Mehmet Elezi: Mështekna e Beogradit

mehmet elezi
Mehmet Elezi

Poezi nga Mehmet Elezi

Në pjesën e pasme të Hotelit Metropol
Shoh nga dritarja një mështekën sybardhë
Ka veshur fustanin e një vajze të vogël
E dridhet.

Ç’stinë është tashti?
Përballë parlamentit, te sheshi Republika
Shiten kalendarë me fytyrën e Karaxhiçit.

Tej Tuna madhështore, Danubi, dergjet shtrirë në vig
E kanë parë të shndërruar në bollë, kah përbiron zgafellave të nëndheut
Kah lyp vend ku me i prehë trupat e fëmijëve të vrarë në Kosovë
Ia patën lëshuar në prehër prej kamionëve të mbyllur
Nëpër terr.

Shtrausi ka bërë be se Danubi është blu
Varr dot nuk bëhet
Varret dot s’i fsheh.

Ka tre vjet a treqind vjet që resh e fijat borë mbi këtë qytet me shtatore të
lagura knjazësh
Prej saj është zbardhur vetëm këmbëmarrja
Marramendshëm lëkundet gjithçka: mitet e shpirtrat, ngjyrat e gjumi,
vajzat e zërat e largët

I dehur s’është Beogradi
Thjesht e ka zënë gjaku.

Për t’u çliruar prej zënies së gjakut
Vrasësit zhveshin një teshë duke ikur, skaj rrugës e flakin.
Ç’këmishë duhet me zhveshë, ende pyet mesjetën
Kjo ditë prilli
E Beogradit.

(nga përmbledhja me poezi “Ulurimë ujku”, Tiranë, 2010)

ObserverKult

————————–