Mehmet Elezi: Dikush i paftuar në ditëlindje

mehmet elezi
Mehmet Elezi

Nga Mehmet Elezi

Dy vjet pasi mbaroi lufta fillova punë në Gjakovë, në një shoqëri sigurimesh me qendër në Tiranë. Ende nuk qeshë njohur me tërë kolegët, kur gjej mbi tryezë një ftesë.

Një shok i zyrës – s’e kisha takuar, thanë është me pushime – paskesh pesëvjetorin e djalit.

Rastësi e këndshme, festa do të bëhej bash në hotelin ku rrija ato ditë, ndërsa kërkoja një banesë private më të lirë. U bëftë 100 vjeç, thashë, duke parë nga kolegia e zyrës.

Ajo çoi vetullën përpjetë. Perdja e trishtë, që i rrëzohej fytyrës, u dridh nga një erë e fshehtë. Burri i saj është një nga qindra të zhdukurit e qytetit gjatë luftës.

Sapo më kishin kallëzuar emrin e tij afër hotel Pashtrikut, në një mur që kishin ngritur qytetarët me emrat e të humburve, çdo tullë një emër. Gruaja vinte në punë veshur me do ngjyra të përhimta, të ftohta akull.

Çfarë mund të çoj si dhuratë, i thashë, më shumë për të dalë nga ajo heshtje gati e përzishme. Ajo u step. Qiti shaminë dhe doli me kryet ulur, duke tërhequr derën pas. Dona, dëgjova një zë femëror diku nga fundi i mesores, ku ishin tualetet. Dona i thërrisnin shkurt. E quanin Liridona.

Njeriu është përherë i varfër në parashikime. Kur drejtori i personelit më kërkoi mendim me punue në degën e Gjakovës, çka nuk çova nëpër mend. Larg nga Tirana, dymbëdhjetë orë rraka-zhdak nëpër gurë e gropa, Rruga e Kombit nuk qe në planet e qeverisë së atëhershme.

Jeta e beqarit, bëj një orë me hekurosë një palë pantallona dhe prapë më dalin me dy viza. Dimri i ashpër. 

Ana tjetër më ngrohte. Do të punoja në Kosovë, në Kosovën e çliruar. E kishim parë vetëm nëpër ëndrra.

Nuk paskesha llogaritur diçka të rëndësishme. Kosova është lehonë, ka lindur me prerje cesariane. Ka lindur një gjeni, Lirinë.

Shtati i saj mbushur me varrë e varre. Mund t’i gëzohesh pa fund, por nuk mund të festosh duke u përqafuar e shkrirë me të.

Ditëlindje fëmije në hotel, përsiatja në dhomë, shtrirë me fytyrë nga qiellzana.   Në tërë atë sallë, që përdoret për dasma. Ju kuptoj, gjatë luftës u vranë edhe foshnja, djalin tuaj e ruajti Zoti. Sonte mbush pesë vjet. Njëqind e pesë u bëfsh, bukurosh. Dhe mos pafsh keq kurrë.

Hm, mund të ndodhë mos me pa keq në njëqind e pesë vjet? Gjithsesi disa drama që trandin shoq e popujt, çka dëshiron. Gjithsesi d pia2 et, tjetri Bajramin; ëritë e popujt, mund të shmangen.

Europa mund t’i ndalë, jemi në mijëvjeçarin e tretë. Bosnja qe mësim. Kosova qe mësim. Po Lufta e Dytë nuk qe mësim? Blej një kostum popullor për djalin, më tha ime shoqe në telefon. Me siguri kostume kanë me i çue edhe të tjerë, moj grua.

Ti bëj tënden, e di si? Merrja më të madh, djali rritet me orë, ta ketë kur të bëhet shtatë-tetë vjeç, qoftë edhe dhjetë. Mirë, po i them dikujt me m’i kallëzue shitoret. Zgjidhja të bukur, në Gjakovë e në Prizren janë mjeshtër për këto punë.

Jo vetëm për këto punë, thashë, duke këqyrur nga dritarja e ballkonit, përmes degëve të një jargavani. Një oborr i madh zbriste butazi kodrinës përkundrejt.

Dy-tre hektarë vend. Rrethuar me mure të bardha, zbukuruar me hekura të përdredhur. Pemë të sapombjella. Katër shtëpi të reja kapur dorë për dorë formonin këndet e një katrori.

E pesta, pak më larg, qe shkretim. Rrenuar e nxirë prej flakëve, vetëm gurët kishin mbetur, s’kish vënë kush dorë në të. “Janë të katër vllazënve.

Ua kalli shkau, por qe, për nji vit i mbaruen prapë. I banë ma të bukura, kanë ma shumë dritë e hijeshi”. Po ajo njëkatëshja, pse është lënë ashtu? “Tash i vjen rendi edhe asaj.

Ka qenë për barin e gjasë e për dimnishtat. Të parës ia shtinë zjarrin asaj, bari i thatë kallet si barut”.

Gjithandej shtëpi flakë të reja, mbi të djegurat. A thua i prunë paluar nëpër çanta si pizhamat, kur mbaroi lufta? Njerëzit ktheheshin, vetëm ktheheshin.

Me vetura, me traktorë, me avionë, në këmbë. Edhe në shpinë, të vegjëlit e të pamundurit. Liria. Kthehemi në Dheun tonë. Pamjet dridhnin ekranet e botës.

Në dyert që kishin shpëtuar pa u djegur shkruhej minirana kuća, shtëpi e minuar. Nuk tuteshin, është mashtrim.

Sa është ora? Sipas ftesës, duhen edhe katërdhjetë minuta me fillue darka. Po zbres te holli. Më mirë lëviz, tako dikë, se rri e trashu në dhomë. Të dua shumë, por tash s’kam kohë për ty, i thashë romanit të hapur mbi komodinë. Mario Vargas Llosa, Festa e Cjapit.

Të ftuarit kishin nisë me ardhë. Kuvendonin në grupe të vogla, dy-tre ose katër vetë. Burrat me kostum e kravatë, a thua pas gjithë atyre që hoqën i vlerësojnë më shumë gëzimet e jetës? Ja ku mbërrin edhe Dona. Para kohe, si me porosi.

Veshur me të njëjtat ngjyra, më pëlqen me i quejtë të ftohta.

Për ironi, i shkojnë shumë, me gjasë disa gra dhimbja i zbukuron më fort. Apo asaj i shkon çdo lloj veshjeje?

Sytë e zinj, me ëmbëlsi të rrallë, më kujtojnë sytë e Bekim Fehmiut te filmi Uliksi, variant femëror i tyre (desh e pyeta kur erdha, mos je ndonjë mbesë e artistit të madh?).

Bukur e mbushur, por i ka hije. Dona i lëshon një sy hollit, çelet kur më sheh. Ma kthen buzëqeshjen në mënyrë të përmbajtur, plot sharm.

Grua e sojshme, e ndien se kemi ardhur për gëzim, në këso rastesh ndo eja ndo mos eja, ç’kusur kanë të tjerët me i bombardue tërë kohën me fatkeqësinë tënde.

Më prek në bërryl me majat e gishtave, afrohu pak.

– Ti s’e di.

Sytë e mi ngulen në sytë e saj pushtues e të trishtë.

– Të tërë lëvizim me nga një gur të rëndë në parzëm.

Hapet dera e jashtme, dhjetë-dymbëdhjetë fëmijë turren brenda si gulsh ere. Afërsisht të një moshe, pesë a gjashtëvjeçarë, shoqëria e kopshtit të djalit?

Djemtë me kostum e kollare, si burra të mëdhenj. Mundohem me gjetë cili është i zoti i gazmendit, ai që do të nusërojë sonte. Dona e kupton dhe bën një lëvizje të prerë dore, jo. I është rrëzuar ai buzëgazi me dritë, që përcjell valët e një energjie turbulluese.

Dritës në fytyrën e saj i ndodh si flokëzave, atyre luleve të egra me thekë në formë topthi, pak me u fry, thekët shpërndahen në ajër. Sa i zdritin sytë, vjen një re e përhime dhe e hijon. Ke arsye Dona.

– Një shoku tonë të punës iu hap një plagë, nuk ia mbyll gjë në botë. Veç kur ta mbulojë dheu.

– Lufta?

– Lufta. 

I ndodhi në shtëpi. Kish qëlluar vetëm e ëma e moshuar me djalin e vogël, tre vjeç. Domethënë gjyshja me nipin tre vjeç.  Goditje shkallmuese në kat të parë, thyhet dera me rrapëllimë. Hapa të trenuar, zëra të çartur.

Paraushtarakët serbë, milicia mbase. I vogli trembet. Sh-sh-t, thotë nanagjyshja, po vijnë dajat, bëjmë sikur nuk jemi në shtëpi, a po dinë me na gjetë.

Ti fshihu këtu, në ballkon. Qe, pas vazos së madhe me luleshqiponjë. Aty nuk të shohin. Të mbulon lulja. Paloju shpejt, shpejt. Ashtu, hë, mos luaj.

Del, përpiqet me i pështjellue dajat. Me i ngatërrue, që të mos e gjejnë djalin. Dajat mbarojnë punë me gruan, fët e fët. Ka njeri tjetër këtu?, thotë një vështrim i përgjakur. Nuk paska. Del në ballkon. Bajonetën nëpër fletët e lules.

Djali merohet, i thërret gjyshes. Bajoneta zbardhëllon. Bajoneta ndërron ngjyrë. Bëhet e kuqe.

Dona kapërdihet. Sytë e lëngët i rrëmbushen.

Djali ishte tre vjeç. Aty u ndal, nuk mbërrini me u ba një ditë më shumë. Megjithatë, sonte. Sonte na kanë thirrur prindët e tij. E ka pesëvjetorin. Do t’i festojmë çdo ditëlindje, thonë. Edhe dhjetëvjetorin, edhe njëzetvjetorin, edhe.

Ajri çahet nga një klithmë gruaje. Vjen nga fundi i sallës. Ujë, ujë, pak akull! Doktorin shpejt! Një burrë vrapon te recepsioni, i bien syzet nga xhepi, për pak i shkel. Alo, urgjenca? Gruan që humbi ndjenjat e shtrijnë në një kënd.

Një burrë ndonja katërdhjetë vjeç se ç’bisedon me dy të rinj, të tjerë përreth dëgjojnë. I prerë edhe ai, fytyra e terur, dru. I thashë atij shoqëruesit mos e ço, pëshpërit recepsionisti. Është shpejt, plaga e ngrohtë, fort e thellë. Çfarë i the mos me çue? Për atë i thashë. E sheh atë burrin e gjatë, po flet me dy djem?

Ai është i ati, domethënë babai i djalit, që sot do të mbushte pesë vjet. Recepsionisti thotë më fal, i përgjigjet dikujt për diçka, kthehet prapë nga unë.

Dy të tjerët, që po kuvendojnë me burrin e gjatë, njëri është serb, fle këtu, në kat me ty, s’të ka rënë në sy? Serb ai?! Po, serb. Shkrimtar a poet, diçka kësisoj.

Ka ardhur, e kanë ftuar në një konkurs poezie, më duket. Recepsionisti shqipton një tjetër më fal dhe i përgjigjet dikujt në telefon. Po pastaj? Pastaj, qe. Ky poeti serb merr vesh për ditëlindjen dhe pakujtimas thotë a mund të marr pjesë.

E dëgjove të ëmën e djalit? Sa ia thanë, i ra të fikët. I shoqi tha jemi shqiptarë, te ne nuk ndodh mos me ia hapë derën dikujt, nëse troket si mik.

ObserverKult


mehmet elezi

Lexo edhe:

MEHMET ELEZI: MËSHTEKNA E BEOGRADIT

Poezi nga Mehmet Elezi

Në pjesën e pasme të Hotelit Metropol
Shoh nga dritarja një mështekën sybardhë
Ka veshur fustanin e një vajze të vogël
E dridhet.

Ç’stinë është tashti?
Përballë parlamentit, te sheshi Republika
Shiten kalendarë me fytyrën e Karaxhiçit.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult