Mbi një biografi të Napoleon Bonapartit, përkthyer nga Eqerem Gaxholli

Nga Marenglen Kasmi

Diplomati dhe përkthyesi i njohur Eqerem Gaxholli pruri në shqip në vjeshtën e vitit të kaluar një biografi për Napoleon Bonapartin, të shkruar me mjeshtëri nga Dr. Pascale Fautrier, anëtare e Qendrës Kombëtare të Kërkimeve Shkencore në Francë.

Ky botim i radhës, ndër shumë e shumë të tjerë që vazhdojnë ende të botohen në gjithë botën për figurën komplekse dhe gjeniale të Bonapartit, vjen i shkruar në një gjuhë ndryshe, sa të thjeshtë e logjike, aq edhe komplekse në pikëpamje të trajtimit të një figure politiko-ushtarake. Autorja Fautrier ja adreson botimin e saj një lexuesi të sprovuar, me nivel dhe njohës i historisë së Francës së XVIII –XIX dhe Europës si edhe natyrisht jetës dhe veprës së Bonapartit. Po ashtu, një tipar jo i rastësishëm është edhe metodologjia e përzgjedhur. Autorja arrin me sukses të bëjë një ndërthurje ndërmjet studimit biografik dhe romanit historik, ku përshkruhen ngjarje dhe analizohen fakte, duke mundësuar që një vepër studimore të ofrojë njëherazi edhe tërheqjen e të lexuarit letërsi.

Një meritë të veçantë ka edhe përkthyesi Gaxholli, i cili ja ka dalë mbanë ta sjellë këtë libër me një shqipe të pastër, të qartë dhe tepër të kuptueshme, pavarësisht vështirësive që paraqet në vetvete përkthimi i kësaj gjinie.

Autorja ecën në mënyrë kronologjike për të sjellë të plotë jetën e Bonapartit. Por, ajo nuk humbet në detaje të parëndësishme, të cilat shpesh janë edhe problemet që hasim në leximin e biografive. Ajo fokusohet në piketat kryesore të jetës dhe veprimtarisë së personazhit të veprës.

Në qendër të librit qëndron Bonaparti, si njeri. Autorja përshkruan jetën e tij, filluar prej prejardhjes familjare, fëmijërisë, rinisë, jetës private e për të dalë në fillesat e ambicieve të tij politike, pjekja e tij që në moshë të re si një ushtarak e politikan i zoti. Shkurt, autorja arrin të na japë një Bonapart në gjithë dimensionet e tij.

Një veçori tjetër e metodologjisë së ndjekur është e shkruara e saktë dhe gjithë informacion. Për të kuptuar sa më qartë zhvillimet e ngjarjeve, libri i mundëson lexuesit të thellojë njohuritë e tij. Sigurisht që autorja këtë gjë e arrin me sukses, duke kombinuar informacionin kryesor në tekst me poshtëshënimet në faqet e librit si edhe referencat shkencore që jep në të.

Sikurse u prek pak më sipër, një nga shumë sfidat e kësaj biografie, është sjellja e fatit të jashtëzakonshëm tëNapoleon-it në dimensionin e jetës së një njeriu të zakonshëm, me njerëzve të tjerë, familjes e shoqërisë franceze të asokohe. Ndonëse kjo figurë universale e gjenialitetit njerëzor, ose ky “Zot i Luftës”, sikurse e quante Karl von Klausewitz, dështoi në themelimin e një dinastie, ai dominoi politikën modernë që promovonte parimet e Revolucionit Francez, si një dogmë laike e shtetit, sovranitetit kombëtar dhe centralizimit të administratës shtetërore.

Sigurisht që në këndvështrimin e sotëm me një trend demokratik në rritje, përjashtohet fryma diktatoriale bonapartiste, por duke e vendosur në kontekstin e kohës, Napoleoni arriti të tregojë se qëndrueshmëria e një shteti nuk mund të ishte domosdoshmërisht një produkt i vetëm monarkisë absolute dhe privilegjeve të trashëguara të klasës fisnike dhe klerit. Ajo mund të arrihej edhe nën sundimin e ligjeve të tjera, të cilat zënë fill me Napoleonin e u përsosën më tej, siç janë Kodi Penal, Kodi Civil e ai Tregtar, ndërtimi i institucioneve bazike të qeverisjes, drejtësisë etj. Parë në këtë këndvështrim, prof. Mezini shkruan me të drejtë në parathënien e librit se “duke pasur një intuitë të thellë politike, Bonaparti arriti të kuptojë sensin e kohës, domethënë që e ardhmja i përkiste borgjezisë franceze dhe duhej vepruar që të ndërtohej një rend i ri politik e shoqëror që do t’u përgjigjej interesave të saj”.

Në këtë libër lexuesi gjen të trajtuar imtësisht rrugëtimin politik të Napoleonit qysh prej pjekjes së botëkuptimit të tij politik, organizimit të grushtit të shtetit të 9 nëntorit 1799, krijimin e regjimit ë Konsullatës, ku ai ishte Konsull i Parë me të drejta e kompetenca të jashtëzakonshme e deri te shpallja e regjimit perandorak. Sigurisht që i kushtohet rëndësi edhe trajtimit të aftësive të tij si strateg ushtarak dhe fushatave të tij kryesore ushtarake. Si një njohës shumë i mirë i Artit Ushtarak qysh nga lashtësia, ai zgjodhi lëvizshmërinë, pra mobilitetin e trupave gjatë luftimit, shpërndarjen dhe rigrumbullimin e trupave sipas kohës dhe terrenit si edhe koordinimin e forcave të këmbësorisë, kavalerisë dhe artilerisë, duke hequr dorë nga lufta statike që përdorej ende asokohe, për të kaluar kësisoj në skema të reja luftimi që çonin në fitore.

Politika e jashtme e Napoleonit u dominua nga fushatat e shumta ushtarake kundër vendeve të tjera europiane. Në kulmin e pushtetit të tij ai arriti të kishte nën kontrollin e tijthuajse gjithë Europën. Këto fushata ishin shumë të kushtueshme dhe si rrjedhim u shtuan edhe detyrimet që populli francez duhej të paguante për perandorin e tij. Rrjedhimisht, me kalimin e kohës u shtuan edhe zërat kritikë ndaj politikave të tij. Napoleoni e humbi plotësisht mbështetjen e francezëve, kur në kundërshtim me vendimin e këshilltarëve sulmoi Rusinë, ku dështoi plotësisht. Ajo çka ai e kishte menduar si një luftë të shpejtë, do të shndërrohej në një luftë të gjatë dhe të mundimshme për ushtrinë e tij sepse ushtria ruse i largohej betejave duke e detyruar Napoleonin të kalonte në ndjekje. Dimri i egër rus bëri më pas punën e tij. Dështimi në Rusi ishte edhe pika e kthesës. Kohët e lavdishme kishin përfunduar.

Shtetet europiane në aleancë i shkaktuan ushtrisë franceze një humbje të madhe në Betejën e Lajpcigut. Në vitin 1814 ai u internua në ishullin Elba prej nga ai arriti të largohet për tu rikthyer në pushtet për njëqind ditë. Përfundimisht, në betejën e Vaterlosë ushtria e tij humbi përfundimisht dhe në vitin 1815 ai u dërgua në azil në ishullin e largët të Atlantikut, Shën Helenë, ku edhe vdiq në vitin 1821 nga kanceri në stomak.

Në “Memorandumin e Shën Helenës” Napoleoni u mundua të lerë testamentin e tij politik, por edhe të justifikojë veprimet e tij. Pikërisht në këto shkrime konstruktohet Europa federale. Po ashtu, në shkrimet e tij ai tenton të ngrejë sa më lart imazhin e martirit, çka nuk do të vihej në dyshim nga liberalët e periudhës së restauracionit, që erdhën pas tij. Napoleoni e modernizoi Europën, e centralizoi atë dhe po ashtu racinonalizoi politikën. Një meritë e pamohueshme e tij është edhe hapja që Europa do të bënte në shekullin e XX për proceset ndërkombëtare.

Fautrier shkruan se të sjellësh në fatin e jashtëzakonshëm të Napoleonit “në dimensionin e jetës së një njeriu të zakonshëm është sfida e këtij libri”. Dhe e ka përmbushur më së miri këtë sfidë.