“Mbijetesa dhe Shkolla” mori çmimin e parë në “International Ferfestival”

Filmi dokumentar “Mbijetesa dhe Shkolla” mori çmimin e parë të jurisë profesionale të edicionit të nëntë të “International Ferifestival 2021”, që përfundoi mbrëmë në Ferizaj.

Producenti dhe skenaristi i filmit Nuhi Bytyçi, duke e marrë këtë çmim në emër të ekipit realizues të tij, fillimisht falënderoi jurinë dhe drejtorin artistik të këtij festivali Sabri Pajazitin për vlerësimin e përkushtimit profesional në realizimin e tij dhe njëherësh shprehu bindjen se tashmë po vlerësohet edhe puna dhe qëllimi i filmit “Mbijetesa dhe shkolla”.

Qëllimi im si skenarist dhe producent i tij, i regjisorit Ilir Kabashit, drejtorit të fotografisë Bekim Qyqalla dhe i kameramanit të imazheve të periudhës së luftës Abaz Zeka, padyshim ka qenë që të prezantojmë luftën e popullit shqiptar për dije, shkollim edhe në rrethana lufte, i sakrificës së tij për liri, pavarësi dhe civilizim evropian, theksoi Nuhi Bytyçi. Ai falënderoi kolegët e tij për punën dhe bashkëpunimin në realizimin e filmit.

Për filmin dokumentar “Mbijetesa dhe Shkolla” ky është çmimi i 10 deri tani.

Dokumentari “Mbijetesa dhe Shkolla” është financuar nga QKK- Qendra Kinematografike e Kosovës, është mbështetur edhe nga Komuna e Prishtinës, kurse është realizuar nga Kompania filmike “IDEA” në bashkëpunim me produkcionin “negativFILM”./rtklive

LEXO EDHE: “Mbijetesa dhe shkolla” shpallet filmi më i mirë në Festivalin “Hyjnesha në fron”