Mbi varrin e babit…

georgios vizyinos

Poezi nga Georgios Vizyinos

Zgjohu baba! se po agon,
qielli nis e skuqet,
mbarë toka sterrë nis flakëron.
Çoju dhe ti tek zbardhëllon dhe të dëgjojmë gushkuqet.

Tok me mamanë në këtë orë
më vinit ju tek dhoma,
më flisje m’ atë zë gazmor.
Dhe binte zilja si këmborë. Po ti si fle akoma?

Çfarë ëndrre po shikon tani
në errësirë të ndritur.
Fjete, kur unë isha kërthi,
dhe pa kuptuar qysh e si, shiko sa jam, i rritur!

Zgjohu dhe shih, e rrudhur, plakë,
e gjora nënë e mjerë!
dhe gjyshe e shkretë ng’ ai merak,
u tret, u shua dhe u mpak… dhe iku, për ngaherë!

Baba, tregoma atë fshat
të t’vdekurve nën tokë
se do të nisem një mesnatë,
dy lule për atë të ngratë, të çoj t’’ja vë mbi kokë!

Më thonë se qënka natë e zezë,
skëterrë, pis, errësirë,
por unë qiririn do t’i ndez,
që të ndriçojë porsi mëngjez, tek gjyshja ime e mirë!

Mban mend? Më puthe ti mjekrosh,
një ditë duke lodruar
më the – sa vite do kalosh,
të rritesh krahë, të fluturosh, të bëhesh burrë i shquar.

Ja pra babush! U rrita, trim!
Shikomë, oh sa do doja,
u bëra burrë, porse jetim!!
Më thanë një ditë me psherëtimë, rrugës që po kaloja.

-Jetimi i gjorë, ja tek po shkon!
– O Zot, si ngjau hataja!
– Tre vjeç e la i ziu gjiton!
– Ndaj ngjan si zog që diç kërkon?! Eh, ta gëzojë mamaja!

Më thuaj babë, vallë në agim,
tym’ i livanit tonë,
që ndez mamaja në vajtim,
aromë e tij a të mbërrin? Të ngroh, të ngushëllon?

Dhe darkave kur vi me vrap
të ndez kandilën, vallë
e ndjen që eshte i imi çap?
Çohu baba! të dua prapë, gjithmonë të pres me mall!

Kur më thërrisje që të fle
në prehër t’ adhuruar.
– Pa eja shpejt se po të le.-
Unë fluturoja gjër në re, tek ti për t’u qëtuar.

Tani baba, ndën atë tokë
të hidhur dhe te huaj,
në kthinëzën e ftohtë, ke shokë,
natën e gjatë e ditën tok, a ngrohesh dot, ma thuaj….

A do të të përgjigjem vetë?
Askënd, ditë apo natë!
Por unë do vi një çast të shkretë,
në gjirin tënd të flë përjetë, të ndihesh ngrohtë, im atë.

Shqipëruar nga Arqile Garo

ObserverKult

Lexo edhe:

RIZA BRAHOLLI: NJË PREJ “LIRIKAVE TË MËKATIT”