MESJETA IME: ROMAN-À-CLEF

I.CONFINIO

Mesjeta ime është kategorizuar si vepër e përbërë nga dymbëdhjetë ese, nga ku e para (“Ulalume”) dhe e fundit (“Via”) shërbejnë përkatësisht si prolog dhe epilog.

Nga Arjeta Ferlushkaj

Nga mënyra si është shkruar vepra, është e vështirë të përcaktohet prerë zhanri pasi nuk është zgjedhur të punohet me kufinj të prerë. Me të vërtetë që “fusnotat dhe shpjegimet janë ato që i japin veprës identitetin e saj prej eseje”,[1] por fusnota kemi edhe tek romani Ulurima e ujkut:

Tek lexon “Ulalume”, por edhe “Allegoria” dhe “Via”, do të ishte e padrejtë ndaj tekstit sikur ta shihnim këtë vepër vetëm si një libër me dymbëdhjetë ese. Edhe vetë autori, në një intervistë për median në Kosovë ka deklaruar: “Është dhënë zhanri esesë për të mos e sfiduar dhe munduar lexuesin. Për mua, do të isha më dakord të quhej ‘roman dokumentar’ sepse është shkruar mbi ato parime. (…) Ato (esetë-shën.im-A.F.) janë kallëzime, janë më afër romanit se esesë”.[3]

Në thuajse të gjitha pjesët të marra më vete ka rrëfim. Tek disa ka edhe dialog:

“Unë nuk lexoj, sepse nuk dua të ndikohem. (…) Unë e pyeta shkrimtaren: Pasi ti nuk lexon, pse mendon që dikush duhet t’i lexojë ato që shkruan ti? Tha: Nuk e di, qishtu jam unë, origjinale”. (f. 89)

Gjithashtu, edhe sa i takon pozicionit të instancës rrëfyese në vepër do të thoja se kufinjtë paraqiten të ndjeshëm, pavarësisht se në vepër lexojmë: “rrëfej brengat e zemrës, mendjes dhe shpirtit” ku përjetues thuhet qartë se është Ag Apolloni. Mirëpo autori thotë edhe këtë:  “unë flas për jetën time sipas mënyrës sime”, ndërsa po ai, në një intervistë pohon se: “Autori nuk funksionon dot pa maskë, i duhet një maskë, i duhet krijimi i një personazhi, qoftë edhe i një simboli për ta thënë një të vërtetë që pa atë maskë nuk mund ta thotë. P.sh., unë them shumë të vërteta në librat e mi që realisht në biseda të drejtpërdrejta, nuk do të guxoja t’i thoja”.[4]

Kufiri ndarës roman-ese dhe autor-narrator është jashtëzakonisht i ndjeshëm. Të turbullt janë edhe kufinj të tjerë brenda kësaj vepre. I kujdesshëm në detaje dhe me sy të mprehtë, Apolloni ka punuar mbi veprën si të ishte ndonjë pikturë. Sikur po përdor sfumato[5]-n, teknikën e preferuar të Da Vinçit, ai ka zgjedhur të mos shënojë kufinj të qartë as në zhanër e as në zërin rrëfyes, por jo vetëm aty.  “Ag Apolloni, siç mëton letërsinë, ashtu edhe e krijon. Letërsia e tij të nxjerr në dyshim çdo gjë. Aty asgjë nuk është e sigurt”.[6] Siç do ta shohim në vazhdim, pikërisht pamja turbulluese e krijuar jo rastësisht, e bën kaq të veçantë dhe intriguese veprën Mesjeta e re.

II. ROMANI NË PESË KODE

Retorika klasike njeh pesë kode: Inventio (Eurexis), Dispositio (Taxis), Elocutio (Lexis),  Memoria (Mnemoa), Pronuntiatio (Hypocrisis). Këto kode, dy prej të cilëve[7] nuk lidhen direkt me fiksionin, i kemi marrë dhe i kemi përshtatur sipas qëllimit tonë për t’iu përgjigjur pesë pyetjeve që kemi shtruar:

E para i referohet gjetjes dhe ne pyesim:  cila ishte ideja që ngjizi veprën dhe çfarë mendon autori se do të jetë interesante të rrëfejë për lexuesin?

E dyta i referohet strukturës dhe ne pyesim: si vendos autori se çfarë duhet lënë të thuhet në fillim e çfarë duhet të vijë më pas? 

E treta i referohet stilit dhe ne pyesim: si ka menduar autori të ndikojë tek emocionet/mendimet e lexuesit të tij?

E katërta i referohet  kujtesës dhe ne pyesim: si e ka ndihmuar dija autorin për ta shkruar veprën?

E pesta i referohet prezantimit dhe ne pyesim: si zgjodhi autori ta prezantojë veprën para publikut?

I shohim me radhë:

  1. Inventio

Më përpara, rrëfimet autobiografike nuk konsideroheshin aq interesante, ndryshe nga sot që kërkohet të dihet gjithnjë e më shumë mbi jetën e një shkrimtari. Prandaj edhe Ag Apolloni zgjedh këtë gjetje:

Me impulsin e një epifanie delfike, të shfaqur në moshën e mesme biblike, si një fragment nga realiteti platonik, mbi rrënojat e tempullit në kërthizë të botës, rrëfej brengat e zemrës, mendjes dhe shpirtit, i vetëdijshëm se opinioni im mbi botën (…) është gjithashtu rrëfim i karakterit”.[8]

Ka shkrimtarë që e përdorin jetën e tyre për të ndërtuar rrëfimin autobiografik, por në rastin e Apollonit është e kundërta: ai e përdor autobiografinë për të rrëfyer mesazhe të tjera sepse, “kënaqësia nuk qëndron te gjetja, por te kërkimi”.[9] Apolloni vendos të rrëfejë për veten, por gjithashtu vë alarmin për vonesat politike e socio-kulturore që nuk zgjidhin ngërçe në Kosovë. Përzgjedhja e “mesit të jetës” për të bërë këtë rrëfim duket se ka rrënjë te Komedia hyjnore e Dante Alighieri-t, pasi edhe ai deklaron se në mesin e jetës e ka shkruar veprën, edhe pse mesi i jetës së tij nuk qëlloi të ishte tridhejetë e pesa.

Duke lexuar romanin “Ulurima e ujkut” (botuar në 2013), mund të themi se ishte i pritshëm një “shpërthim” i tillë i autorit. Ja disa shenja paralajmëruese që gjejmë aty[10]:

  • “Poeti i parë plebej, pa strehë e pa pretendime poetike, shkruante autobiografinë vulgare të tij”.(f.20)
  • “Inkuizicioni, obskurantizmi, mesjeta moderne. (…) Dijen në turrë të druve”. (f.181)
  • “Nuk ekzistojnë djajtë, nuk ekzistojnë engjëjt. Ata janë krijuar në Mesjetë dhe ju deri tani është dashur të iluminoheni”. (f.242)
  • “Tani po jetojmë si në Mesjetë: ose të vrasin, ose të çmendin, ose të shpallin të çmendur”. (f.251)

Nga historia e vet personale, autori nuk zgjedh të rrëfejë ngjarje të jetës së tij që i duken të rëndësishme për t’u ditur nga lexuesi, ai gjurmon e zgjedh të rrëfejë ngjarje që i duhen për temat që ai ka përzgjedhur të trajtojë në vepër.

Ndërkohë që deklaron se “krejt librin e shkrova për ta njohur vetveten[11], nga kuptimet e shumta që mbart pohimi, një ndër to mund të jetë edhe kërkesa e tij për ta njohur: “Po unë që s’kam qenë kurrë pjesë e kopesë, si t’ia bëj me bariun? Ndoshta bariu duhet të mësohet ta respektojë, nëse jo ta dojë, ujkun”. (fq. 66)

Autori deklaron: “Në Delfi, te tempulli i zotit të dritës, ndjeva praninë e dikujt tjetër në mua. Frymëzimi (…) më bën të kuptoj se unë kur shkruaj jam në duar të zotit”. Sipas Umberto Ecos, nuk duhet t’i besojmë autorit kur thotë se ka punuar në dalldinë e frymëzimit.[12] Dhe në fakt, siç do të shohim, vepra Mesjeta ime ka një rrëfim të llogaritur në detaje dhe tejet të përpunuar.

  • Dispositio

Ulalume, Obscura, Vulgus, Doctrina, Pelegrin, Allegoria, Persona, Schisma, Templarius, Inquisitio, Memento dhe Via janë 12 esetë/kapitujt e veprës Mesjeta ime.

Rrëfimi në këtë vepër nuk ka një rend kronologjik, ndryshe nga çfarë mund të pritej kur lexon nëntitullin “Confessiones”. Ne jemi munduar të veçojmë disa nga episodet kryesore të veprës duke bërë dallimin mes rrëfimit dhe fabulës dhe i kemi paraqitur në tabelën e mëposhtme:

Rrëfimi:Fabula:
I.Konstatimi i moshës 35-vjeçareI.Origjina e fisit
II.Lindja në vitin 1982II.Lindja në vitin 1982
III.Origjina e fisitIII.Shkolla fillore-gjimnazi
IV.Shkolla fillore-gjimnazi-fakulteti-doktorimiIV.Vdekja e gjyshit
V.Udhëtimet në Austri-Itali-GreqiV.Lavdrim Muhaxheri (kur ishte shok i vëllait)
VI.Botimet e vepraveVI.Vdekja e babait
VII. Historia e Lavdrim MuhaxheritVII.(Fakulteti)-Doktorimi/Botimet
VIII.Vdekja e gjyshit, gjyshes, babaitVIII.Udhëtimet  në Austri e Itali
IX.Nga vizita në Firenze                        IX.Nga vizita në Firenze
X.Mbyllja e rrëfimitX.Udhëtimi në Greqi

Rrëfimi fillon e mbaron me Apollonin që është në gjysmën e jetës biblike: tek “Ulalume” tregon se në këtë moshë (kur vizitoi Greqinë në 2017-n) i erdhi frymëzimi për të shkruar veprën dhe në fund, tek “Via” ku shënohet mbyllja e rrëfimit: “Athinë-Prishtinë, 2017-2018”.

Nëse provon të ndjekësh datat sheh se kemi të bëjmë me një rrëfim kaotik, p.sh. vdekja e babait dhe e gjyshit përmendet disa herë brenda veprës (frekuenca narrative):

Rasti I nga “Ulalume”: “Gjyshi im ka vdekur rreth të pesëdhjetave, nga sëmundja e zemrës (…) i dyti (babai) me vdekje natyrale (sëmundje zemre)”.

Rasti II nga “Vulgus”: “Ai që po largohej nuk isha unë, por gjyshi, i cili pak muaj më vonë ndërroi jetë, duke më lënë për një kohë të gjatë në një pikëllim të pangushëllueshëm”.

Rasti III nga “Doctrina”: “Babai pësoi infarkt (…) nga ai infarkt i vitit 2005 e deri më 28 janar 2007 (…) më shumë ndenji në spital sesa në shtëpi”.

Rasti IV nga “Schisma”: “Dy humbje të mëdha të gjysmëjetës sime janë edhe: vdekja e   gjyshit (1997) dhe vdekja e babait (2007)”.

Rasti V nga “Memento”: “Kur erdha, gjyshi kishte shkuar. I kishte mbyllur sytë. (…) Lum ky çfarë deke!, thoshin zërat e njerëzve”.

Rasti VI po nga “Memento”: “Ai, pas pak, e goditi gjoksin me grusht dhe tha: s’jam mirë.(…) Babai dha shpirt duke më shikuar mua”.

Sa i takon renditjes së dhjetë kapitujve, mund të themi se edhe ato i përshtaten nivelit të ideve. Në katër kapitujt e parë, informacioni rreth autorit është më i ngjeshur e më i plotë sepse po tregohet rreth rrugës se si është formuar karakteri i protagonistit që do të tregojë diçka.

Pas “Allegoria”, nis të kalohet si në një “rrëfim të vetës së tretë”, në kuptimin që në tekst marrin më shumë hapësirë qëndrimet e veta apo refleksionet mbi fenomene të ndryshme që e çojnë në dëshpërim autorin. Ndërsa, “Ulaluma”, “Allegoria” dhe “Via” kanë pozicione të atilla në rënditje për hir të një funksioni tjetër, që do të trajtohet në pjesën e tretë të kësaj sprove.

Mesjeta ime ka një rrëfim me arkitekturë ideore precize. Kjo strategji e ndjekur për rënditjen e dymbëdhjetë eseve i përgjigjet në mënyrë të përsosur qëllimit autorial për ndërtimin e një vepre të hapur. Autori përdor këtë strukturë narrative sepse “ky organizim shtrihet thjesht në nivelin e ideve, jo në atë të ngjarjeve”. (Todorov, 2000:62)

  • Elocutio

Elocutio, siç e kemi përmendur, lidhet me stilin e një vepre letrare. Te Mesjeta ime mund të bëhet një punim shkencor më vete vetëm nëse do të ndaleshim te stili, pasi teksti është punuar me një kujdes të posaçëm deri në imtësi. Por, në kuadër të kësaj sprove, ne do të cekim shkurtimisht vetëm disa përzgjedhje autoriale që i përgjigjen pyetjes sonë. 

Pyetjes se si ka menduar autori të ndikojë tek emocionet e lexuesit do t’i jepnim këtë përgjigje: përmes lojës. Ndërsa, që të ndikojë te mendimet e tyre, ka zgjedhur kulturën. Pra kemi një double-coding (kodifimi i dyfishtë): loja dhe serioziteti. Për të funksionuar ky parim, i duhet një lexues ndryshe.

Disa here, autori i drejtohet direkt lexuesit, por ne veçojmë një rast kur thotë: “Po të drejtohem me ti, ty që Baudelaire të quante lexues hipokrit, Genette të thërriste narrater, kurse Eco të konsideronte lexues model”.[13] Me këtë “thirrje”, autori, jo vetëm na konfirmon se jemi në fiksion[14] por sikur na kërkon të bashkëpunojmë me të dhe t’i rrimë gati lojës së tij. (Eco, 1996:465)

Lojën e nis që në titull sepse titulli duhet “që t’i ngatërrojë idetë, jo që t’i verë në rregull si ushtarë”. (Eco, 1996:450) Dykuptimësia (a më shumë) dhe kontrasti shtrihet në të gjithë veprën.

Loja vazhdon me ngatërrimin e qëllimshëm të perspektivës rrëfyese për të hutuar paksa lexuesin, por edhe për ta argëtuar:

Rrëfim në vetën e parë: “E, nëse për ta befasuar gjenetikën, jetoj më shumë se të fortët e familjes, atëherë s’më mbetet tjetër të them, pos të kërkoj falje (…): më falni që s’kam vdekë”.[15]

Rrëfim në vetën e tretë: “Fëmija, sapo doli, ia nisi vajit, thuajse kishte lexuar Shakespeare-n: qajmë sepse e kuptojmë që kemi ardhur në një skenë përplot me budallenj. Tash që kishte dalë, kthim mbrapa s’kishte”.[16]

Në dy situatat e cituara, bëhen të turbullta edhe marrëdhëniet mes fakticitetit dhe fiksionalitetit (ku nis njëri e ku mbaron tjetri?), që e ngacmojnë lexuesin dhe e bëjnë të shkojë me një kuriozitet të shtuar drejt fundit të librit.

Në funksion të parimit të kodifikimit të dyfishtë është edhe pranëvënia e kodeve të larta me ato popullore përmes kontrasteve. Simbolikisht, këtë e shohim edhe te leksiku, që nis nga ai vulgar a komik, tek ai sublim:

“..në Gjurgjurdell njerëzit ishin trefish vulgar (…) Nuk ishte çudi të dëgjoje fjalë të tilla edhe kur i shihje duke biseduar nënë e bir (A s’ta mbajti bitha o bir me ia thanë nja di llafe, a?” (f. 27)“Ne jemi persona, por nuk jemi njerëz. Dhe çka është njeriu? Një shpirt i maskuar me formën e një trupi. Por, kjo maskë ka edhe kuptimin e burgut. Unë jam burgu që ec. Brenda meje është shpirti që mund të fluturojë, pas daljes nga burgu”. (f. 82)

Apo edhe ndërfutja e sentencave në latinisht, si diskurs elitar në mesjetë: Sine nomine / Post tenebras spero lucem/ Nomen est omen/ Hora fugit/ Ubi dubium, ibi libertas / Quo vadis?, etj. 

Ndarjen kod i lartë/popullor, autori e shënon edhe kur përmend klasën politike dhe atë intelektuale, duke ironizuar hierarkinë: “Nganjëherë kam qejf t’i takoj liderët tanë e t’ua them në fytyrë ato që mendoj, por ata janë larg në hierarkinë politike sa unë asnjëherë s’mund t’i arrij për t’i takuar dhe janë aq poshtë për nga edukimi sa s’më lë kurrizi të përkulem për të diskutuar”. (f. 92)

Për ta pasuruar rrëfimin, autori ndërfut në tekst disa tipe diskursesh: atë shkencor, kur shpjegon të dhënat historike apo etimologjike etj.; të përrallës (“Na ishte njëherë viti i largët 1982”); të ditarit (“Një ditë qershori të vitit 2013”; “Sot u zgjova, si çdo ditë..”); të legjendës (“Maksutin e konsideronin të çartur, të trentë, gati se përbindësh. Thoshin se i rrihte meshkujt dhe femrat”); të politikës (“Xhelatët kanë ndryshuar, populli ka mbetur prapë viktimë. Nga një vend që kërkonte me guxim të njihej si republikë, vendi ynë është kthyer në labirint të frikës”); diskursin ideologjik (“Ne jetojmë në epokën e virtualitetit, kur më e rëndësishme është të jesh i famshëm, sesa i vlefshëm. Më e rëndësishme është të dukesh i dijshëm, sesa të jesh i tillë”), etj.

Gjithashtu, shohim të inkorporuar në vepër edhe forma të tjera letrare, si poezia (kur citon vargje por edhe poezi të plota) apo elemente të dramës si dialogun, monologun por edhe didaskalizma:

Gjyshja: Çka t’i kanë ba librës n’Shkup? Unë: ma kanë përkthy’. (…) Gjyshja: E ti qysh e lexon? Unë: Unë e lexoj shqip. Gjyshja: E pse ta kanë marrë librën? Unë: Se kanë qejf me lexu’edhe ata naj sen t’mirë. Gjyshja: Eh, fare dalshin!” (f.112)Ja do t’ia ndërrojmë emrin, ja çojeni fëmijën ku të doni! Pauzë. Heshtje e gjatë. Buzë të kyçura. Kollitje të shtirura. Litari fillon të shtendoset kur nisin të hidhen propozime për zëvëndësimin e emrit”. (f.15)“Të jem, apo të mos jem? Të jem siç jam, apo të bëhem ndryshe? Të jetoj, apo të vdes? Të jem në luftë me të tjerët dhe në paqe me vetveten? Të jem në paqe me të tjerët dhe në luftë me vetveten? Të jem në luftë me vetveten dhe me të tjerët? Të jem në paqe me vetveten dhe të tjerët? I kam provuar të gjitha, por ende nuk e di cila ka qenë e duhura”. (f.90)

Gërshetimi i komikes me tragjiken duket një mjet i preferuar i Apollonit tek ndërton arkitekturën e veprës. Përmes kontrastit, ai e ka sjellë estetikisht bukur gjendjen personale dhe social-politike të Kosovës: nga bashkëjetesa me njerëzit e vulgut deri te humbjet e njerëzve dhe humbja e njerëzores; nga dehja në dhe për dije, te mospranimi i dijes; nga udhëtimet e tij nëpër botë (veço udhëtimet ‘jo fizike’) te kthimet në Kosovë etj.

Situatat komike e ironike (edhe autoironia), që vijnë aq natyrshëm bashkë me detajet biografike, i japin rrëfimit një ritëm të këndshëm dhe lexuesit një kënaqësi të veçantë:

  • “Po t’u thuash që Shakespeare ka lindur në Stratford (mbi Avon), ndalen në dy shkronjat e para të vendlindjes së tij dhe e lidhin Stratfordin me Stagovë. Unë mendoj se aty mund të mbyllej edhe Çështja homerike: një njeri pa sy që krijoi vepra më të mëdha se të atyre më dy sy, çfarë mund të ishte nëse jo stagovali?” (f. 24)
  • “Disa fshatarë nga Stagova janë regjistruar në divizionin nazist SS Skanderbeg vetëm se u pëlqenin rrobat Hugo Boss, që i vishte ushtria e Hitlerit. (…) Pavarësisht se disa iu bashkuan Hitlerit, stagovalitë kurrë s’i dorëzuan hebrenjtë. Me Hitlerin i lidhte moda, me hebrenjtë i lidhte mendja”. (f. 25)
  • “Nëse flet pak e pi shumë, ti je stagovali; nëse i do femrat dhe librat, ti je stagovali; (…) nëse i do shetitjet dhe sherret, ti je stagovali; nëse je i huptë dhe mban kryet lart, ti je stagovali; nëse me krye mendon e godet, ti je stagovali; nëse me një vesh nuk ndien dhe me tjetrin s’do me ndi’, atëherë ti je stagovali”. (f. 25-26)
  • “I lindur mes këtyre dy fshatrave, unë mund të kem marrë diçka nga të dy anët: nga të çarturit dhe nga çërkuzat; nga heshtakët dhe nga llafazanët; nga punëtorët dhe nga dembelët; nga tragjikët dhe nga komikët, me shpresë se s’do të jem shartim tragjikomik”. (f. 26)

Ndërsa, përmes ndodhive tragjike, si çlirim edhe i vetvetes, autori reflekton mbi rëndësinë që i duhet kushtuar kohës dhe asaj çfarë na rrethon: “E di që jam përkohësisht në këtë botë, e di që një ditë do të largohem, e di që kjo botë është burg prej të cilit askush s’del i gjallë. (…) Ne të gjithë jemi vrasës. Vrasim kohën, vrasim mendjen, vrasim tjetrin, vrasim veten, pastaj na varrosin”.[17]

Prania e filozofisë fataliste (por që sfidohet) është e shfaqur te prezenca e fjalës “dëshpërim” në fund të çdo kapitulli, përveçse në: “Ulalume”, “Persona” dhe “Via”:

“Sa dëshpërohem kur kujtoj..” (nga “Obscura”);
“..nisa ta thur dëshpërimin tim” (nga “Vulgus”);
“..ngjitem shkallëve të dëshpërimit..” (nga “Doctrina”);
“..pelegrini është një i dëshpëruar që shëtit..” (nga “Pelegrin”);
“Ëndrrat janë…shteg për t’i ikur dëshpërimit tonë.” (nga “Allegoria”):
“..na ka mbetur vetëm hiri i dëshpërimit” (nga “Schisma”);
“..dëshpërimi çel zogj në zemrën time” (nga “Templarius”);
“Si mund të mos jesh i dëshpëruar…” (nga “Inquisitio”);
 “vonesa nuk e vret dëshpërimin” (nga “Memento”).

Merr një rëndësi të posaçme në vepër edhe vënia përballë e lokales me universalen:  genius loci që duhet mbajtur gjallë është shpirti i vendit që shkon te të gjithë; nga njohja e vetvetes shkohet drejt njohjes së botës. Nga lokalja synohet të shkohet tek universalja. Ky synim është i shpërndarë nëpër të gjithë veprën në forma të ndryshme duke përdorur antiteza, metafora, metonimi, ironi, parodi etj.

Duhet përmendur se, një ndër arsyet pse vepra ka ngjallur interes të gjerë dhe reagime të ndryshme është për faktin se aty artikulohen qartë e prerë gjendja politike e vendit dhe problemet shoqërore që vijnë si rrjedhojë e saj. Duke ua zbuluar lexuesve të vërtetat hapur, që nuk e ka bërë kështu askush më parë dhe, duke ironizuar paradokset e aktualitetit që e jetojnë të gjithë bashkë, Apolloni merr pas vetes të ngjashmit e tij duke iu treguar rrugën e përmirësimit: “Kërkimi është njohje, kurse njohja është pushtet dhe shpëtim, por jo pushtim” (f. 57) Për ata që nuk duan të dëgjojnë se “maska e artistit ua heq maskën të tjerëve”(drita), ai i lë të jetojnë në “epokën e bythës” ku “truri duhet të zbythet”(errësira/mesjeta). 

Ajo që pastron e pasuron mendjen është kultura. Prania e një enciklopedie kulturore në roman, e inkorporuar aq bukur në rrëfim, është një vlerë e padiskutueshme që ka vepra Mesjeta ime. Ja pse autori “nuk lexon vepra “origjinale” të shkrimtarëve që për vete nuk lexojnë dhe ka frikë nga njerëzit që lexojnë vetëm një libër.

  • Memoria

Në këtë vepër, kujtesa nuk lidhet drejtpërdrejt me të kujtuarit e episodeve të ndryshme nga jeta e Ag Apollonit. Ndoshta kështu duket se synon të na tregojë autori, i cili e përforcon këtë synim duke vënë nëntitullin “Confessiones”. Por, në fakt kujtesa lidhet më së shumti me njohjen, erudicionin, ku për këtë të fundit do të flasim sërish në pjesën e fundit të kësaj sprove.

Ndërtimi i tekstit në terësi, apo siç shprehet autori thurja, do të thonim se realizohet në një mënyrë mjeshtërore duke gërshëtuar përvojën personale me kujtesën kulturore.

Enciklopedia autoriale zgjedh të shfaqet në dy forma: edhe brenda rrëfimit, nëse mund ta quajmë kështu por edhe jashtë rrëfimit, tek fusnotat. Tek këto të fundit gjejmë emra autorësh e tituj veprash, emra këngëtarësh e tituj këngësh, përkthime vargjesh apo fjalish, shënime sqaruese por edhe ironizuese, përmenden emra realë bashkëkohësish të autorit, tregohen anekdota etj. Në të gjithë librin numërohen 70 fusnota, nga ku “Vulgus” mban numrin më të lartë të tyre ndërsa “Allegoria” dhe “Templarius”, duke mos pasur (kupto:dashur) çfarë të sqarohet, kanë zero footnotes. Kurse, brenda rrëfimit janë të përmendur mbi njëqind emra autorësh/veprash që nuk i përkasin vetëm letërsisë artistike. Në rrëfim gjejmë edhe tituj filmash; këngëtarë e tekste këngësh; mbi njëzet emra bashkëkohësish të tij etj.

Citimet/emrat e përfshirë në tekst kanë arsye të ndryshme përdorimi: disa për të dhënë një gjurmë, disa për të shënuar një kuptim, disa për të shtuar (jo hequr) një mister, disa për të përforcuar një mendim, disa për t’i nderuar, disa për t’i sulmuar, disa i përdor si bashkëlojtarë e disa si spektatorë, disa si aleatë e disa si kundërshtarë, disa i përdor për t’u argëtuar e disa për të shpërthyer dëshpërimin etj. E të gjitha këto truke e mësime të marra së bashku, kërkon t’i përcjellë tek lexuesi, me shpresën që ta edukojë (në kuptimin më të gjerë të fjalës) pa harruar edhe ta argëtojë.

  • Pronuntiatio 

Zakonisht, kur flasim për një vepër letrare, ne me të drejtë i kushtojmë rëndësi primare brendisë dhe nuk na intereson shumë se si do të vijë deri te ne përmbajtja (edhe pse ende ka lexues që librat e tyre i përzgjedhin vetëm duke parë kopertinën). Kohët kanë ndryshuar dhe tashmë në industrinë e biznesit të librit, paraqitja fizike e grafike (veçanërisht kopertina) merr rëndësinë e saj, ashtu siç edhe marketingu.

Mbasi ke përfunduar së lexuari një vepër si “Mesjeta ime”, libër me 120 faqe, ku ke parë se autori ka treguar maninë prej perfeksionisti që të ishte gjithçka e mirëllogaritur (deri edhe në numerologji) në përcjelljen e mesazhit (mesazheve), ke kuriozitet të shohësh se çfarë pune është bërë me një detaj të fundit: kopertinën.[18] Në rastin e Apollonit ne shohim se ai ka zgjedhur ngjyrat e konceptit e dualizmit Yin and yang, ku forca të kundërta plotësojnë njëra-tjetrën[19]; ku bashkëjeton errësira dhe drita, e mira dhe e keqja, diversiteti i mendimit etj. Mburoja (kupto edhe maska) e Athinës, perëndia olimpike e mençurisë (dhe mjeshtre e thurjes) si përkrenare është përzgjedhur të vihet në kopertinë gjithashtu. Kontrasti dhe double-coding-u e kanë dominuar veprën dhe domosdoshmërisht, autori, punën me gjetjet duhej ta çonte deri në fund. E nuk zhgënjeu.

Për të përcjellë librin te lexuesi, autori nuk ka zgjedhur rrugën e heshtjes[20]. Një ndër arsyet, përveç të tjerash, është edhe provokimi që ngjall si vepër duke qenë se artikulon reflektime kundrejt politikës dhe dukurive sociale që e shqetësojnë autorin. Apolloni ka ndjekur rrugën e dialogimit, (i vetëdijshëm për veprën e hapur) me lexuesin në forma të ndryshme: përmes përurimit (një në Kaçanik e një në Prishtinë), dhënies së intervistave në televizione dhe përmes komenteve për reagimet që vepra shkaktoi.

III. ROMAN-À-CLEF

Roman-à-clef[21] është një term francez i krijuar nga Madeleine de Scudéry në shek.XVII, i cili i referohet një “romani-çelës”, brenda të cilit rrëfehen ngjarje të vërteta të “mbuluara” me një fasadë fiksioni. Emrat që përfshihen në rrëfim janë të vërtetë dhe “çelësi” është pikërisht lidhja mes fakticitetit dhe fiksionit. Ky çelës metaforik mund të jetë i qartë ose i fshehur nëpër epigrafe apo teknika të tjera narrative. (Merriam – Webster Dictionary)

Te Mesjeta ime ndodh diçka tjetër: është rrëfimi autobiografik që ‘mbulon’ pjesën fiksionale. Në nivelin e parë të rrëfimit pamë se si autori Ag Apolloni ka shkruar një libër me ese autobiografike. Ndërsa, në nivelin e dytë, kemi një narrator autodiegjetik (sepse është protagonist i ngjarjeve) i cili rrëfen për një udhëtim trashendental në 35 vitet e jetës ku gjatë rrugës, ai “transformohet” në disa personazhe, derisa në fund njeh vetveten.

Pyesim:  Si e ka ndërtuar Apolloni këtë botë fiksionale? Ku qëndron ky çelës i roman-à-clef?

Ne mendojmë se çelësi qëndron në këtë trini: prologu “Ulalume”, mesi i veprës “Allegoria” dhe epilogu “Via”. Pikërisht prej këtu zbulohet një botë tjetër rrëfimi ku ka fshehtësi, ankth krijues dhe profeci.[22]

Te Mesjeta ime, në pamje të parë, duket se është krejt i identifikueshëm autori si i vetmi narrator autodiegjetik i rrëfimit të tij. Ka raste kur e vë në dukje direkt: “Meqënëse është natyra egocentrike e esesë që ta shfaqë herë pas here, nëse jo përherë, autorin e saj, më duhet ta pranoj se…”[23] Por, ai nuk donte vetëm kaq; nuk ishte në kërkim të një autobiografie për të treguar kush është Ag Apolloni por, siç e kemi cekur, po kërkonte të shfrytëzonte autobiografinë për një modus operandi tjetër.

Për të realizuar këtë i duheshin “disa personazhe” që të fshihej pas tyre dhe kështu do të ishte “i çliruar nga dyshimet, por jo prej jehonash ndërtekstuale”. (Eco, 1996:454) Ndaj dhe bën një gjetje shumë elegante: autori i Mesjeta ime projektohet nëpër “personazhet” e tij përmes fjalës.[24]Ai vendos që të bëjë të thotë “unë” atë personazh që nuk është më krejt i përputhshëm me veten e tij, por as nuk është plotësisht një person tjetër”. (Genette:1976:297) Ndaj edhe thotë: “Unë nëpërmjet personazheve të mia, u shumëfishova për ta ndier vetveten”.[25] Këtu lexojmë, veç të tjerash, edhe marrëdhënien e vështirë që ka me veten. Prandaj edhe projektimi në instanca si autor-narrator-personazh rezulton zgjidhja më e mirë për të përballuar gërricjen e brendshme.

Nëse Dante e përjetoi kthesën në Rrugën e Damaskut, ai e përjetoi në Delfi; ai lindi kur ishin bërë 150 vite nga vdekja e Goethe-s; ai kishte lindur në një ditë me diell ku nomen est omen; ai nuk kishte dalë nga koka e Zeusit, si Athena; kishte një baba me sindromën e Uliksit dhe nënën me sindromën e Penelopës; ai ishte një nga ‘tartarugat’ e profesorit të pikturës: Da Vinçi; nëse për Hesse-n dhe Kazantzakis-in jeta ishte rrugë, për të rruga t’i mëson të gjitha; edhe ai udhëton me kalë si Don Kishoti; ai mbante zjarrin në dorë si Prometeu; e sheh në ëndërr George Bernard Shaw duke dhënë mësim në fakultetin e tij; është rritur me Kapuçkuqin, që ngjan si aktor i shfaqjeve të Shakespeare-it; ashtu si Pessoa, u shumëfishua nëpërmjet personazheve për ta ndier vetveten.  Ky projektim i autorit[26] nëpër ‘personazhet’ e tjerë, i shfrytëzuar si mjet (“këto janë gjëra të zakonshme në studion e një shkrimtari[27]) është paraqitur prej nesh në grafikun e mëposhtëm:

Përmendim që ky grafik nuk është shterues dhe mund të ngushtohet/zgjerohet edhe më shumë. Përmes këtyre “personazheve” në aksion, autori e thur tekstin e tij, tekst i cili ka shtresa dhe kuptime të shumtë.

 “Mesjeta ime” ka si nëntitull përcaktimin “Confessiones”, por, siç autori na shpjegon: “Unë nuk rrëfej mëkatet, por ankthet” sepse ai nuk është admirues i lojës së teatrit kristian si Agustini e Tolstoj por, “admirues i teatrit athinas dhe eleuzinian”. Loja që preferon protagonisti lidhet me misterin, jo me rrëfimet. Më tej, autori vazhdon të shpjegojë titullin e librit, sipas të cilit ka dy kuptime: shpreh një dëshmi dhe një dëshirë. Dëshmia përfaqësohet nga të dhënat autobiografike, dëshira përfaqësohet nga profecia që ulurima parnasiane (apo e origjinës) do të flasë; edhe pse në mes të pyllit, do të gjejë “shtëpinë e qënies” dhe rrugëtimi drejt dritës do të vazhdojë pikërisht për të ndërtuar tempullin që të mbajë veç emrin e vet, Apolloni. 

Nëse për Dante-n “mesi i jetës së tij ishte 28” dhe jo 35, kur “iu shfaq vizioni dhe nisi ta shkruajë Komedinë hyjnore”, tek numri 35 si moshë e mesit të jetës lexojmë ankthin e vonesës (si krijues) të autorit.

Tek ëndrra me George Bernard Shaw dhe tek zgjedhja e tij që kësaj radhe të mos tallej me fjalë por me paraqitje ne shohim aty një udhëzim se si duhet lexuar fiksionalja: përmes lojës. Forma është loja, serioz është mesazhi.

Në këtë linjë është edhe rrëfimi për poezinë “dadaiste” që i tregonte gjyshja: fillimin që e kishte mashtrues (si titulli “Mesjeta” apo ‘confessiones’ të mëkateve), kapuçkuqi zhduket (lojcaku që fshihet), pastaj nis Tomi e Xheri (loja autor-lexues). Paralajmërimi që jep në këtë rast protagonisti ynë është se nëse do të luash, loja nis pas disa leximesh, jo vetëm me një lexim. (“Kur e dëgjoja të përsëritur”).

 “Ju të gjithë thoni ‘pse?’, kurse unë them ‘Pse jo?[28]– është llogaria që ai i jep lexuesit që e ka kuptuar lojën. 

Sa i takon epilogut “Via”, vetë autori është shprehur se: “…është krejt filozofik dhe simbolik, është më i shkurtri, por është më i rëndi, më i vështiri për t’u kuptuar[29] Duke qenë tekst i hapur, çdo lexues gjen një alternativë ndryshe interpretimi. Për disa, “Via” mund të merret edhe si shenjë dorëzimi. Mirëpo, ne mendojmë se duke përdorur auto-ironinë: “më duket se bashkë me gjysmën e jetës, më ka ikur edhe gjysma e trurit”, protagonisti e ka mundur errësirën:“Nisem drejt dritës”. Ashtu edhe autori, shkrimtari dhe intelektuali Apolloni arrin të sfidojë errësirën mesjetare të Kosovës duke u iluminuar përmes asaj që më së shumti do: letërsisë/artit.

Në funksion të roman-à-clef është edhe përdorimi që i bëhet erudicionit, për hir të receptimit. Titulli i veprës Mesjeta ime i bëri lexuesit të mendonin se kishin vetëm dy opsione: se do të lexonin ndonjë histori personale (ndoshta të errët) ose do të lexonin “disa” histori mbi mesjetën dhe çfarë e shoqëroi atë. Të dy këto opsione dolën të pavlefshëm. Të njëjtën gjë mund të themi edhe sa i takon erudicionit: nuk kemi të bëjmë vetëm me shfaqje të parapëlqimeve autoriale, apo me një paradë njohurish por, me një strategji rrëfimi. “Tash duhet të dish të lexosh, përveç librit, edhe filmin, muzikën, pikturën, arkitekturën dhe krejt kulturën, krejt jetën. Ne udhëtojmë nëpër pyje semiotike. Po s’ditëm t’i lexojmë shenjat, jemi të humbur”.[30]

Nësë i ndjekim me kujdes nga fillimi deri në fund, citimet brenda rrëfimit dhe jashtë tij (fusnotat) lidhen më së shumti me: letërsinë/filozofinë, me teatrin/filmin, me muzikën, me përkthimet dhe me përmendjen e paraardhësve dhe bashkëkohësve të autorit. Ne e kemi paraqitur me një skemë se si e shohim ne një përdorim të mundshëm të kësaj strategjie të shpërfaqjes së erudicionit në tekst:

Letërsia si frymëzim e kuptim i jetës; piktura është arti, e bukura; muzika që dikton ritmin e fazave të ndryshme të jetës; teatri/filmi si dëshira e nevoja të mos harrojmë lojën e aventurën; përkthimet si nevojë të përjetshme për dialogim, qoftë edhe si “traduttore traditore” dhe të gjitha këto e bëjnë rrugëtimin e jetës më domethënës, qoftë si përjetim e qoftë si histori për t’ia rrëfyer të tjerëve: “Dua të lë diçka këtu që t’i mbulojë shpenzimet e mia për qëndrimin tim si mysafir në tokë”.[31]

Duke ia rrëfyer të tjerëve, Ag Apolloni, i cili është edhe pedagog përveçse shkrimtar, kërkon të japë mësimin e jetës: se gjetja e vetvetes është liria; te liria duhet kërkuar e bukura; se jo çdo fazë e jetës ka të njëjtin ritëm, por gjithmonë duhet ta ndjekësh; se duhet të njohim, pranojmë e të mësojmë ta luajmë lojën e të argëtohemi (edhe kur na e luajnë lojën); se vetëm me dije dhe kulturë mësojmë si të bashkëjetojmë me të ndryshmin tonë.

***

Në trajtë përfundimi mund të themi se Mesjeta ime është një vepër ku luhet kukafshehthi mes autorit dhe lexuesit. Një arkitekturë e tillë e veprës ku artikulimi i pjesëve bëhet përmes kamuflazhit dhe loja bëhet me fjalët në vetvete, flet për vlerë estetike dhe kënaqësi leximi njëkohësisht. Gërshetimi i dy niveleve të rrëfimit që na vjen si dëshmi e dëshirë, është realizuar me një gjuhë të pasur figurative dhe përmes njohjes së thellë të teorisë.

Natyrisht, ky është një lexim jo shterues dhe më shumë nxitës, që duhet plotësuar edhe më tej.  Mesjeta ime është nga ato vepra që sapo e mbyll, mbetet e hapur për shumë interpretime dhe përballon çdo teori të kritikës letrare: që nga ato strukturaliste e deri tek ato të receptimit. Këto janë tipare të një letërsie cilësore.

Trinia Ulalume-Allegoria-Via e klasifikon veprën si roman-à-clef, sepse aty na tregohet se në fund të fundit, pavarësisht të gjitha të vërtetave që rrëfehen brenda, ky është një libër kushtuar frymëzimit, krijimit dhe subjektit krijues, pra vetëm letërsisë. Autobiografia si rrëfim dhe erudicioni si mjet ishin thjesht mburoja, maska që humbte gjurmët e fiksionit; ishin thjesht skena ku u zhvillua shfaqja, loja. Kjo është mënyra odisejake për të lënë shpellën. Fiksioni i duhej veprës, sepse “në jetë lejohet pak gjë, në roman gjithçka”. (Dibra, 2004:3)

Nëse sprova jonë konsiderohet fajtore, ne e lemë Todorov-in të përgjigjet: “Nëse autori mund të mos e kuptonte aq mirë atë që ishte duke shkruar, këtë e dinte tregimi”. (Todorov, 2000:73)


[1] Sherif Luzha gjatë fjalës së mbajtur në promovimin e librit Mesjeta ime në Prishtinë, më 28 shkurt 2019.
Link: https://www.youtube.com/watch?v=33HStZnkO2M
[2] Ag Apolloni, Ulurima e ujkut, “BardBooks”, Prishtinë, 2019, fq. 9.
[3] Ag Apolloni i ftuar në emisionin “Bon Bon” ne RTV 21, më 01.03.2019 në Kosovë.
Link: https://www.youtube.com/watch?time_continue=5&v=EV7tXTCkWqQ&feature=emb_title
[4] Ag Apolloni i ftuar në emisionin “Express” në Koha Vizion më 27.02.2019 në Kosovë.
Link: https://www.youtube.com/watch?v=8qMbtvirAyQ
[5] Është një nga 4 teknikat që praktikonte Leonardo Da Vinci në pikturë: sfumato, cangiante, chiaroscuro dhe unione.
[6] Besnik Jaha: “Mesjeta ime e Ag Apollonit dhe Mesjeta jonë”, në: www.kultplus.com, datë: 20 shkurt 2020. 
[7] Memoria dhe Pronuntiatio.
[8] Ag Apolloni, Mesjeta ime, “Bard Books”, Prishtinë, 2019, f. 11.
[9] Ag Apolloni, “Autobiografia amorfe”, në: Revista “Symbol”, nr.13, Tiranë-Prishtinë-Shkup, 2018, f.50.
[10] Citimet janë marrë nga ribotimi i vitit 2019.
[11] Ag Apolloni, Mesjeta ime, “Bard Books”, Prishtinë, 2019, f. 11. 
[12] Umberto Eco, Emri i trëndafilit, “Elena Gjika”, Tiranë, 1996, fq. 452.
[13] Ag Apolloni, Mesjeta ime, “Bard Books”, Prishtinë, 2019, fq. 23.
[14] Sepse, sipas Genette, narrateri ndodhet vetëm brenda rrëfimit fiksional. Ai dallon nga lexuesi. Narrateri është lexuesi fiksional që bashkëpunon në rrëfim.
[15] Ag Apolloni, Mesjeta ime, “Bard Books”, Prishtinë, 2019, f. 9.
[16] Ag Apolloni, Mesjeta ime, “Bard Books”, Prishtinë, 2019, f. 13.
[17] Ag Apolloni, Mesjeta ime, “Bard Books”, Prishtinë, 2019, f. 113.
[18] Këto elemente, Genette i quan paratekste. Natyrisht, kopertina shihet para se të fillojë leximi i veprës, por ‘studiohet’ edhe një herë pas leximit, e sidomos për një vepër si Mesjeta ime, ku titulli, fillimisht,  çonte në shtigje të tjera. 
[19] Në shkrimet e Apollonit preferohet dikotomia Dionis-Apollon.
[20] Disa shkrimtarë nuk i parapëlqejnë promovimet dhe kanë deklaruar hapur se i urrejnë intervistat.
[21] Për më shumë, shih: Brian McHale, Postmodernist fiction, “Routledge”, New York, 1994.
[22] Shih Hysni Hoxha (ed.), Çështje të romanit, “Rilindja”, Prishtinë, 1980, f. 315.
[23] Ag Apolloni, Mesjeta ime, “Bard Books”, Prishtinë, 2019, f. 57.
[24] Të gjitha nënvizimet e fjalëve në vijim janë për këtë qëllim.
[25] Ag Apolloni, Mesjeta ime, “Bard Books”, Prishtinë, 2019, f. 76.
[26]Ai është i ndarë në shumë mendje, në shumë personalitete, përndryshe, si do të mund të krijonte?”, në: Mesjeta ime, f. 86.
[27] Ag Apolloni, Mesjeta ime, “Bard Books”, Prishtinë, 2019, f. 79.
[28] Ag Apolloni, Mesjeta ime, “Bard Books”, Prishtinë, 2019, f. 72.
[29] Ag Apolloni i ftuar në emisionin “Express” në Koha Vizion më 27.02.2019 në Kosovë. Link: https://www.youtube.com/watch?v=8qMbtvirAyQ
[30] Ag Apolloni, Mesjeta ime, “Bard Books”, Prishtinë, 2019, fq. 58.
[31] Ag Apolloni, Mesjeta ime, “Bard Books”, Prishtinë, 2019, fq. 113.

LITERATURA:

APOLLONI, Ag: “Autobiografia amorfe”, në: Revista “Symbol”, nr.13, Tiranë-Prishtinë-Shkup, 2018.APOLLONI, Ag: Zomb, “BardBooks”, Prishtinë, 2019.
APOLLONI, Ag: Ulurima e ujkut, “BardBooks”, Prishtinë, 2019.
BOOTH, Wayne C.: The Rhetoric of Fiction, “The University of Chicago Press”, Chicago, 1982.
DIBRA, Ridvan:  Kumte dashurie, “Dudaj”, Tiranë, 2004.
ECO, Umberto: Lector in fabula, “Bompiani”, Milano, 2010.
ECO, Umberto: Emri i trëndafilit, “Elena Gjika”, Tiranë, 1996.
GENETTE, Gérard: Figures of literary discourse, “Columbia University Press”, New York, 1982.
GENETTE, Gérard: Figure III. Discorso del racconto, “Einaudi”, Torino, 1976.
HOXHA, Hysni (ed.): Çështje të romanit, “Rilindja”, Prishtinë, 1980.
JAHA, Besnik: “ ‘Mesjeta ime’ e Ag Apollonit dhe Mesjeta jonë”, në: www.kultplus.com
McHALE, BRIAN: Postmodernist fiction, “Routledge”, New York, 1994.
TODOROV, Tzvetan: Poetika e prozës, “Panteon”, Tiranë, 2000.

ObserverKult