Gëzim Puka: Refleksion pas një promovimi

Nga Gëzim Puka

Romani “Mbyllur për pushime” i Stefan Çapalikut i drejtohet lexuesit humanist për të vërejtur mospërkryerjen në lëmë të komunikimit të historisë.
Përvoja ka treguar se vetëm shprehësia e gjuhës së letërsisë, në këtë rast e romanit në fjalë, e mundëson prirjen drejt kallëzimit të historive, që na bëjnë të reflektojmë rreth vetes dhe të tjerëve.
Poetika e tij origjinale, sipas mendjeshkrepjes sime, nuk qëndron tek historia e rrëfyer nga humbësit, poetikë kjo e nyjëtuar edhe më parë në letërsinë shqipe nga Petro Marko, Ismail Kadare e të tjerë, por me shumë “dhelpëri” autori e ka përdorur këtë teknikë për të rrëfyer njerëzoren, duke reflektuar rreth mundësive të zgjedhjeve që bëjnë personazhet në jetë. Cilëndo anë të historisë që të zgjedhësh, është e rëndësishme të mbetesh njeri.
Aktualizimi i këtij teksti më duket si “dush i ftohtë” në kontekstin tonë politik e shoqëror, sepse pavarësisht zgjedhjeve që bëjmë në momentet më të vështira të “qenëzimit” apo “ujqërimit” të konflikteve politike e historike, kush është për së mbari, domethënë artisti, vijon të mbetet njeri në çdo kohë. Sipas meje, nuk është thjeshtë një histori e rrëfyer nga humbësit, por është një nga historitë e qenësisë njerëzore në kuptimin më të plotë të kësaj fjale.
Po cilat janë lëvizjet kryesore interpretative për këtë vepër:
Fragmentariteti është tipar i poetikës së romanit. Është një tekst me një lëvizshmëri të skajshme, ku bluhen nga subjekte-aktantë, “objekte” historike më vlerë ideologjike ekstremiste fashiste apo komuniste qofshin, që lidhen dhe bashkohen në programet e shumta rrëfimtare që ka romani. Bashkimet dhe ndarjet e subjekteve njerëzore janë ngjarje, që përsëriten përmes kohëve foljore e kryer e thjeshtë dhe më se e kryer, kohë këto që më së miri shprehin ndërprerjen e gjatë gati njëshekullore me sfondin historik të romanit, Shqipërinë e viteve të pushtimit italo-gjerman.
Evokimi, përmes të cilit prezantohet në mënyrë të gjallë skena dhe rrethanat e veprës së fundit të Luftës së Dytë Botërorë në tri hapësira të ndryshme: Shqipëri, Jugosllavi dhe Austri. Ritmi i rrëfimit mundohet të përmbledhë ritmin e kohëve që po ndryshonin me një shpejtësi të jashtëzakonshme.
Zgjedhja e një pozicioni prej narratori të gjithëdijshëm është në funksion të këtij ritmi. Duket se me qëllim nuk zbritet në rrëfimin e brendshëm psikologjik të personazheve, për t’ia lënë lexuesit plotësimin e mungesave emocionale të karaktereve, që janë aq të bollshëm në këtë roman. Duke gjykuar nga emrat e personazheve është e dallueshme lidhja me njëmendësinë historike, së cilës ata i referohen, qofshin të trilluar, qofshin realë (me emra të ndryshuar), si: Melica, Herman Janas, Prof. Shiroka, Margarita, Luka, Doktor Sajmir Preza, Ambasadori Flip, Ibrahim Harapi, Marina, Bim Kurbani, Usta Mihali, Hasani, Ali Xhixha (n’tel), Padër Andrea, Lazër Shiroka, Osmani, Sonia, e plot të tjerë që nuk i shkrova dot.
Stefan Çapaliku duket se në këtë vepër kapet pas një imazhi thellësisht personal për historinë, si dhe duke u thelluar në leximet e shumta kronikore mbi të. Ditarët personalë apo kronikat që dëshmojnë histori, janë mjedise të bollshme tematike, ku mund të ngjizet shprehësia estetike e një proze letrare, që në rastin tonë është një provokim përmes historisë së rrëfyer nga humbësit.
Ironia qëndron në faktin se ai nuk i madhëron humbësit, por as fituesit. Rrëfimtari ka marrë një pozicion të lartë dhe po bën detyrën, përmes përvujtnisë së skajshme prej artisti, në roman madhërohet veç njeriu, i rëndësishëm apo i parëndësishëm qoftë ai. Njeriu të cilit nuk i bëhet kurrë vend në historitë e vërteta. Njeriut si ushtar i thjeshtë, që bredh pas udhëheqësve fitimtarë apo humbës, dhe dënohet me harresë.
Duke u ndalur në tregimin e rrethanave që kanë shoqëruar leximin tim, mendoj se “klikimi” më e mirë në roman, për aq vend sa ato kanë, qëndron tek dy personazhe: Padër Andrea dhe Ali Xhixha (n’tel).
I pari, padër Andrea, i referohet një figure të rëndësishme ideologjike dhe politike të kohës, At Anton Harapit, i konsideruar nga historia e shkruar më vonë nga fitimtarët, si kolaboracionist i rrezikshëm. Rrjedhimisht i pushkatuar nga rregjimi, që u instalua në Shqipëri. Rrëfimtari në asnjë rast nuk e fsheh animin zemërak që ka prej imazhit të krijuar më vonë për këtë figurë historike, e cila në gjykimin tim bëhet simbol i të përmbysurve të keqkuptuar. Këtë e dëshmon edhe në një copëz teksti, që na vjen përmes ndërtekstorësisë, direkt nga fjalimi historik i Anton Harapit në Këshillin e Naltë të Regjencës. Citojmë:“More, me kobure në gjoks nuk bâhet kush as vllá, as shoq, por ja skllav, ja mizuer apo hypokrit.”
Ali Xhixha (n’tel) merr një tjetër ngarkesë simbolike në roman, është ai pehlivani shëtitës i fiksuar në celuloid, që habiste dynjanë me ekuilibrin e tij, ndërsa ecte me një shkop të gjatë mbi telin që bashkonte minaren e xhamisë dhe kompanjelin e kishës në Tiranë. Shpotia autoriale rrethon këtë simbolikë qesharake, e cila kërkon të dëshmojë në mënyrë artificiale një butësi të qëndrueshme dhe pa asnjë sforcim në mes njerëzve në qytetet e Shqipërisë. Ndërmendet edhe rasti i Shkodrës ku myslimanët jetojnë në lagjet perëndimore e të krishterët në lagjet lindore. Në leximin tim ky refleksion nuk mbart aspak ironinë e një paradoksi, por është rrezatim i një pohimi të drejtpëdrejtë për përkatësinë dhe orientimin e përhershëm perëndimor të shqiptarit brenda mendësisë dhe entitetit të tij, bash ashtu siç e dëshmuan në esetë e tyre të famshme Sami Frashëri e Pashko Vasa.
Mbase keqkuptohet ndonjëherë patetizmi, por duhet të themi të vërtetën, se kush është rritur në një qytet të çuditshëm si Shkodra, në Perëndim apo në Lindje të tij, i ka trashëguar mëdyshjet e të parëve në kapërcyell të kohëve, që po ndryshonin dhe që shpreheshin me fjali të tipit: “Kur hyni, Partia… (kupto: “Kur u çlirua Shqipëria…”); “Po me pas fitue Gjermania?!” etj.
Kjo është e bukura e historisë së letrarizuar, sepse përpiqet jo thjeshtë të futet në lëkurën e epokave, por edhe t’i shohë ato me emocionin e së tashmes gjithmonë më njerëzore.
Qëllimshmëria e romanit “Mbyllur për pushime” duket një ndërmendje e thellë e shtresëzimeve historike, të thëna e të pathëna, për të përfunduar tek fitorja e njeriut të paqtë. Që prej kohërave që s’mbahen mend, në fund të fundit betejën me historinë e fiton ai që kallëzon bukur. Kjo është arsyeja që tek “Republika” e Platonit nuk kishte vend për “fabulat e rreme të poetëve”. Megjithatë historitë magjepsëse mbijetuan.
Këshillojmë që për herën e parë është një roman për t’u lexuar me një frymë, pa i respektuar shumë ato pauzat ndarëse, të shkurtra dhe të gjata, që sugjeron autori. Ndërsa për herën e dytë duhet përtypur mirë, që të lërë shijen e duhur.
Për të nxitur kuriozitetin tuaj, pa ia hequr “lezetin” telenovelës së shumëpritur në orarin e caktuar, do ju ftoja të gjenit kohë edhe për këtë libër, nga i cili po citoj rreshtat e fundit që mbyllin romanin:
“Dhe ashtu marramendshëm shkuan deri te dera e restorantit “Pëllumbi i bardhë”. Aty Osmani e lëshoi ngadalë Sonian mbi këmbët e veta. Por askush aty. Mbi derë Bim Kurbani kishte shkruar me dorën e vet në një tabelë kartoni: “Mbyllur për pushime””.

LEXO EDHE: “Mbyllur për pushime”, Stefan Çapaliku promovon librin e ri