Michel Houellebecq: Dashuria-dashuria

Poezi nga Michel Houellebecq

Në porno-kinema ca pensionistë pleq
Kundrojnë pa besuar
Filmimet lakuriq ku rreken mos më keq
Dy çifte të harbuar.

Ja pra ç’fytyrë ka e famshmja dashuri,
Surrat e jo fytyrë:
Një palë kanë sharm, joshin për mrekulli,
Të tjerët… me të shtyrë.

Kjo pala që ngashnjen, që ka gjithatë sharm,
E di se ç’është orgazma,
Por sa dhe sa të tjerë nuk ndjenë kurrë alarm
Me spazma e fantazma.

Për ta ka veç vetmi, që ua rëndon dhe më
Graria bishtpërdredhur;
Një dramëzë e fshehtë e bindjes që “atë”
Në dorë s’kanë për ta hedhur.

Do vdesin, sigurisht, një çikëz me zhgënjim
Dhe pa ëndrra lirike,
Stërvitur me përçmim të vetes gjer n’amshim
Si diçka mekanike.

Atyre po u them, që s’dashuruan dot
Dhe mbarë nuk u vate,
Atyre që nuk ditën ç’është seksi liriplot,
As ëndja surrogate:

Mos çani kryet hiç, se nuk ka dashuri
Dhe se askush s’e gjeti;
Është veç një fat i zi që do t’ju bënte fli,
Një lojë specialiteti.

Përktheu: Aurel Plasari

ObserverKult


Lexo edhe:

HOUELLEBECQ DHE PORTRETI I RRËZIMIT TË NJË SHOQËRIE

Nga Agim Baçi

Si mund ta mendojmë një botë ku Dashurisë “nuk i lejohet” më thuajse asgjë për të thënë, apo kur prej rendjes pas saj rrezikon që të mbetesh jashtë vrapit të botës? Michel Houellebeck prej më shumë se 20 vitesh ka ardhur me një prozë provokative mbi portretin e zbehur të një shoqërie që shkëputet pak nga pak hallkat e të qenurit së bashku, e që na shfaqet ulur në prehrin e një individualizmi që zëvendëson çdo ditë dashurinë me seksin, që zëvendëson familjen me thërrmimin e saj të përditshëm.

Mishel Zhersinski, personazhi që bart prej autorit jo vetëm emrin, por edhe mjaft detaje nga jeta e tij familjare, sidomos në lidhje me të ëmën, është një person gati aseksual, që vrojton se si liberalizmi e ka futur seksin në treg, duke e klasifikuar si çdo biznes tjetër, ndërkohë që familja vijon të zbresë në fund të honit, me zë e gjithnjë e më të dobët për botën…

Tekstin e plotë e gjeni KËTU