Më pëlqejnë njerëzit besnikë, këmbëngulës, me kritere, me karakter…

Më pëlqejnë njerëzit e përhedhur, të cilët nuk ke pse t’i shtysh, të cilëve nuk ke pse t’u thuash të bëjnë gjëra, sepse dinë çfarë duhet bërë dhe e bëjnë.

Nga Mario Benedeti

Më pëlqejnë njerëzit që i venë në jetë ëndrrat e tyre, derisa ato ëndrra bëhen realitet. Njerëzit që janë të aftë të marrin përsipër pasojat e veprimeve të tyre, njerëzit që rrezikojnë sigurinë për të pasigurtën, duke shkuar pas një ëndrre, të cilët i kapërcejnë këshillat e arsyeshme, se zgjidhjet duhet t’i lësh në duart e Zotit.


Më pëlqejnë njerëzit që janë të drejtë me të tjerët dhe me vetveten, njerëzit që e çmojnë ditën e re dhe gjërat e mira që ekzistojnë në jetë, njerëzit që çdo orë jetojnë me qëllime të mira duke bërë më të mirën e tyre, që lumturohen se janë gjallë, se mund të dhurojnë buzëqeshje, se mund të ndihmojnë dikë bujarisht, pa pritur asgjë si shpërblim.
Më pëlqejnë njerëzit që janë të zotë të më kritikojnë në mënyrë të dobishme, ballë për ballë, pa më fyer dhe lënduar.

Njerëzit e kujdesshëm dhe të matur.
Më pëlqejnë njerëzit që kanë ndjenjën e drejtësisë.
Këta unë i quaj miqtë e mi.
Më pëlqejnë njerëzit që e dinë rëndësinë e gëzimit, që e rrezatojnë dhe e përhapin atë. Njerëzit, të cilët, përmes humorit, na mësojnë ta konceptojmë jetën të hareshme.
Njerëz që nuk pushojnë kurrë së qeni fëmijë.
Më pëlqejnë njerëzit që ta ngjitin energjinë e tyre.

Më pëlqejnë njerëzit e sinqertë dhe të çiltër, të aftë të kundërshtojnë me argumente të arsyeshme gabimet e kujtdo.
Më pëlqejnë njerëzit besnikë dhe këmbëngulës, të cilët nuk prapsen, për të vënë në jetë qëllimet dhe idetë e tyre.
Më pëlqejnë njerëzit me kritere, që nuk u vjen turp të pranojnë se kanë gabuar ose që nuk dinë diçka. Njerëzit që pranojnë gabimet dhe përpiqen vërtet të mos i përsëritin ato.
Njerëzit të cilët luftojnë kundër të keqes.

Më pëlqejnë njerëzit që kërkojnë zgjidhjen e problemeve.
Më pëlqejnë njerëzit që mendojnë dhe meditojnë brenda tyre. Njerëzit që vlerësojnë të tjerët jo për shkak të një stereotipi shoqëror dhe as si duken ata. Njerëzit që nuk paragjykojnë dhe as i lënë të tjerët të paragjykojnë.
Më pëlqejnë njerëzit që kanë personalitet.
Më pëlqejnë njerëzit që janë të aftë të kuptojnë se gabimi më i madh i qenies njerëzore është të përpiqesh të heqësh nga mendja atë që nuk e nxjerr dot nga zemra.

Ndjeshmëria, guximi, solidariteti, mirësia, respekti, qetësia, vlerat, gëzimi, thjeshtësia, besimi, lumturia, takti, shpresa, mirënjohja, mençuria, ëndrrat, pendimi dhe dashuria për të tjerët dhe vetveten janë gjëra themelore për t’u quajtur NJERI.
Me njerëz të tillë, jam gati të rrezikoj gjithçka, për pjesën tjetër të jetës sime, sepse duke qenë me ta, unë e konsideroj veten të shpërblyer mirë.


Përktheu: Erion Karabolli

ObserverKult

——————————

Lexo edhe:

“FERMA E KAFSHËVE” E ORWELLIT, JA PSE MBETET AKTUALE