Eja pranë meje, nuk jam zjarr…

Alberto Moravia

Poezi nga Menelaos Ludemis

Eja pranë meje, nuk jam zjarr.
Zjarret i shuajnë lumenjtë.
I mbytin shtrëngatat.
I ndjekin thëllimet.

Nuk jam pra, nuk jam zjarr.
Eja pranë meje, s’ jam erë e marrë.
Erërave ua presin vrullin malet.
I shurdhojnë bulçimat.
I përfshijnë përmbytjet.
Nuk jam pra, nuk jam erë.

Eja pranë meje. As oqeani s’jam.
Oqeanet i zaptojnë Tritonët.
I zbutin zefirët.
I çmendin sirenat. Jo!
Nuk jam oqean.

Eja pranë meje. Nuk jam as liman.
Nuk të premtoj një det pa dallgë.
As ekuinokset ëmbëltare,
dhe ngrohtësitë alkionide.
Nuk jam liman.

Unë… nuk jam…
Veç se një shtegëtar i lodhur.
Një rrugëtar nga udha i dërrmuar.
Që u mbështet në rrënjën e ullirit
për të dëgjuar këngën e bulkthave.

Dhe po deshe…
Eja t’ i vëmë veshin bashkë.

Shqipëroi: Arqile Garo

*Titulli i origjinalit: “Ftesë erotike”

——————————————————————-

LEXO EDHE: LEFTERIS HAPSIADHIS: HABER I MALLKUAR…

Mbërriti haber i mallkuar,
tek rrinim në kafene
dhe me duart kryqëzuar,
thamë: o Zot, ç’ na gjeti ne?!…

Vdekj’ e pabesë, e pafytyrë,
si na e bëre k’të mënxyrë?!
More nga shoqëria jonë,
djaloshin më të mirë.

Dolëm rrugës të shushatur,
shpirt vrerosur dhe nxiranë,
pse një rregull s’duhet mbajtur,
që të rinjtë mos shkojnë matanë?!

Shqipëroi: Arqile Garo

—————————————————————

LEXO EDHE: DO VAJTOJNË PËR MUA VETËM PRINDËRIT PLEQ…

Nga: Kostas Uranis

Do vdes një pasdite të largët funebër vjeshtore
në kthinën time të ftohtë, siç rrojta, në vetmi,
në grahmën e fundme do dëgjoj pikat e shiut
dhe zhurmën e shurdhët të rrugës, si tani.

Do vdes një pasdite të largët funebër vjeshtore
në mobilje të botës mes librave tek rri,
do më gjejnë në krevat. Do të vijë policia
e do përcillem si njeri pa famë e histori.

Nga miqtë, ata që loznim letra here pas here,
do pyesë ndonjëri: “Mor, e patë gjë Arqilenë,
ka ditë që ka humbur”. E tjetri do gjegjet
kartën duke hedhur: “Pardje e varrosëm halenë!”…

POEZINË E PLOTË MUND TA LEXONI KËTU