Meta vlerëson tre nga emblemat e polifonisë shqiptare

Presidenti Ilir Meta vlerësoi tre nga emblemat e polifonisë shqiptarë, këngëtarë të grupit polifonik “Bejkë e bardhë”.

Në ceremoninë solemne të organizuar në sheshin kryesor të Pilurit, Kreu i Shtetit vlerësoi me Titullin e lartë, “Mjeshtër i Madh” , Kristo Çipa me motivacionin: “Për kontributin dhe talentin e spikatur në lëvrimin e këngës polifonike të Bregdetit. Si poet, prozator, publicist, organizator i grupeve folklorike dhe krijues i këngëve me karakter të theksuar lirik, shoqëror e atdhetar. Përçues i traditës dhe ideve të krijuesve popullorë e atdhetarë në trevën e Himarës”.

Gjithashtu, Meta vlerësoi me titullin “Mjeshtër i Madh”, Ermioni Mërkuri, me motivacionin: “Si një nga interpretueset më të talentuara të këngës polifonike piluriote. Me pasionin, zërin e rrallë dhe dashurinë për këngën e popullit te saj ajo ka luajtur një rol të madh në ruajtjen e traditës dhe kultivimit të mëtejshëm të folklorit të zonës”.

Ndërsa me titullin “Naim Frashëri”, Meta çmoi Dhimitraq Bala me motivacionin: “Si një prej këngëtarëve më të shquar të këngës polifonike. Me talentin e tij, si kthyes klasik e tradicional, i ka dhënë  frymë dhe timbër kësaj kënge, duke fituar admirimin e publikut të gjerë të isopolifonisë”.

“Mesazhet e Luftës së Vlorës duhet të jenë udhërrëfyes edhe në ditët tona!  Historia tragjike, por heroike e këtij fshati ngjan si dy pika uji me historinë e gjithë kombit tonë. Gjuha, kultura, zakonet, doket, këngët, vallet, karakteri pilurjotëve janë pjesë e ndritur e identitetit tonë kombëtar. Piluri ka qenë përherë burim force, urtësie dhe patriotizmi  Në këtë shesh e në këto rrapa ka ndjerë ngrohtësinë e gurit shumë kapedanë e burra  të shquar duke përmendur mes tyre edhe plakun e mençur të Pavarësisë dhe të shtetit tonë, Ismail Qemali”, tha Meta.

“Piluri nuk mund të perceptohet pa këngën e tij magjike. Kënga frymëzon luftën dhe zbukuron jetën. Breza të tërë në kushtet e një jete tejet të vështirë, janë frymëzuar dhe argëtuar nga kënga juaj perlë “Tundu Bejkë e bardhë tundu”. Ju i keni kënduar bukurive të bregut, dëshmorëve, betejave për liri, heronjve, lirisë së Kosovës dhe atdhedashurisë! Lirikat e Pilurit janë disa prej perlave në fondin e artë të iso-polifonisë dhe krejt kulturës sonë kombëtare”, u shpreh Meta.

Ky fshat, theksoi Meta, “Këngëtarët e “Bejkës së bardhë” e përcollën në mënyrën më të lartë artistike dhe në çdo skenë të vendit e të botës mesazhin e jetës dhe shpirtin e pilurjotit. Ndaj sot në shenjë nderimi, bashkë me kapedanët e Luftës së Vlorës kam kënaqësinë të vlerësoj edhe disa prej polifonistëve të shquar të këtij grupi. Edhe njëherë ju falenderoj për ftesën dhe për mikpritjen e përzemërt dhe vëllazore”.

“Lavdi heronjve të Luftës së Vlorës, lavdi kapedanëve dhe popullit të Himarës. Ju këndoftë zemra përherë. Urime dhe lumturi në familjet tuaj!”, u shpreh Meta./atsh