Mesopotamia, vendi i lashtë- atje ku filloi historia

Ideja e Mesopotamisë, e ka dehur për shekuj me radhë Perëndimin. Alastair Sooke, hedh një vështrim mbi qytetërimin ku u formësua pjesa dërrmuese e kulturës moderne.

Nga: Alastair Sooke

“Të gjithë kanë dëgjuar për Kopshtet e Varura të Babilonisë, Kullën e Babelit, Nabukodonosorin dhe Përmbytjen”- thotë Ariana Tomas, kuratore e antikave në departamentin e Lindjes së Mesme në Muzeun e Luvrit. “Pra, siç e shihni, Mesopotamia është shumë më e njohur nga sa mendojnë njerëzit”. Po qëndrojmë në hyrje të Fillimit të Historisë në Mesopotami, një ekspozitë e re prej gati 500 objektesh në Luvër, në qytetin verior francez të Lensit.

Duke përfshirë 3.000 vjet të historisë së Mesopotamisë (një zonë që afërsisht korrespondon me Irakun e sotëm), ekspozita fillon me shpikjen e shkrimit, në fund të mijëvjeçarit IV Para Krishtit, dhe përfundon në vitin 331 Para Krishtit, me pushtimin e Babilonisë nga ana e Aleksandrit të Madh.

Në të ka shumë objekte historike interesante dhe vepra arti madhështore, si një statujë alabastri që daton rreth vitit 2250 Para Krishtit, e cila paraqet një zyrtar të ulur, veshur me një tunikë të punuar, me mjekrën, kokën e rruar dhe sytë mahnitëse ngyrë blu të lapis lazuli-t. Galeria e pare, shënon “rizbulimin” e Mesopotamisë në shekullin XIX-të, kur arkeologët filluan gërmimet në Lindjen e Mesme.

Ata qenë përqendruar më shumë në zbulimin e fundit të perandorive asiriane dhe babilonase të Mesopotamisë, të cilat deri në atë moment, kujtoheshin kryesisht vetëm nëpërmjet referencave në Bibël dhe teksteve klasike. Jo vetëm që ata gjetën kryeqytetin e lashtë asirian të Khorsabadit, disa milje në veri-lindje të Mosulit në veri të Irakut, por zbuluan gjithashtu qytetërimin e harruar sumer, që dominonte dikur jugun e vendit.

Shpejt, ideja e Mesopotamisë e dehu Perëndimin. “Ajo ngërtheu imagjinatën evropiane, pasi njerëzit i panë fuqitë perandorake të shprehura në imazhe, me të cilat ata mund të bënin lidhjen”, shpjegon Pol Kollins i Muzeut Ashmolean të Oksfordit, libri i ri i të cilit, “Male dhe Ultësira: Irani i Lashtë dhe Mesopotamia” u publikua muajin e shkuar.

“Po ashtu, ajo dukej sikur ndriçonte botën e Biblës. Qe një botë e huaj dhe ekzotike, por me tipare themelore që janë të njohura:perandori, qytete, mbretër. Një video-projeksion në galerinë e dytë të ekspozitës të Lensit, zbulon shkallën në të cilën ajo që ne mund ta quajmë “Mesopotami-mania” ka depërtuar në kulturën tonë.

‘Toka mes lumenjve’

Në shekullin XX, Mesopotamia ishte një gur prove për të gjithë, nga artistët dhe arkitektët (dëshmi janë zbukurimet në ndërtesën Fred F French Building, një rrokaqiell Art Deco në Nju Jork), për reklamuesit dhe producentët e filmave (kini parasysh rolin kryesor të luajtur nga demoni Mesopotamian Pazuzu në vitin 1973, në filmin horror Ekzorcisti).

Sot, Mesopotamia i ka dhënë një frymë e re jetëdhënëse kulturës popullore, falë suksesit të videolojës ‘Civilisation’ dhe famës së Pazuzu-t në universin ‘Marvel Comics’. Duke pasur parasysh këtë mori referencash, është joshëse të shtrohet pyetja nëse qytetërimet e lashta në këtë rajon të madh, i cili përkon me shumicën e Irakut të sotëm, por përfshin edhe pjesë të Sirisë dhe Turqisë, ka formësuar apo jo botën tonë në një kuptim më themelor. Siç do të pyeste  Monti Piton, çfarë bënë Mesopotamianët për ne?

Përgjigja rezulton se është:bënë shumë. Por, para se të hyjmë në zemër të çështjes, është e rëndësishme të kuptojmë se çfarë nënkuptojmë me Mesopotaminë. Qenë grekët e lashtë që e shpikën  këtë term, që do të thotë “tokë ndërmjet lumenjve”. Ata ishin duke iu referuar rajonit të sheshtë aluvional mes lumenjve Eufrat dhe Tigër, të ashtuquajturit “djep i qytetërimit”, ku njerëzit e parë lanë pas mënyrën e jetesës si gjahtarëve, dhe themeluan shoqëri të ngulura në një vend të caktuar dhe të bazuara tek bujqësia, të cilat qenë në lulëzim nga viti 6000 Para Krishtit.

Në një moment të antikitetit, në tokën e Sumerëve (Iraku dhe Kuvajti i sotëm), u shpik ujitja si një mënyrë për të shfrytëzuar tokën pjellore të Mesopotamisë jugore. Për të organizuar rrjetin e kanaleve të ujitjes, u ngrit një sistem administrativ që stimuloi me kalimin e kohës lindjen e qytet-shteteve të para, si Uruku, më pas mbretërive, dhe në fund perandorive.

Ajo çfarë lidhte fazat e ndryshme të historisë së gjatë të Mesopotamisë, qe një varg normash zakonore, traditash, mitesh e legjendash, dhe besimesh fetare – me fjalë të tjera, një kulturë  e veçantë dhe e sofistikuar. Pas shpikjes, rreth vitit 3200 Para Krishtit nga sumerët të shkrimit kuneiform – një sistem shkrimi që e ka emrin e vet nga fjala latine Cuneus (kunja), një referencë për format e dallueshme të shenjave që impresionuan skribët, me një majë që shkruante mbi tabelat e buta prej argile, të cilat më pas thaheshin në diell – këto zakone dhe besime janë ruajtur në tekstet e shkruara.

Shumë tabela zyrtare qenë vulosur edhe me vula cilindrike, një tjetër tipar dallues i teknologjisë mesopotame. “Ideja e Mesopotamisë është e bazuar në nocionin e të shkruarit”- shpjegon Kollins. “Në këtë kuptim, ne mund të lidhemi me periudhën e 3.000 viteve më parë nëpërmjet tekstit të shkruar. Qenë shkruesit dhe burokratët, ata që ruajtën traditën, megjithë ngritjen dhe rënien e perandorive, dhe ardhjen e njerëzve dhe ideve të reja. Mesopotamia është si një sfungjer. Sa herë që mbërrijnë në rajon njerëzi të rinj, ata adoptojnë traditat e vjetra të Mesopotamisë. Ne shohim shumë vazhdimësi në aspektin e besimeve fetare dhe praktikave administrative”.

Enë shkrirjeje

Përderisa Mesopotamia është kaq e vjetër, ajo mburret me shumë “gjëra të para”. Arkeologët flasin për shpikjet teknike, si rrota e poçarit, dhe përparimin emrekullueshëm në matematikë, mjekësi dhe astronomi. Mënyra se si e llogarisim sot kohën, duke e ndarë çdo orë në 60 minuta, është diçka që e kemi trashëguar nga Mesopotamianët. Edhe konsumi i parë i birrës është vërtetuar se vjen nga Mesopotamia, ku u zhvillua gjithashtu përpunimi i qumështit dhe thurrja.

Sipas Ariana Tomas, vendndodhja e Mesopotamisë qe një faktor i rëndësishëm në suksesin e saj, dhe mbështetej nga një bazë jashtëzakonisht e pasur bujqësore. “Mesopotamia ndodhej saktësisht në qendër të Lindjes së Mesme”-shpjegon ajo. “Ndërsa toka e saj e thatë, u dëshmua shumë pjellore me ujitjen, ajo gjithashtu duhej të hapej ndaj botës së jashtme, pasi nuk kishte burime të rëndësishme, duke përfshirë pyjet, gurët dhe metalet”. Kjo do të thotë se qytetërimet e Mesopotamisë, ishin të hapura ndaj vendeve të tjera dhe dinamike.

Në librin e tij të ri, Pol Kollins gjurmon ndërveprimin midis Mesopotamisë dhe popujve të malësive të Iranit të sotëm. Malet Zagros qenë të pasura me bakër, i cili mund të përdorej për prodhimin e mjeteve dhe armëve, si dhe plumb, argjend dhe ar. “Monumentet e mëdha të Mesopotamisë, prodhoheshin shpesh apo zbukuroheshin me materiale që vinin nga Irani”-shpjegon Kollins, duke iu referuar mureve me tulla prej balte, disa kate të larta, që karakterizuan qytetet e Mesopotamisë (sidomos Babiloninë), dhe frymëzuan Kullën e Babelit.

(Mjerisht, gjatë viteve të fundit, i ashtuquajturi Shtet Islamik ka shkaktuar dëme të pariparueshme tek shumë monumente të rëndësishme dhe site arkeologjike të Mesopotamisë). Megjithatë, Kollins beson se thjesht renditja e shpikjeve të Mesopotamianëve, mund të rezultojë në një pamje të shtrembëruar të historisë. “Sumerianëve u njihet gjithashtu përherë merita e shpikjes së çdo gjëje”- thotë ai me shpërfillje. Në vend të kësaj, thotë ai, arkeologët tashmë e cilësojnë më të vlefshme të përqëndrohen tek “forcat” që ndikuan nga jashtë Mesopotaminë.

“Mesopotamia ishte një enë shkrirjeje, me një popullsi të përzier”-shpjegon ai. “Njerëzit flisnin gjuhë të ndryshme, dhe me sa duket kishin tradita të ndryshme kulturore. Pra, shpesh, njerëzit mendojnë thjesht rreth “Sumerëve” apo “Asirianëve”, kur sigurisht jemi duke folur për një shoqëri shumë më komplekse”.

Për Kollins, kontributi më i rëndësishëm i Mesopotamisë për botën moderne është qyteti, ku mund të ndodhë i gjithë ky ndërveprim dinamik. “Gjatë shekujve të ndryshëm, ne shohim zhvillimin e qendrave urbane masive, me mijëra njerëz që jetojnë së bashku”- thotë ai. “Se çfarë i ka shtyrë ata të bëhen bashkë, ne ende s’mund ta themi. Ekzistojnë të gjitha llojet e faktorëve të mundshëm, si mjedisi, apo nevoja për të menaxhuar burimet. Në fund të fundit, ne mund të flasim për individë të rëndësishëm, të cilët detyruan apo inkurajuan njerëzit t’i mbështesin. Pra, i njëjti lloj faktorësh që shohim në politikën moderne, mund të shtrihet edhe tek ato që shohim në arkeologji”.

Ai vazhdon:”Por pasi qytetet krijohen, ato nuk ndalen kurrë. Mesopotamia na jep provat më të hershme që kemi për njerëzit që përballen me shumë nga pyetjet për të cilat ne duhet ende t’i japim përgjigje. Si mund të menaxhojnë një numër të madh njerëzish që jetojnë së bashku? Si mund t’i ushqejmë? Si duhet menaxhuar mbipopullimi? Dhe çfarë teknologjie – si mjetet administrative të shkrimit dhe vulat cilindrike – ju lejojnë të krijoni hierarkitë dhe kuptimin në një shoqëri, në mënyrë që te kemi një sens të identitetit kolektiv? Kjo është arsyeja pse qytetet, në kuptimin që kemi sot, janë trashëgimia më e madhe e Mesopotamisë”./“BBC” – www.bota.al

LEXO EDHE: Zbulohet mesazhi i mbretit të fundit babilonas