Mbretëria e ëndrrave e Ndue Ukajt

Tregimet e Ndue Ukajt i ofrohen lexuesit në një shumësi modelesh zhanrore dhe shtresimesh diskursive.

Nga Anton Berishaj

Tipin e parë e përfaqëson zhanri i tregimit ‘mitik’/parabolik (tregimet Ëndrra e perandorit, Pasqyra e një gjenerali, Shpërfillja e një udhëheqësi), tek i cili bota e mundshme fiktive modelohet në një in illo tempore (“… njëherë e një kohë…”), respektivisht ku personazhet dhe kronotopi janë vendosur në një temporalietet mitik/universal dhe, po ashtu, në një hapësirë të papërcaktuar/universale. Që këndej buron densiteti simbolik dhe modaliteti i prodhimit parabolik të kuptimeve, të cilët e përbëjnë dimensionin themelor të këtyre tregimeve.

Në tregimet e Ukajt situatat narrative përkthehen në figura (ngjashëm si te Kafka), por kësaj i mbivendoset shtresa e diskursit abstrakt/eseistik, që i shndërrojnë ato në modele diskursi simbolik/alegorik. Kjo shihet edhe te njerëzit e novelave të tij: ata nuk emërtohen rastësisht si perandori, gjenerali, udhëheqësi etj., si funksione të abstraktuara nga plotnia e jetës/ekzistencës njerëzore. (Gȕnther Anders)

Përkundër faktit se tregimet e Ukajt modelohen shpesh brenda kornizave të zhanrit të tregimit mitik/parabolik, me një diskurs abstrakt dhe universalizues, ato arrijnë ta vendosin korrespondencën strukturore edhe me “realitetin” historik e aktual shqiptar (dhe përtej) – posaçërisht me përvojën politike e kulturore totalitare, d.m.th. me botën e lexuesit. Po kjo vlen edhe për tregimet ese të tij (Lufta, Mbretëria e ëndrrave…)

Motivi i tregimeve/novelave të tij përqendrohet te një çast i rëndësishëm/vendimtar i personazheve dhe kuptimit të jetës së tyre – ai moment shpesh shfaqet si një “njohje” epifanike xhojsiane që e definon edhe vetë kompozicionin e tregimeve. Kjo ka për pasojë edhe dramatizimin e narracionit, si tipar zhanror i tregimit të shkurtër, respektivisht përqendrimin te një pikë kthese – peripetia e kulminacioni – në botën e personazhit. Por pika kulminante e novelave të Ukajt gati gjithmonë lidhet me dramën shpirtërore të personazheve – qofshin ata diktatorë (figura të pushtetit dhe fuqisë), apo edhe artistë (Anton Shkëmbi – poet te novela Një letër pa paralajmërim, fëmija te tregimi Kalendar festash, Gjon Barleti – arkitekt te novela Pak para se të binte nata etj.) – drama e të cilëve zhvillohet në një dimension tjetër – pikërisht në përballje me pushtetin/autoritarizmin, censurën, mungesën e lirisë… Për më tepër, drama e brendshme e personazheve të këtyre novelave zhvillohet gati gjithnjë në sfondin e dramës kozmike të ndeshjes së dritës dhe territ/errësirës, e cila projektohet në situatat konkrete narrative. Kështu fuqizohet më tej dimensioni simbolik dhe etika universale e diskursit letrar të Ukajt.

Më anë tjetër, shtresimet diskursive lirike e onirike e përcaktojnë jo vetëm teksturën, por edhe universin semantik të këtyre novelave.

Do të mund të pajtoheshim (posaçërisht në kontekstin e tregimeve të Ukajt) me qëndrimet e Paul Ricoeur, i cili e konsideronte veprën artistike si një analogon të onirikes, respektivisht se gjithë dramaticiteti e ëndrrës përgjithësohet në dimensionet e poetikës universale, aq më shumë këtë mund ta konsiderojmë të saktë në relacion me tregimet/novelat e Ukajt. Ëndrra këtu shfaqet herë si strukturë onirike e tregimit si tërësi (tregimi Zhdukja e një imazhi), herë si një kategori arkitipike e lirisë, gjithnjë e parë në relacion dhe si e kundërta e autoritarizmit/despotisë së pushtetit:

“Udhëheqësit do të lumturoheshin pafund sikur njerëzit të mos shihnin ëndrra fare ose së paku ato të ishin të arsyeshme, përbrenda litarit të pushtetit, atyre grilave të pavërejtura që janë ndonjëherë më të këqija se grilat e burgut”. (Mbretëria e ëndrrave), sepse “të gjithë frikësohen nga ëndrrat”, respektivisht “ëndrrat janë të mallkuara, vrastare, sepse ta gërryejnë pushtetin…” (Ëndrra e perandorit) Ëndrrat janë të gjithëpranishme: “Pikërisht për këtë arsye mund të thuhej se planeti Tokë kishte më shumë ëndrra sesa njerëz, më shumë ëndrra sesa hapësirë, më shumë ëndrra sesa mundësi, meqë në secilin njeri kishte një mori ëndrrash dhe miliona të tilla që ngjizeshin sa herë çelte një mëngjes i bardhë”. (Mbretëria e ëndrrave)

Nëse për psikanalizën e Freudit ëndrra ishte një portë mbretërore për tek e pavetëdijshmja, pra në mbretërinë e lirisë, e tillë është letërsia për Ukajn. Po, në anën tjetër, nëse për Jungun ëndrra ishte një “rrugë” drejt pakufishmërisë simbolike dhe imagjinariumit arkitipik – e tillë është letërsia për Ukajn. Këtë e dëshmojnë edhe këto tregime/novela që po ia propozon lexuesit të tij. Natyrisht, duke këmbëngulur në një etikë diskursive e letrare në qendër të së cilës është liria. Liria si agape dhe kreacion./ ObserverKult