Me shfaqjen për Ukshin Hotin, teatri “Hadi Shehu” i Gjakovës përmbylli sezonën

Nga Blerim Valla

“Bëje ose vdis”, është një shfaqje ku politika mbart peshën parësore. E kjo mbase vjen si një përvojë estetike dhe dramaturgjike pasi në përgjithësi, në teatrin bashkëkohor në Europë dhe në botë, por edhe në Kosovë tashmë, ka dy mënyra për të përshtatur një teatër politik. E para, e cila është e përhapur këto kohë, është teatri dokumentar, kur regjisori dhe aktorët i referohen direkt situatës politike. Ka shumë performanca të tilla. Kur aktorët dhe regjisori tregojnë direkt se kush është kush , psh kush ishte veprimtari i njohur i çështjes kombëtare Ukshin Hoti.

Përndryshe drama “Bëje ose vdis” është një shfaqje dokumentare por edhe një homazh artistik për politikanin, intelektualin dhe profesorin e njohur shqiptar Ukshin Hoti, ish i burgosur politik në burgjet jugosllave e serbe. Ai ishte burgosur disa herë, në vitin 1981 për herë të parë, e së fundmi në vitin 1994. Zyrtarisht ngelet njëri nga mbi 1,500 të zhdukurit e luftës, kufomat të cilëve akoma nuk jan gjetur. Ukshin Hoti sot është kthyer në një simbol që sublimon fatin tragjik të atyre dhjetëra mijëra të burgosurve politik shqiptar, të vrarë e të torturuar burgjeve jugosllave e serbe.

Është shfaqje ku edhe lirimi i të burgosurve shqiptar nga regjimi serbo-malazez në atë kohë shihej si një burg i dytë apo edhe një rrezik potencial për zhdukjen – vrasjet e tyre misterioze. Dhe krejt kjo transmetohet me plot mjeshtri dhe plot ndjenja në shfaqjen “Bëje ose vdis” me regji të Blerta Nezirajt, me tekst të Jeton Nezirajt , si premierë e fundi e vitit nga Teatri “Hadi Shehu” i Gjakovës, me të cilën shfaqje kjo trup e njohur teatrore rikthen Ukshin Hotin si personazh të dramës dokumentare.
Ekspozita në hyrje të teatrit të Gjakovës ka qenë uvertura e shfaqjes, ku një instalacion inreresant me emrat e të zhdukurve të shkruar në letra që qëndrojnë pezull është simbolika e shfaqjes. “Bëje ose vdis”.

Ndërsa që në fillim të kësaj shfaqjeje publikun disi mpihet nga një atmosferë hipnotizuese ku aktori i njohur Jahja Shehu në një anë të skenës, përgjatë gjithë shfaqjes lexon emrat e rreth 12 mijë të burgosurve politikë nga Kosova, që është pjesa më e trishtë e shfaqjes, kurse në qendër të skenës rrëfehet tregimi i veprimtarit Bajrush Xhemajlit, për ish shokun e tij të dhomës në burg, Ukshin Hotin, kuptohet krahas edhe rrëfimeve të ish të burgosurve të tjerë politikë.

Në shfaqjen “Bëje ose vdis” fati i intelektualit sikurse i Ukshin Hotit vjen si homazh për të gjithë të burgosurit por edhe për të zhdukurit shqiptar, duke u fokusuar veçmas në figurën e Ukshin Hotit si simbol i fatit tragjik i të burgosurve politikë shqiptarë.

Pjesë e kësaj shafqjeje ishin aktorët Jahja Shehu, Ernest Malazogu, Edi Kastrati, Armend Smajli, Albulena Kryeziu Bokshi dhe Altina Kusari.
Shumë nga rolet e aktorëve në kptë shfaqje janë një lloj alter ego, kështu aktorja Albulena Kryeziu-Bokshi pasi fillimisht paraqitet në skenë si e burgosur, merr edhe rolin e gjyqtares serbe. I shqipton me shumicë dënimet të burgosurve shqiptar për “veprimtari armiqësore”. Gardiania e burgut, rol që e luan aktorja Altina Kusari, e cila njëherë është mizore ndj të burgosurve pastaj e josh me kërkesën që Ukshin Hoti të bëj kërkesë ta lirojnë nga burgu një ditë para se të përfundonte dënimin e tij!

Aktori Ernest Malazogu që luan rolin e ish-të burgosuri politik Bajrush Xhemajli që ndante një dhomë me Ukshin Hotin, i rikrijon paara publikut shumë nga ato skena makabre dhe të rënda nga burgjet jugosllave e që shfaqen vazhdimisht gjatë shfaqjes , bashkë me aktoren Albulena Kryeziu-Bokshi, fillimisht kjo si e burgusor politike.

Dhe krejt këto vijnë në këtë shfaqje ku nuk ka shumë efekte mizanskenike, ku muzika është minimaliste sikurse edhe kostumografia është e thjeshtë por funksionale me ambientin ku zhvillohet ngjarja e shfaqjes – në burg. Ky ishte edhe qëllimi i regjisores që gjatë shfaqjes të krijohet diçka faktike, dokumentuese, pa tendencë për viktimizimin e të burgosurve apo heroizimin e tyre romantiko-patriotik!

Ideja e regjisores Blerta Neziraj qartë vërehet se ishte në shkrirjen e aktorëve në personazhe, siq u tha më herët me rolet e aktorëve Albulena Kryeziu – Bokshit, pastaj të Ernest Malazogut , e në veçanti me rolet e aktorëve Armend Smajli, E. Malazogut, e të Edi Kastratit, tre nga aktorët që e luajnë, Ukshin Hotin.

Mbase vetë ndarja e rolit në tre aktorë tregon për një përgjegjësi të madhe aktoreske dhe njerëzore prej e tyre për ta portretizuar figurën e Hotit, pasi vet zhanri i shfaqjes është shfaqje dokumentare. Është lloj homazhi për fatin e Ukshin Hotit.


Autori i shfaqjes, dramaturgu Jeton Neziraj, pas shfaqjes ka deklaruar se “Bëje ose vdis është dramë dokumentare, bazën e ka te dokumenti. Ndoshta rreth 80 për qind e materialit është mbi këtë bazë dokumentare, qoftë shkrime të Ukshin Hotit, qoftë intervista a rrëfime të tjerëve për të. Por kemi marrë edhe copëza, analiza, diskutime, shkrime diskuzive në formate të ndryshme dhe nga burime të ndryshme.

Kjo dramë nëpërmjet fatit të Ukshin Hotit i bën homazh gjithë atij brezi të veprimtarëve. Është e rëndësishme që historia të ruhet dhe të komunikohet me publikun, që mos të përsëritet. Kjo është një histori që patjetër duhet ta ruajmë dhe duhet të jetë në komunikim të vazhdueshëm me brezat e rinj sepse paraqet vlerë historike dhe artistike. Për faktin se , brezi i ri ndoshta pak ka ide dhe nuk ka informata për këtë pjesë të rëndësishme të historisë sonë, jo vetëm për periudhën e viteve ’90, por thjesht edhe për atë të mëhershme ku një numër i madh i atdhetarëve, intelektualëve kanë sakrifikuar dhe kanë dhënë shumëçka për vendin për të arritur ku është sot. Është një brez i idealistëve të cilët shpesh janë anatemuar e paragjykuar, megjithatë, kontributi i tyre është i pazëvendësueshëm”, ka thënë Neziraj.


Veprimtari i Lëvizjes Kombëtare, Ukshin Hoti, u lind më 17 qershor të vitit 1943 në fshatin Krushë të Madhe të Rahovecit. Ishte profesor, shkrimtar, filozof, intelektual, atdhetar dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare gjatë viteve 1981-1999. Hoti ka qenë edhe ligjërues në disa universitete të SHBA-së, ku dhe kishte studiuar dhe diplomuar. Për aktivitetin e tij atdhetar ishte arrestuar disa herë nga regjimi serb i Titos dhe i Milosheviqit. Për herë të fundit ishte arrestuar në vitin 1994 nga policia serbe me akuzën e ushtrimit të veprimtarisë armiqësore kundër Jugosllavisë dhe për pjesëmarrjen e tij në Lëvizjen për Republikën e Kosovës, me ç’rast ishte dënuar me 5 vjet burgim. Sipas biografisë së tij, më 16 maj të vitit 1999, pas lirimit dhe pas daljes nga qelia e Burgut të Dubravës, zhduket nga polica serbe pa lënë gjurmë. Prej asaj kohe e deri tash, veprimtari i madh i çështjes kombëtare shqiptare, Ukshin Hoti, edhe sot e kësaj dite konsiderohet i zhdukur si njëri nga mbi 1,500 të zhdukurit e luftës.

ObserverKult


Lexo edhe:

BLERIM VALLA: PSE U HARRUA KAQ SHPEJT ALI PODRIMJA?