Mërgim Bekteshi: Procesi i Jozef K.-së, i pashmangshëm edhe pas gati një shekulli

Kafka - përgjigj
Franz Kafka


Nga Mërgim Bekteshi

Ndoshta Maks Brod theu një premtim individual ndaj Franc Kafkës, mikut të tij, kur arriti t’ia botonte dorëshkrimet, por letërsia do të madhështohej me një ngjarje që do të tërheqë vëmendjen e botës artistike.

Amanetet janë e veçanta e domosdoshme për të dërguar në vend porositë e atyre që janë në prag të ndarjes fizike. Këto porosi në formë të testamentit apo në formën verbale sikur janë më të rëndësishme për disa popuj, sidomos në Ballkan.

Por, Maks duket se pati guximin të merrte “mallkimin” mbi supet e tij dhe arriti të bëjë një veprim që sa dukej i shkujdesur dhe jo besnik ndaj mikut te tij, Kafkës, lexuesve të ardhshëm për gati një shekull do t’u dhuronte një ndër pasuritë me të mëdha letrare.

Theu premtimin dhe vendosi të botonte dorëshkrimet e tij që u bënë inspirim jo vetëm për shkrimtarët pas tij, por, në tërë globin, për procese shoqërore që do të ndikohen nga personifikimi me personazhet e tij.

Kafka, si studiues i së drejtës, përmes letërsisë shpërfaqi alegorinë, metaforën, simbolikën, në relacion me kategoritë e tjera shoqërore, duke mos përjashtuar institutet e formuara që kishin për bazë krijimin e rendit juridik dhe shoqëror. Defektet e shpërfaqura shoqërore që nga celula (familja) e deri te nomenklatura e organizimit më të madh që quhet shtet, ishin në syrin objektiv dhe subjektiv të tij.

Ai, pareshtur, vazhdon duke matur zhvillimet e sistemit me plot të meta, që torturonte popullin, por edhe vetë familjen, që më vonë do të merrte trajtat e antisemitizmit. “Procesi”, botim i vitit 2005 nga “Botimet Koha”, me përkthim të Gjergj Vlashit, është roman që akoma lexohet dhe analizohet e mendohet për figurën e personazhit Jozef K.

Franc Kafka, shkencën e së drejtës në roman e portretizon përmes personazhit Jozef K., si “shkenca misterioze” (f.54), që përmes veprimeve juridike dhe hetimeve të imta, paraqet rezultatet e vendimeve që do të sillnin injorancë, mediokritet, përbuzje të vullnetshme të shtetit, arrogancën e burokracisë që vazhdon të pengojë lirinë dhe të drejtat e njeriut.

Në shqip ky roman vjen me dhjetë kapituj, secila ndarje është skenë e veçantë, filluar dhe mbaruar me kryepersonazhin Jozef K., nëpunës i një banke, që privohet nga liria brenda banesës, arsyet pse i ndodh kjo nuk i dinë as vartësit e zbatimit të urdhrit, pastaj as “ata” që nuk kanë lidhje as me hetimet e deri në ekzekutimin e tij në kapitullin dhjetë.

Duke njohur strukturën analitike të shkencës juridike, Kafka i qaset në mënyrë profesionale kësaj katrahure ku has në dorën e mediokritetit dhe përpjekjes së neveritshme të pushtetit për të krijuar rend dhe siguri mbi kurrizin e të dëmtuarve.

Këtë strukturë të atëhershme të fillimit të shekullit XX, njohësit e shumtë e ndërlidhin me luftërat, si ajo e Luftës së Parë Botërore, pastaj revolucionet, por në ngarendjen e saj, kjo dukuri e persekutimit vazhdon edhe në ditët e sotme, pra personazhi Jozef K., gjendet kudo, kur e drejta për jetë dhe një gjykim të drejtë mbrohet edhe me Konventat ndërkombëtare, por ai akoma sfilitet si i tillë.

Kafka thotë se “Gjyqi josh fajin” (f.38), ashtu sikurse edhe subjekti i tij, faji është kauza për t’i vënë jetëgjatësi procesit. Nuk është domosdoshmërisht që kjo kauzë të shëmbëllejë të vërtetën, ajo duhet të raportohet e varur nga statistika për luftimin e krimit, çdokush që nxitet të triumfojë përballë aparatit shtetëror, duhet të bëhet subjekt i hetimit, si ai që shkruan një varg poetik apo bën një pikturë në kundërshtim me normat dhe shfaqë pakënaqësinë shoqërore, si ai që vret personin tjetër apo dëmton pronën publike apo private, procesi është në pritje.

Jozef K., në fillim duket se është si subjektivitet që shpërfill “procesin”, por kapitujt në vijim e shpërfaqin se ai fillon të ndiejë frikë dhe përgjegjësi edhe për fajin që nuk e kishte bërë. Ky torturim vazhdon të gëlltisë sinqeritetin e personazhit, ta bëjë më të dobët, më pak të përmbajtur për të “shijuar” sa ditët e procesit po aq edhe jetën erotike.

Shkrimtari Vintili Horia, në një libër të tij, thotë se “Revolucionet dhe luftërat poshtëruan njeriun duke e kthyer atë nën hijen e kërcënimeve dhe vrasjeve”. Ky sistem i paakorduar me normat njerëzore, therorizon të pafajshmen, ngrit njëtrajtshëm klasat shoqërore drejt rebelimeve.

Në gjithë këtë rrugëtim, Jozef K., do të jetë i apostrofuar si i dyshuar, në një rrugëtim që vë në dijeni të gjithë të pranishmit e tjerë në roman, por i paarritshëm për prezantimin e provave që të bindë sistemin e deformuar për pafajësi. Kjo mund të duket si e rëndomtë për periudhën mesjetare, të dëshmosh para inkuizicionit duke nxjerr, me metodat primitive, të vërtetën e detyrimit.

Por, ngjarja ndodh në fillim të shekullit XX, kur mendohej se njerëzimi kishte kaluar fazën e testimeve. Edhe në këtë proces, mundësia për të dëshmuar me provat materiale duket e mjegullt, duke u nisur që nga objekti ku mbahet gjykimi, që ngjan me një objekt banimi, shkresurinat e gjyqtarit që gjenden në dhomën e një çifti martesor dhe vetë gjyqtari po në atë dhomë duke analizuar lëndën, të gjitha duken të mjegullta sikur vetë procesi i mjegulluar.

Nga një fushë e madhe, hapësira e Jozef K., fillon të ngushtohet në një fushë të vogël, nevoja për rrëfim dhe lutje bëhen të logjikshme edhe brenda katedrales, një tregim nga prifti për burrin nga fshati dhe rojën që ruante para objektit të ligjit, bëhet metaforë që e anatemon subjektin.

Tani burri nga fshati dhe ligji janë materie të ndara, është roja në mes tyre, pa një vetëdije, por i gatshëm për zbatimin e mutacionit gjenetikë-ligje. Këtë shëmti të hetimit, personazhi i Kafkës e nuhat me lehtësi kur thotë: ”Gënjeshtra kthehet në normë universale” (f.179). Ajo që deri dje mund të ishte e ndaluar, për një natë bëhet e ligjshme, një gënjeshtër e sajuar mirë bëhet model dhe po ky model merr koka njeriu.

Shkrimtarë, studiues të fushave të ndryshme janë mahnitur me artin dhe qasjen që Kafka e bëri përmes veprave letrare, që bartin kuptimin rrënjësor të sistemit tonë shoqëror. Një model i tillë ishte inspirim për shumë shkrimtarë si G. Markez, I. Kadare, G. Aliu e të tjerë.

Shëndeti i tij i dobët bëri që shumë vepra të tij të mbesin të papërfunduara, por, sido që të jetë, merita e Maks Brodit ishte shembull i një artdashësi të madh, i cili po prezantonte një gjeni të letërsisë. Edhe pse gati një shekull që nga botimi i parë i “Procesit”, personazhin e tij e gjejmë çdo ditë në salla të gjyqeve dhe në shumë vende ku sanksioni për privim nga jeta është edhe pa aktvendim.

ObserverKult

Franz Kafka

Lexo edhe:

MËRGIM BEKTESHI: LEHTËSIA DHE E PADURUESHMJA TE KUNDERA

MËRGIM BEKTESHI: “KRONIKË NË GUR” DHE NOBELI I NGURTË

MËRGIM BEKTESHI: ZAHIRI DHE PERSONIFIKIMI I TIJ

MËRGIM BEKTESHI: DO TË KUJTONIN VETËM LAVDINË…

MËRGIM BEKTESHI: MATERIA E ZEZË NË TRAJTËN POETIKE