E diela ishte ditë e trishtë për kinematografinë. Pas dy javësh përballjeje me koronavirusin, “kapedani” i filmit shqiptar, regjisori Muharrem Fejzo, u dorëzua.
Ishte i biri, Joe Artid Fejzo, që pas ditë të tëra lutjesh për shërim, dha dje lajmin e keq për largimin në mënyrën më të padenjë të mundshme. “Lamtumirë babo. Pusho në paqe në krahët e të madhit Zot e të gjithë të dashurve atje sipër. Më fal që nuk të përkëdhela dot e s’të dhashë dot një gotë ujë, nuk meriton një ikje të tillë. Artisti ynë. Miku ynë. Babai i përgjëruar. Bashkëshorti i jetës”. Lamtumirën virtuale ia dha edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, duke e cilësuar mjeshtrin që jetësoi “kapedanin” si regjisorin, skenaristin e piktorin që la një pasuri që do t’u flasë brezave.
SI E MBAJNË MEND KOLEGËT
Aktori i njohur, artisti i merituar dhe “Nderi i Kombit”, Robert Ndrenika, nuk mund ta fshehë trishtimin për humbjen e regjisorit Muharrem Fejzo. Për “News 24”, Ndrenika rrëfen se e ka njohur Fejzon shumë dekada përpara, kur aktori ishte i vogël dhe ëndërronte të futej në botën e artit. “Kapedani” dhe “Fije që priten” i bëri bashkë dy njerëzit që do të vinin themelet e kinematografisë shqiptare. “E njoha Fejzon që kur isha fëmijë. E shihja të luante në teatër dhe e kisha zili. Me Fejzon kam qenë te filmi ‘Kapedani’. Kujtoj me respekt punën me Muharrem Fejzon. Punova me të edhe te ‘Fije që priten’. Humbja e Fejzos, humbje për artin. I shpreh ngushëllime familjarëve të Fejzos”. Një tjetër koleg, njëherësh mik i mirë, Reshat Arbana, e quan humbje të madhe ikjen e Fejzos. “Humbja e tij, lajm i trishtë për artin. U shkëput një gjerdan i kinemasë shqiptare. Me Muharremin kam luajtur te ‘Fije që priten’. Ngushëllime familjes dhe të gjithë miqve të tij. Fejzo ishte një prej regjisorëve më të mirë shqiptarë. Ka qenë një prej miqve të mi më të mirë”, thotë aktori i njohur Arbana.
PENGU I SHANAJ
Aktori Mevlan Shanaj rrëmon në fjalorin e shqipes më të mirat fjalë për ta portretizuar si një galeri të madhe të karaktereve dhe imazheve, mikun e tij dhe të të gjithë shqiptarëve. “Mjeshtri i imazhit, kryemjeshtri i miqësisë”, shprehet Shanaj për Fejzon, teksa e cilëson një ndër figurat më emblematike dhe të papërsëritshme të ekranit. “Një figurë komplekse, që lëshonte mirësi. Veprat e tij janë të mëdha. Ishte i lidhur me artin në mënyrën më fantastike. Jo vetëm si skulptor dhe piktor, është unikal në ekranin shqiptar. Burrë i ditur, i dashur, shumë i mirë. Muharremi nuk është njeri që ka bërtitur për këtë atmosferë, por ishte burrë i ditur. Kur merrte një punë Muharremi, do të quhej mësonjëtorja e tij. Ai dinte të ndërtonte, ishte muzikant, piktor, dramaturg, njeriu i fjalës së ëmbël”. Jo pak i prekur për ikjen e papritur, aktori rrëfen edhe pengun që nuk e realizoi dot për shkak të virusit. “Në gusht kërkoi që të më bënte një portret. Më tha dua ta bëj një portret. I thashë ‘aman se kohë virusi, e shtyjmë’. Nuk e dija që ai do të ishte gushti i fundit me Lemen. Kishte freski, kishte një imazh, kishte energji. E kam peng këtë dëshirë të tij që ai donte të më bënte një portet, një pikturë dhe do e kisha sot në shtëpi”, thotë Shanaj duke shtuar se “Lemja i tij”, dhe pse një njeri i realizuar në jetë ishte i pashtershëm e shumë vital. Mllefi i tij ishte krijimtaria, filmi e skulptura që e bënin të dukej si një 60-vjeçar e jo një njeri që kishte mbi tetë dekada jetë.
ROLET
Muharrem Fejzo kreu studimet në degën e aktrimit dhe nga pasioni i madh që kishte për kinemanë, kontribuoi si grimier në disa nga filmat e parë shqiptarë. Vite më vonë u bë drejtori i Shtëpisë së Kulturës në qytetin e Kukësit. Përpara se të realizonte filmin e tij të parë, “Montatorja” (1970), Fejzo punoi si asistentregjisor në dy filma artistikë, “Prita” (1968) dhe “Njësiti Guerril” (1969) të Hysen Hakanit. Gjatë karrierës së tij, regjisori Muharrem Fejzo realizoi mbi dhjetëra filma të tjerë, midis të cilëve mund të përmenden: “Operacioni zjarri” (1973) dhe “Mësonjëtorja” (1979). Filmin e tij të fundit “Muri i gjallë”, Muharrem Fejzo e realizoi në vitin 1989. Por, ai me të cilin do të mbahet mend për shumë gjatë është realizimi i filmit “Kapedani” në vitin 1972 së bashku me regjisorin Fehmi Hoshafi, komedia e parë e tij që edhe sot vlerësohet si një nga kryeveprat e kinemasë shqiptare.
MBESA: SA MELODI KRIJOVE, IKE NË HESHTJE SHURDHUESE
Përpara se të bëhej frymëzim për artin, Muharrem Fejzo, nën petkun e gjyshit ka frymëzuar gjakun e tij, mbesën Alina, e cila, nga larg përcjell dhimbjen për njeriun e dashur që e formësoi. “Kërceva me ty, të dëgjova, të pashë, të adhurova. Duart e tua pikturojnë, fytyra jote transformohet në një mijë ngjyra dhe ngjyra më e mirë është ajo që pikturova kur me shihje duke u kthyer në shtëpi, ti me krahë hapur dhe me zemër në qiell. Të njoha përmes syve të të njohurve dhe historive të të panjohurve. Të gjithë më kanë bërë gjithmonë të ndjej rëndësinë dhe madhështinë e të lindurit pjesë e kësaj familjeje. Përgjithmonë jeton me kujtimin tënd të bukur të përqafimit tënd të dashur”, shkruan Alina Fejzo, duke listuar një listë të gjatë mesazhesh diellore që gjyshi i ndjerë i dërgonte asaj shpesh.
AKADEMIA E SHKENCAVE: NDËR REGJISORËT MË PRODHIMTARË!
Komisioni i Artit dhe Trashëgimisë, pranë Akademisë së Shkencave, e konsideron Fejzon ndër regjisorët më prodhimtarë me 14 filmat artistikë që ka realizuar ndër vite, teksa veçon tiparet që e bënë atë të dallueshëm mes të tjerëve. “Muharrem Fejzo shquhet në kinematografinë shqiptare për kompozimin figurativ të kuadrit, sensin e hollë letrar, krijimin e portreteve historike legjendare, për praninë e fortë të konvencioneve piktorike, për mizanskenën me bartje topologjike ku hasen edhe mbivendosje simbolike, për rakurset e shumta dhe përpunimin e kujdesshëm të skenave masive”. Sipas skenaristes Natasha Lako, mesazhi i së cilës përcillet bashkë me atë të Akademisë, Fejzo i takon atij brezi që u krijua plotësisht nga vetja dhe nga puna e tij plot pasion. Sepse fati dhe rrethanat sillnin kineastë që do t’i pranonte ose mposhtte ekrani. Muharrem fejzo renditej ndër ata që ekrani i përqafoi. “Muharrem Fejzo ia doli të shënonte emrin e tij të nderuar në kinemanë shqiptare përmes veprës dhe trashëgimisë kinematografike që la pas”, shprehet skenaristja Lako. Komisioni i Artit dhe Trashëgimisë i shpreh ngushëllimet më të thella familjes dhe komunitetit artistik për humbjen e regjisorit të njohur./panorama.com.al