Presidenti i Republikës, Ilir Meta inicioi sot nismën që ka ndërmarrë “U’ jam Arbëresh” me mbajtjen e takimit të parë të këtij Forumi në Institucionin e kreut të shtetit.
Duke iu drejtuar pjesëmarrësve të Forumit, mes të cilëve ishin të pranishëm ministri i Diasporës Pandeli Majko, kryetari i Bashkisë së Shën Mitrit Salvatore Lamirata, Padre Pietro Lanza i Kishës italo-arbëreshe, konsulli i Nderit Aldo Marino, akademikë, historianë, albanologë dhe intelektualë të shquar, Neritan Ceka, Paskal Milo, Tritan Shehu, Moikom Zeqo, Aurel Plasari, Pëllumb Xhufi, Nasho Jorgaqi, Gjovalin Shkurtaj, Shezai Rrokaj, etj., presidenti i Republikës vuri në dukje se:
“Kanosja reale e zhdukjes së kësaj gjuhe do të ishte një humbje e madhe jo vetëm për arbëreshët, të cilët e ruajtën atë me besnikëri të pashoqe dhe dashuri për gjashtë shekuj, por edhe për Shqipërinë, Italinë dhe për gjithë trashëgiminë dhe kulturën europiane e botërore.”
Më tej presidenti Meta nënvizoi se për të mos lejuar që të ndodhë kjo humbje, për të dhënë një kontribut konkret dhe në vazhdimësi të ruajtjes e zhvillimit të gjuhës dhe kulturës arbëreshe, por edhe për të forcuar lidhjet midis dy brezave të rinj dhe jo vetëm, nga të dyja anët e Adriatikut, unë besoj se jemi edhe në këtë forumi e në çdo nismë tjetër.
“Ky forum ka disa objektiva, ku ndër më parësoret janë nxitja, ruajtja, dhe zhvillimi i gjuhës së folur dhe asaj letrare arbëreshe e po kështu, edhe mësimi i saj në shkolla.” – theksoi presidenti Meta.
Në vijim, pjesëmarrësit në takim diskutuan dhe paraqitën mendimet e tyre rreth arritjes dhe zbatimit të objektivave të rëndësishme të Forumit “U jam Arbëresh”.
Presidenti të Republikës në Forumin “U jam Arbëresh”, ka thënë se Ideja për të ngritur një forum në mbështetje të arbëreshëve ka qenë në mendjen dhe në zemrën time prej të paktën një viti.
Kjo bashkësi, e larguar nga atdheu pas vdekjes së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut, krijoi dhe mban gjallë identitetin e vet kombëtar prej gati gjashtë shekujsh.
Gjatë të gjithë periudhës pas largimit, arbëreshët, krahas ruajtjes së trashëgimisë së tyre, u bënë edhe mbështetësit kryesorë të atdheut të tyre të ri, por edhe të atdheut që lanë pas.
U jemi mirënjohës gjithashtu për figura të shquara të letërsisë sonë si Jeronim De Rada, Gavril Dara dhe Zef Serembe, ashtu si edhe për faktin se ata përgatitën dhe frymëzuan shumë intelektualë të ndritur shqiptarë si Aleksandër Xhuvani dhe Luigj Gurakuqi, të cilët dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm për arsimin dhe pavarësinë e vendit tonë.
Cilido që studion veprimtarinë e figurave të ndritura që lindën prej bashkësisë arbëresh, që prej gjysmës së parë të shekullit të 19-të, do të bindej se projekti i parë i Rilindjes shqiptare, që ishte një projekt thellësisht europian, u formulua nga mësuesit dhe ish-studentët e Kolegjit të Shën Mitrit, më se gjysmë shekulli përpara se ai të merrte formë ndër intelektualët e Shqipërisë.
Urat historike dhe kulturore nuk u rrënuan kurrë, as në momentet më të errëta të historisë sonë.