“Mërkuna e zezë”, një roman që kërkon lexues të veçantë

Recension për librin “Mërkuna e zezë” të Agron Tufës

Nga Sinan Berisha

Të shprehesh me një stil që të bën të mendohesh dy herë, nuk është e lehtë, sepse sigurisht që do të kesh kritika dhe mendime të ndryshme nga njerëz të ndryshëm. Pikërisht këtë gjë e ka bërë Agron Tufa me romanin e tij Mërkuna e zezë, duke e çuar kështu lexuesin në mitologji. Ndonëse rrjedha e ngjarjeve të romanit krijohet në kohët e sotme,  duhet mjeshtri për ta lidhur atë ngjarje me ngjarje të tjera të famshme, qofshin ato reale ose fiktive. E këtë mjeshtri e zotëron Agron Tufa.

Tema e romanit Mërkuna e zezë është mbyllja e mendjes së njeriut ndaj ngjarjeve që ndodhin para syve të tij. Ngjarje këto që, përveçse të bëjnë ta jetosh të kaluarën, ato madje nuk të lejojnë të ikësh drejt së ardhmes. Mitologjia dhe krijimet e saj janë gjërat që ia humbin kohën dhe jetën personazhit kryesor, Gurit. Sado që mundohet t’i mbijetojë këtij kaosi, prapë mitologjia e bën atë të veten. Magjitë dhe namatisjet e përcjellin lexuesin gjatë gjithë romanit. Frika që është gjithmonë e pranishme dhe shtjellimi i ngjarjeve në mënyrë të përsosur kronologjike, nuk e lënë lexuesin që ta braktisë leximin, derisa t’i shkojë në fund.

Urrejtja do të jetë ngulitur thellë në zemrat e grave të kandundit Ivranaj, i cili ndonëse është vend imagjinar, do të duket sikur vërtet ekziston. Dhe të ngreh kah vetja, të bën kurioz.

Motivi erotik do të jetë aty, gati për ta përcjellë lexuesin, prej fillimit deri në fund. Të rriturit do të jenë bashkë me të miturit dhe ambicia për pushtet do të jetë bashkë me dështimin fatal të aqdëshiruar. Guri, ndonëse 15-vjeçar, ballafaqohet me femra më të mëdha se ai dhe, me ose pa dashje, ai krijon marrëdhënie me to – marrëdhënie këto që do t’i japin fund jetës së tij – ndonëse imagjinare, sepse nuk mund të dihet qartë nëse ato vërtet kanë krijuar marrëdhënie me Gurin, apo një krijesë e ligë mitologjike, në këtë rast, Mërkuna, ka marrë trajtën e një femre, duke krijuar kështu iluzione optike te djaloshi. Dhe këtë gjë e bën gjithmonë kur Guri është vetëm.

I tërë fshati, vazhdimisht besojnë se meshkujt nuk duhet të jetojnë dhe se nuk kanë vend, aq më pak në fshatin e tyre. Ata duhet të vriten në një moshë të re, natyrisht pasi t’i kenë mbarsur femrat e tyre sa për ta vazhduar traditën e moçme të urrejtjes dhe për t’i bartur besimet gjeneratë pas gjenerate. Meshkujt përndiqen vazhdimisht, vetëm sepse mijëra vjet më parë, paskan qenë ca meshkuj që i paskan përdhunuar e mbarsur pa dëshirë disa gra në këtë fshat dhe prej atëherë qenka zemëruar Mërkuna dhe i paska shpallur luftë Enjtit (perëndisë së meshkujve). Motivi social ndihet kur protagonistët ua tregojnë njëri-tjetrit hallet e veta. Kështu p.sh. Guri, i cili është hero real, në fillim nuk shoqërohet me Fatushën, e cila po ashtu është protagoniste reale, por deri në fund, shoqëria e tyre do të marrë kah tjetër, derisa ata do të vdesin bashkë, duke u munduar me shpirt ta zbulojnë të vërtetën. Gjyshe Terzia, sado e moshuar, ajo nuk u beson gjërave të kota. Ndien mall për burrin e saj të vdekur, edhe pse ajo do të duhej ta urrente burrin e saj, sepse fundja edhe ai ishte mashkull.

Antagonistë realë mund të cilësohen Shartimja me Nafakën, sado që tregohen të mira nga ana e jashtme, ato janë të kalbura nga brenda. Sajojnë histori për të kryer ritualet e tyre fshehurazi dhe pa e marrë vesh as gjyshja dhe as nipi e mbesa e saj. Edhe personazhi mitik, Mërkuna, do të ishte antagoniste, duke i lejuar femrat të ngelin shtatzënë me burrat e tyre dhe pastaj t’i mbysin ata.

Narratori është i vetës së parë dhe është narrator i gjithëdijshëm ngase ai shpeshherë e tregon ngjarjen akoma pa ndodhur dhe ua bën me dije lexuesve se personazhet e tij janë të hutuar dhe nuk e shohin belanë, në të cilën janë futur. Rrëfimi sigurisht është retrospektiv, duke treguar ngjarjet se si kanë ndodhur dhe shpesh është edhe introspektiv, duke u futur brenda personazheve dhe duke shprehur ndjenjat e tyre të brendshme.

Diskursi është popullor, historik, mitik dhe personal. Popullor sepse folklori shpesh ka folur për ngjarje të tilla. Burra që përdhunojnë gratë e tyre dhe gra që hakmerren ndaj burrave të tyre. Historik sepse tregohet ngjarja e luftës mijëravjeçare mes burrave dhe grave, mes Enjtit dhe Mërkunës, emrat e të cilëve përkojnë me ditën e enjte, përkatësisht me ditën e mërkurë. Mitik sepse vetë personazhet janë personazhe mitike. Një Mërkunë që shiton burrat dhe mbështet gratë, u jep atyre fuqi që t’i mposhtin meshkujt dhe diskursi i fundit por jo më pak i rëndësishmi është diskursi personal. Mallëngjimi i gjyshes ndaj gjyshit, kujdesi i gjyshes për nipin dhe dashuria e personazhëve, shprehja e ndjenjave të tyre.

Nuk dihet se kur është zhvilluar ngjarja në këtë roman, prandaj mund të themi se koha është subjektive (imagjinare) dhe vendi po ashtu, ndonëse vendi ka një emër, është katund dhe quhet Ivranaj, ka 99 shtëpi, por sigurisht është i shpikur nga autori.

Figura letrare e metonimisë duket disa herë nëpër faqet e romanit:

Fshati Ivranaj m’u derdh në sy me një grumbull të madh shtëpish e kullash.[1]
Edhe antiteza është figurë dominuese në këtë roman:

natë-ditë
delet e zeza – delet e bardha

Shkrimi i romanit bëhet kryesisht në gjuhën standarde me disa pjesë dialektore, huazime e deformime gjuhësore. P.sh.:

Dofarë gunash[2] (trajtë jo e drejtë);
Duert[3] (dialektizëm)
Ke jot amë[4] (trajtë dialektore)
Motmotet e zamanit[5] (huazim prej gjuhës tjetër)
Një herë në sene[6] (huazim)
Në të lemë të diellit[7] (Përzierje dialektesh)
Ke nisë me u shurullue[8] (Deformim i fjalës)

Sado të mundohesh ta kuptosh veprën dhe ta lexosh me një sy kritik, ajo ndërron trajtë dhe duhet ta lexosh për së dyti. Kjo ndodh sepse vepra është e shkruar me kode dhe kërkon lexues semiotikë./ ObserverKult


[1] Agron Tufa, Mërkuna e zezë, TOENA, Tiranë, 2009, fq. 8
[2] Agron Tufa, Mërkuna e zezë, vep. e cit., fq. 18
[3] Agron Tufa, Mërkuna e zezë, vep. e cit., fq. 19
[4] Po aty
[5] Po aty
[6] Po aty, fq. 21
[7] Po aty, fq. 23
[8] Po aty