“Meeting of Styles” synon ta pushtojë sërish Prishtinën me murale

Muret e rrethrrotullimit nga Prishtina për në Fushë-Kosovë pritet të mbulohen nga grafitet e reja që do të realizohen në edicionin e katërt të “Meeting of Styles – Kosovo”, festival ndërkombëtar i gafiteve që organizohet në vende të ndryshme të botës. Në javën e fundit të muajit gusht të këtij vitit, planifikohet të bëhen tok në kryeqytet artistë grafitesh nga të katër anët e botës që të pikturojnë në muret publike, të cilat do të jenë imazhe të edicionit më të ri të “International Meeting Of Styles” (MOS).

Mbi dyqind artistë tashmë janë interesuar që të jenë pjesë e kësaj ngjarjeje që pritet të mbahet prej 28 deri më 30 gusht 2020. “Vizioni për të ardhmen”, është tema e edicionit të sivjetmë.

Agon Xhelili nga organizata “Qendra për Zhvillimin e Artit”, e cila është partner në organizimin e kësaj ngjarjeje, ka thënë se falë masave lehtësuese, ka mundësi që edicioni i katërt i “Meeting…” të mbahet sipas planifikimeve.

“Në shkurt të këtij viti ne jemi përcaktuar për datat e mbajtjes së edicionit më të ri. Në fund të muajit gusht do ta organizojmë këtë ngjarje, që do të ketë dhjetëra artistë të grafiteve. Do ta trajtojmë lokacionin e rrethrrotullimit në hyrje të kryeqytetit nga Fushë-Kosova. Aty para pak kohësh i kemi ngjyrosur dy grafite në muret mbajtëse të urës ku qarkullojnë veturat. Këtë edicion ajo hapësirë do të mbulohet nga diversiteti i grafiteve dhe do ta shndërrojmë për qytetarët në një mrekulli tjetër”, ka thënë ai./koha