë, është bërë ç’ka qenë e mundur me mundësitë që kemi dhe me ato pak liri që jeta shoqërore në Shqipëri të mundëson për artin operistik. Jam shumë kurioz për rihapjen e teatrit të operas dhe baletit që është restauruar pothuajse i tëri. Ishte menduar të rihapej këtë vit, por për shkak të pandemisë kjo nuk qe e mundur. Shpresoj që artistët që u ka munguar teatri këto dy-tre vjet, do të jenë tepër të kënaqur të rikthehen në teatër dhe mbase edhe të rindërtojnë atë që në këto 30 vjet tranzicion është lënë pas dore.
Artistëve shqiptarë në këto 30 vjet tranzicioni, u është dashur të mbijetojnë. Nuk më vjen aspak mirë që kjo gjendje vazhdon edhe në ditët e sotme, ata shpesh janë jo të vlerësuar sa duhet, jo të shpërblyer siç duhet, shumë herë ndjehen të shpërfillur për shkak të asaj pak hapësire që ofron një teatër i vetëm në Shqipëri. E them edhe një herë se është një temë për të cilën mund të flas gjatë dhe do me duhej edhe nje intervistë tjetër për të folur në lidhje me atë se çfarë do të ishte mirë jo vetëm për artin operestik në Shqipëri, por për artin në përgjithësi.
Repertori juaj sa vjen e zgjerohet me role të reja. Cilat kanë qenë rolet më sfiduese deri më sot, dhe cili është një rol dëshironi ta interpretoni, po ende nuk keni mundur ta bëni? Më thatë për shembull që roli i tenorit në pjesën vokale të simfonisë së nëntë të Bethoven-it ishte shumë impenjues
E kam filluar karrierën time shumë herët duke kënduar Bel Canto dhe Mozart në pjesën e parë të jetës sime, dhe mendoj që kam mësuar shumë nga Bel Canto dhe sidomos nga Mozart duke interpretuar rolet më të vështira të atij repertori, e në dekadën e dytë kur kam filluar të këndoj rolet Verdiane apo të verizmit, gjithashtu edhe repertorin francez, jam zgjeruar në një repertor si dramatik, ashtu edhe lirik, duke mbajtur gjithmonë parasysh realizimin dhe perfeksionimin e një roli. Për mua është gjithmonë e rëndësishme të mos kufizohem në një repertor, këto vitet e fundit i jam afruar edhe repertorit të gjuhës gjermane, dhe besoj se në vitet në vijim do të kemi surpriza të tjera, por ajo që më ka dhënë një kënaqësi të veçantë këto dy vitet e fundit, ka qenë repertori francez dhe interpretimet në repertorin rus, me Jolanton e Tchajkovskit edhe Eugene Onegyn, që ishte edhe shfaqja e fundit që unë interpretova në Romë, përpara se të mbyllej gjithçka për shkak të Covid 19.
Përsa i përket Simfonisë numër 9, interpretimi i faqes që këndon tenori është nga me delikatët dhe nga më të vështirët, që nga repertori simfonik, dhe duhet shumë siguri teknike dhe vokale për t’u përballur me këndimin e atyre momenteve që ka simfonia numër 9. Nuk është e lehtë as për sopranon, as për baritonin e as për tenorin të këndojë, edhe ato pak minuta sepse është gjithmonë i zbuluar dhe është gjithmonë në vëzhgim të drejtëpërdrejtë ndaj orkestrës, ndaj dirigjentit dhe ndaj publikut. Pra ështe tepër tepër e veshtirë të ruash qetësinë dhe të këndosh ashtu siç duhet./javanews.al