“Mehmet Shehun e ekzekutoi Enver Hoxha”/ Dëshmia e ish-përkthyesit: Diktatori s’i donte kokat e rënda, trembej nga influenca në rritje e kryeministrit

Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu

 “Mehmet Shehu nuk u vetëflijua, por e vrau Enveri”. Denoncimi për një likuidim të mistershëm të kryeministrit nga kreu i regjimit Hoxha përbën një nga momentet e bujshme të dëshmive të përkthyesit të arratisur në shtator 87, për shtypin perëndimor.

Bulka, duke përshkruar me detaje debatet e rivalitetet në kreun e lidershipit komunist, sjell për median e huaj versionin e tij për ngjarjet dramatike në Tiranën e fillimviteve ’80.

Një terror mafioz mbizotëron sot në Shqipëri, për hir të strukturave të vendosura nga Enver Hoxha në periudhën e pushtetit gjakatar dyzetvjeçar, artikulon përkthyesi i arratisur, duke shtuar se, për t’i shpëtuar një regjimi të tillë, të rinjtë përballojnë dhe vdekjen në kufi ose përpjekje të pamundshme me not në ujërat e Jonit, ose ndërmarrjet e dëshpëruara si ajo e vëllezërve Popaj, të cilët prej muajsh ndodhen në Ambasadën italiane në Tiranë, të rrethuar nga policia shqiptare.

Më poshtë po zbardhim pjesët që aparaçikët e KQ kanë koleksionuar nga deklaratat e Bulkës në shtypin e huaj për situatën në Shqipëri.

******

Gazeta “La Stampa”, e datës 12 nëntor 1987, boton një shkrim të korrespondentit të saj në Athinë, Minas Minassian, me titull: “Kështu e vrau Hoxha Shehun”, me nëntitull: “Ishte bërë jashtë mode- “Policia mban të rrethuar Ambasadën e Italisë që mban mysafirë vëllezërit Popaj”! dhe mbititull: “I arratisuri Ilir Bulka bën akuza të reja ndaj ish-udhëheqësit shqiptar”. Mehmet Shehu u likuidua me iniciativën e Enver Hoxhës, që pati filluar të trembej nga influenca e tij në rritje.

Diktatori shqiptar nuk i donte kokat e rënda dhe kryeministri i tij, edhe pse i rritur në shkollën e padronit, me kalimin e kohës demonstronte një inteligjence jashtë mode.

Teza është e Ilir Bulkës, 38 vjeç, përkthyes i Komitetit Olimpik Shqiptar, i cili më shumë se një muaj me parë, ndërsa shoqëronte skuadrën e Shkodrës në një takim të Kupës së Kupave në Maltë, kërkoi strehim politik, duke kaluar transit nga Athina. “Hoxha ishte i shqetësuar nga ngritja e Shehut”, tha dje, në vijim të intervistës dhënë shtypit, ish-funksionari shqiptar, i cili precizoi se i përkiste një familjeje të “udhëheqjes” komuniste.

Shehu konsiderohej tashmë, edhe në arenën ndërkombëtare, si pasues i Hoxhës në udhëheqjen e vendit. Mbi fundin e papritur të kryeministrit, për të cilin thuhet sikur vrau veten më 1981, nuk u dhanë hollësi të veçanta, por pak më vonë filloi të qarkullonte një histori në ambientet e partisë në Tiranë.

“Kur Hoxha vendosi ta hiqte qafe, tregon Bulka, me parë mendoi që ta komprometonte në sytë e anëtareve të tjerë të Byrosë Politike shqiptare, duke e detyruar djalin e Shehut të fejohej me vajzën e një profesori të Universitetit të Tiranës, i klasifikuar si kundërshtar i regjimit.

Mbas kësaj u mblodh një plenum i Partisë, në vijim të të cilit besnikët e Hoxhës bënë një sërë kritikash të mëdha mbi drejtimin e politikës ekonomike të qeverisë”. Mehmet Shehu bëri autokritikë, por kjo i dukej e pamjaftueshme diktatorit.

“Duhet të bësh një tjetër, akoma më të thellë”, duket se i ka thënë kryeministrit Shehu, i cili pasi bëri një tjetër, iu drejtua Hoxhës duke i kërkuar nëse ishte i kënaqur.

Përgjigjes negative të Hoxhës Shehu duhet t’i jetë përgjigjur i irrituar: “Shumë mirë, shiko, nesër do të bëj një më të mirë”. Hoxha, duke e njohur rritjen simpatike në publik të bashkëbiseduesit të tij, u frikësua shumë.

“Merre me gjak të ftohtë, i tha atëherë, me një ton pajtues, hajde të pimë një kafe e të diskutojmë së bashku”. Asnjë në Tiranë nuk e di se çfarë ka ndodhur në atë dhomë, nëse ishte vetë Hoxha apo ndonjë pasues i tij që qëlloi mbi kryeministrin, por u bë e ditur se Shehun e vranë dy plumba, gjë e pamundur në një vetëvrasje.

“Është pikërisht kjo atmosferë e terrorit mafioz që mbizotëron deri më sot në vend, për hir të strukturave të vendosura nga Enver Hoxha në periudhën e pushtetit absolut e gjakatar dyzetvjeçar, thotë i arratisuri Bulka”, duke shtuar se, për t’i shpëtuar një regjimi të tillë, të rinjtë shqiptarë përballojnë dhe vdekjen në kufi ose përpjekje të pamundshme me not në ujërat e detit Jon, ose ndërmarrjet e dëshpëruara si ajo e vëllezërve Popaj, të cilët prej muajsh të tërë ndodhen në Ambasadën italiane në Tiranë, të rrethuar ditë e natë nga policia shqiptare.

Rreth Popajve, Bulka tha se autoritetet shqiptare kanë kërkuar disa herë dorëzimin e refugjatëve, por Ambasada italiane gjithnjë ka refuzuar.

La Republica”, e datës 12 nëntor 1987, boton shkrimin “Hoxha vret bashkëpunëtorët e vet”, duke iu referuar dëshmive të Ilir Bulkës, që pretendonte se kishte qenë bashkëpunëtor i Hoxhës dhe përkthyes i materialeve që i servireshin atij nga shtypi perëndimor.

“Corriere della Sera”, e datës 12 nëntor 1987, në një shkrim me dëshmitë e Bulkës të titulluar “Vesi i keq i Hoxhës”, bashkë me pohimet e përkthyesit të arratisur në Greqi për orientimin seksual të Hoxhës, denoncon mekanizmin vrastar të tij ndaj njerëzve të pafajshëm dhe bashkëpunëtorëve.

Shtypi grek

Gazeta “Vradhini”, më 10 nëntor 1987, boton shkrimin me titul1: “Braktisa Shqipërinë për të marrë frymë lirisht…”, tha përkthyesi i Enver Hoxhës. “Erdha në Greqi për të marrë frymë lirisht. Po. Isha përkthyesi personal i Enver Hoxhës dhe di hollësira të rëndësishme për jetën dhe pasionin e tij!

Kam jetuar tronditjen që krijohej në mekanizmin e Partisë kur ndodhnin arratisje jashtë shtetit. Shtypen të drejtat e njeriut, ka internime, burgosje, rënie të ekonomisë, censurë, devijime morale. Katalogu është i gjatë!”

Plan 10-vjeçar

“Kisha 10 vjet që planifikoja të ikja, por nuk gjeja rastin. Thashë të pres sa të vdesë Hoxha e të shoh se mos ndryshon situata, por e pashë se nuk ekziston as edhe një fije lirie.

Ekonomia është në gjendje shumë të keqe. Në treg mungojnë të gjitha. Në janar – vjet – pashë se nuk ka asnjë shpresë dhe mora vendimin që të arratisem. Dhe plotëson: “Punoja në Agjencinë e Lajmeve, ATSH. Përktheja telegramet e agjencive të huaja dhe tekste që i dedikoheshin personalisht Enver Hoxhës.

Gazeta “Akropolis”, e datës 14 nëntor 1987, boton shkrimin “Të arratisurit shqiptarë, zotërinjtë – A. Hoxha, L. Bërsheni dhe Ilir Bulka: “Jemi të lirë për herë të parë në jetën tonë.

Është sikur të kemi dalë nga burgu. Preferojmë më mirë të vrasim veten sesa të kthehemi mbrapsht. Ju lutemi të na jepni strehim politik në Greqi”.

Shënimi i Maliles: Shkrime thellësisht armiqësore

I njohur me shkrimet e shtypit grek e italian kundër Enver Hoxhës, Reiz Malile, ish-kreu i diplomacisë shqiptare, orientonte strukturat e Ministrisë së Jashtme për mënyrën e reagimit zyrtar ndaj autoriteteve të Romës e Athinës që kishin lejuar botimin e tyre. “Lidhur me shkrimet thellësisht armiqësore, i shkruante Malile ambasadorit shqiptar në Itali në 17 nëntor ‘87, protestoni në rrugë institucionale që situata të tilla të mos përsëriten”.

Sakaq, ministri i Punëve të Jashtme që ishte tronditur nga dëshmitë e bujshme të Bulkës për figurën e padronit të tij, rezervohej të komunikonte për këtë çështje me Ministrinë e Jashtme të Athinës, duke menduar ta konsumonte protestën në takimin me homologun Papulas, që ato ditë pritej të vizitonte Tiranën.

Njëherazi me këto shënime të kreut të diplomacisë shqiptare, dosja “Për deklaratat armiqësore të Ilir Bulkës”, përmban edhe përgjigjen e ftohtë “nuk mund të ndërhyjmë, shtypi është i lirë”, që me sa duket nuk i ka kënaqur autoritetet e Tiranës.

Pjesa më delikate e kësaj historie mbetej komunikimi me opinionin e brendshëm, pasi sharjet “thellësisht armiqësore të shtypit të huaj”, në çfarëdo forme të përcilleshin tek ai, nuk mund ta fshihnin faktin domethënës.

Ilir Bulka, ish-përkthyesi i ATSH-së, që u arratis në ’87, kontaktoi me familjarët në vitin ’93. Të parën takoi motrën që mbërriti në SHBA pas shumë peripecive. Pastaj të tjerët. Ribashkimi, kur kishin shtatë vite që s’dinin gjë për fatin e njëri-tjetrit, ishte një ngjarje tronditëse.

Kur i kthehet këtij momenti dramatik, Pranvera, motra e Bulkës, shqipton një shprehje që aty për aty të duket konfuze. “Ka qenë, por edhe nuk ka qenë plotësisht kështu”, thotë ajo, duke saktësuar detajet e panjohura të kontakteve të humbura. Sipas saj, në terr ka qenë vetëm Iliri, pasi familjarët qysh nga viti ‘89 e ndiqnin çdo mbrëmje te ‘Zëri i Amerikës’.

Aty mësuan për herë të parë se kishte shpëtuar gjallë dhe më në fund kishte realizuar ëndrrën për të denoncuar Enverin si diktator e vrasës. Sidoqoftë, për të mbërritur deri këtu, nuk kishte qenë e lehtë.

Pranvera që e njeh mirë kalvarin e vuajtjeve të vëllait në këtë aventurë të rrezikshme, kujton me emocion mesazhin dhe dhuratën e parë që kanë marrë prej tij kur kishte rënë regjimi i Hoxhës.

“Në kulmin e zhvillimeve të vrullshme të fillimviteve ’90, shprehet ajo, Iliri na dërgoi nga SHBA për dhuratë një kopje të biblës në shqip me mbishkrimin ‘Njerëzve të mi të dashur që nuk i harrova kurrë’, bashkë me telegramin ku na njoftonte se ishte mirë dhe do të kthehej shpejt”.

Pjesa tjetër e rrëfimit të Pranverës zbulon rrethanat e arratisë së përkthyesit rebel dhe rolin e mikut të tij Medi Bushati në këtë sipërmarrje të rrezikshme, pohimet për autoritetet greke në këmbim të azilit politik dhe odisenë e shtegtimit deri në SHBA, raportet e para të Ilirit te “Zëri i Amerikës” dhe rikthimin e zhgënjyer në Tiranë…

Ku punonte Iliri kur u arratis?

Në vitin 1980, Iliri iku nga ATSH-ja dhe për disa kohë u sistemua në Ndërmarrjen Makina-Import. Më vonë shkoi në Komitetin Olimpik të Sporteve.

Aty e aktivizonin herë pas here me shoqërimin e turistëve të huaj. Kontaktet me ta e bënë më rebel e të papërmbajtur. Filloi të fliste hapur, të shante vend e pa vend, të anatemonte figurat e regjimit. Ky lloj reagimi nisi të bjerë në sy të njerëzve të Sigurimit. U fut në listën e të dyshuarve si kontingjent i armikut të klasës.

Kjo na alarmoi si familje. U alarmuan sakaq edhe shokët. E këshilloi babai, nëna, vëllai. E thirri i tronditur Medi Bushati dhe i shprehu rrezikun që i kanosej. Iliri e dëgjonte, por nuk fliste…

Çfarë i tha Medi Bushati kur e mori vesh se ndiqej nga Sigurimi?

Fjalë për fjalë nuk më kujtohet, por mbaj mend mesazhin e bisedës. Mediu i shfaqi bindjen se me ato që kishte bërë, e kishte mbushur kupën dhe pritej nga momenti në moment kundërpërgjigjja e shtetit.

Pyetjes së Ilirit “Ç’mund të bëj?”, ai iu përgjigj me një kundërthënie të çuditshme, që në thelb nënkuptonte arratinë, si mundësi e vetme për t’i shpëtuar burgut…

Pra, Bushati i vuri në vesh idenë e arratisë…

Për mua, ajo bisedë atë kuptim kishte. Më shumë se aq, as vëllai nuk të tregonte. Atëherë gjëra të tilla ishin me risk të jashtëzakonshëm…

Me kaq u mjaftua Bushati…

Çfarë ndodhi pas atij takimi në marrëdhëniet e tyre, nuk e mësova ndonjëherë. Nga ky moment e deri sa u arratis, Iliri u mbyll në vetvete dhe e kishte bezdi ta pyesje.

Një mbrëmje, sa u kthye në shtëpi, na tha se do të dilte me shërbim jashtë shtetit. “Ç’thua?”, e pyeta me habi. “Po, po”, ia bëri ai me një lloj sigurie.

Sakaq iu sulëm me një lumë pyetjesh: “Ku do të shkosh?” “Me kë?”, “Kush të propozoi?”, “Kur do të udhëtoni” etj. “Mediu më në fund ia bëri fora”, reagoi Iliri dhe aty për aty na shpjegoi se me ndërhyrjen e tij në cilësinë e kryetarit të Komitetit Olimpik të Sporteve ishte caktuar si përkthyes i ekipit të Vllaznisë, që ato ditë do të udhëtonte në Maltë. Ishte ky një lajm i pazakontë që e kishte lumturuar, si atë fëmijën që prek ëndrrën e paparashikuar…

I gëzohej faktit që do të dilte jashtë shtetit apo shansit për t’u arratisur?

Ato ditë kur përgatiste dokumentet për të dalë jashtë shtetit, nuk shprehu gjë, por mënyra si sillej, të linte të kuptoje idenë e vendimit që kishte marrë. Diçka më shumë arritëm të kuptojmë në momentin kur e përcollëm…

Kur u njohët me lajmin se Iliri kishte kërkuar strehim politik?

Gati dy-tri ditë më pas. Lajmi i keq, thonë, të gjen shpejt. Në fakt ishte diçka që e prisnim. Deri diku ishim përgatitur edhe për pasojat. Megjithatë, prindërit, sidomos mamaja, e përjetoi shumë keq…

Po shokët, të njohurit, si e përjetuan lajmin për arratinë e Ilirit?

Kishte ndër ta, sidomos nga radhët e kolegëve të punës, që e cilësuan tradhti. Nuk kuptohej nëse e kishin me shpirt apo për vetëmbrojtje. Disa syresh shkonin edhe më tej në gjykimin e tyre për aventurën e Ilirit. “E nisëm për antenën, thoshin, duke iu referuar rolit të tij si përkthyes i Vllaznisë, por na doli zhurmues”. Kishte madje nga ata që e akuzonin se kishte marrë lekët e sportistëve dhe ishte zhdukur pa lënë gjurmë…

Ndërkaq, juve ju internuan…

Reagimi ndaj nesh nuk ishte i menjëhershëm. Fillimisht, përveç disa kufizimeve politike në lagje, nuk bëhej fjalë për internim. Për ne u kujtuan vetëm kur mbërritën në Tiranë lajmet mbi dëshmitë e Ilirit për regjimin dhe Enverin në shtypin e huaj.

Sa u njoh me to Nexhmija, urdhëroi të na nxirrnin brenda natës nga Tirana. Fjalën e saj nuk e vinte njeri në diskutim. Kështu mbërritëm në Dumre vetëm pas pak orëve, ndërkohë që ende nuk kishte dalë vendimi i Komitetit për Internim-dëbimet, që kryesohej nga Manush Myftiu…

Si e ndiqnit fatin e Ilirit kur ishit të internuar në Dumre?

Për muaj e vite me radhë nuk patëm asnjë kontakt me të. Dinim që kishte qëndruar në Greqi dhe vetëm kaq. Dikush na thoshte se jetonte në një kamp refugjatësh në afërsi të Athinës.

Aty nga pranvera e ’89-s, një komshie na tregoi se e kishte dëgjuar te “Zëri i Amerikës”. Kjo na tronditi e na gëzoi njëherazi. Provuam disa ditë me një transitor të prishur për të gjetur në fshehtësi “Zërin e Amerikës”.

Më në fund ia dëgjuam zërin. Ishte po ai Iliri ynë që e kishte ëndërr të fliste te “Zëri…”. Që këtej çdo mbrëmje çmalleshim me të. Kështu, deri në vitin 1993 kur u ribashkuam, pas asaj ndarjeje dramatike…

Si e kujtoni kontaktin e parë me Ilirin?

Kontakti i parë ka qenë diçka befasuese. Në kulmin e zhvillimeve të vrullshme të Tiranës së fillimviteve ‘90, Iliri na dërgoi nga SHBA telegramin e parë.

Një mëngjes vere trokitën në portën e shtëpisë tre djem të rinj veshur me kostum e kollare dhe, pasi u bindën për saktësinë e adresës, na dhanë dhuratën e tij: një kopje të biblës në shqip, me mbishkrimin “Njerëzve të mi të dashur që nuk i harrova kurrë”, bashkë me telegramin ku na njoftonte se ishte mirë dhe do të kthehej shpejt. U munduam ato çaste të mësonim prej tyre diçka më tepër për fatin e Ilirit, por ata nuk dinin gjë.

Me sa morëm vesh më vonë, tre mysafirët e atij mëngjesi kishin qenë misionarë të kishës dhe në rastin tonë transmetonin thjesht një porosi të një mikut të tyre nga Nju Jorku. Ky ishte pak a shumë kontakti i parë…

Pra, bibla ishte dhurata e parë që ju dërgoi nga SHBA

Një dhuratë domethënëse gjithsesi. Së pari, si një përkthim autentik i Ilirit. Së dyti, si kopja e parë e biblës në shqip që futej rishtas në Shqipëri.

Kur u bashkuam në SHBA, më thoshte se përkthimi i saj dhe raportet për Shqipërinë që kishte përgatitur te “Zëri i Amerikës”, ishin pjesa më e bukur e punës së tij aty.

Kur u takuat në SHBA, vazhdonte Iliri te “Zëri i Amerikës”?

Unë shkova në SHBA në vitin 1993. Iliri në atë kohë sapo kishte ikur nga “Zëri i Amerikës”. Arsyet m’i kishte shpjeguar më herët Elez Biberaj kur e takova në Tiranë. Me sa më sqaroi edhe vetë, shkak ishte bërë gjendja shëndetësore. Në fakt, në gjendje jo të mirë e gjeta edhe unë. Pas largimit nga “Zëri i Amerikës” kishte gjetur strehë në një fondacion fetar. Aty merrej me përkthime. Jetonte në vetmi, në kushte tepër modeste.

I kishte rënë optimizmi i parë dhe ndihej i braktisur. Mënyra si sillej të linte përshtypjen se kishte kaluar një depresion të thellë, që e kishte drobitur nga energjitë.

Nisur nga kjo gjendje, iu luta të ktheheshim në Shqipëri. Fillimisht nuk pranoi, por dikur u bind. Aty nga vjeshta e ’96 mbërritëm në Tiranë. U përmirësua nga shëndeti, por asnjëherë nuk e mori veten plotësisht. Në prillin e 2002 ndërroi jetë në moshë të re…

Gjatë kohës që ishit bashkë, biseduat ndonjëherë për akuzat që kishte hedhur në shtypin perëndimor për Enverin?

E keni fjalën për akuzat që ka bërë nga Greqia për Enverin. Ia kam kujtuar shpesh, madje me këmbëngulje. Ia kujtonin sakaq shokët e afërt, të cilët deri diku nuk i kishin besuar.

I vënë përballë tyre, Iliri ndihej keq. Ai shprehej se akuzat ishin nxjerrë nga dëshmitë që kishte dhënë për autoritetet greke kur kishte paraqitur kërkesën për strehim politik.

Këto të fundit pasi dëgjonin rrëfimin e tij për gjendjen në Shqipëri, i sillnin një letër në greqisht dhe ai e firmoste. Iliri pohonte se pjesa më e madhe e atyre që ishin konsumuar në shtypin e huaj për Enverin, më shumë kishin qenë sajesa të intervistuesve.

Ai pranonte se kishte denoncuar regjimin, represionin e policisë sekrete, izolimin, mjerimin e njerëzve të thjeshtë, salltanetet e bllokmenëve.

Ato që denoncoi për një kohë të gjatë edhe te “Zëri i Amerikës” në vitet ’89-’90…/Gazeta Panorama

ObserverKult


Lexo edhe:

DAN FANTE: RREGULLI I HAMAMTË

Poezi nga Dan Fante

Punёt dhe mbarёsitё
fitohen dhe humben
kёshtu e ka kjo vaki

fёmijёt rriten
duke kopjuar gabimet qё ua kanё treguar tё tjerёt
kёshtu e ka kjo vaki

Hajvanat udhёheqin kombet
bёjnё kampanjё dhe prapё rizgjedhen
kёshtu e ka kjo vaki

budallallёku reciklohet
sikur helm i homogjenizuar gjarpёri
kёshtu e ka kjo vaki

Pasuritё e mёdha
fitohen dhe shpejt avullohen
kёshtu e ka kjo vaki

Historia pёrsёrit vetveten
sё pari vjen si tragjedi pastaj si farsё
kёshtu e ka kjo vaki

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult