Mid’hat Frashëri: Cili duhet të jetë ideali ynë?

Midhat Frashëri

Nga Mid’hat Frashëri

Një popull nukë rron dot pa ideal, pa një shtytkë, pa një qëllim që e bën të ecënj, të punojë, të përpiqetë dhe të përparojë.
Njeriu lind natyrisht aktif:lëvizja dhe tundja i janë të nevojë-shme; i sëmuri që mbërthehetë në shtrat, i burgosuri që dënohetë me të mos dalë jashtë odës, bien në mërzitje dhe në melankolí. Burgimi në vetësirë është një nga mê të rëndët e mundimevet. Njeriut i duhet të ecnjë, të lodhetë, të punojë, të flasë.

Po puna dhe aktiviteti i njeriut si individ, i një njeriu të vetëm, veç dhe veç, janë të humburë po që njerëzit nukë ditnë të bashkojnë punimin dhe aktivitetin e tyre, t’a drejtojnë në një qëllím, në një drejtím. Ahere dhjetë njerës bëhenë sa një qint njerës, mbase dhe sa një mijë.

Ky qok që dinë të ndjekin njerëzit e një kombi, bëhetë ideali i ati kombi, bëhetë fuqija e tij morale. Pa një fuqi morale, pa një pikë drejt së cilës duhet të rendin së bashku, njerëzit dhe popujt vdirenë, shuhenë.

Vini re popujt e tjerë. Englezi ka për ideal të rrojë mirë, i lirë, dhe të sunojë botën: Ky ideal i jep bashkím dhe forcë, e bën me të vërtet të zotin, se drejt këtí qëllimi venë fuqit e njerëzvet, e shkrimtarëvet, e gazetarëvet, e qeverisë, e gjithpolitikanëvet, e çdo
Englezi që nga mê i madhi gjer ne mê i vogli gjer ne mê i vogli, që nga foshnjeja në djep gjer ne plaku që jep frymën e fundit, brënda në Ingliterë ose në Pol të Jugut.

Romanët e vjetër platnë për ideal të zaptojnë botën, të jenë të zotër dhe urdhëronjës të popujvet të tjerë. Kjo forcë e shpirtit, kjo dëshirë, i bëri që të formojnë imperatorinë mê të madhë, mê të pushtetëshme të dheut, se punuanë me besim ne ylli i tyre, me vullnet, të bindurë se fati dhe perënditë e kishin thirur Romën të bëhetë qendra e dheut.
Krishtërimi përparoj me të qetë dhe të butë, duke vuajturë dhe duke dhënë dëshmorë; qe një fuqi e madhe, fjeshtë shpirtore ajo që e bënte njerëzinë të ketë shpresë për jetën e qiellit, të siellë besím ne predikonjësi i Nazaretit. Vuajtje mbi kryqin, shëmbëlla e dhënë prej Krishtit në Golgota, qe një fuqi, një ngushëllim për martirët, që vinin gëzimin dhe lavdin e tyre në të rënë theror për Atin, Birin dhe Frymën e Shënjtë.

Arabët e Profetit Muhammed formuan impera-torinë e çuditëshme të tyre, nga Hindi e në Spanjë, tfaqnë qytetërin’ e lulë-zuarë, duke pasurë besim se Perëndija i kishte fatuarë të përhapin fjalën e Kuranit mbi gjithë faqen e tokësë. Ky besím u dha fuqi lëndore, u fryjti frymën e madhe për të zaptuarë botën dhe për të ngjallurë një qytetërím të gjerë.
Tyrqit nisnë si një çetë ushtare; ishin të bindurë se islamisma kishte nevojë për krahun dhe shpatën e tyre.

Edhe asgjë nuk’ u qëndroj dot përpara, që nga lumi Volga e ne lumi Tunë, nga stepet e Rusisë e në shkretinë të Saharës, nga mënga e Persisë e në Marok.
Kur humbèt ideali, besimi ne fati, kur venitetë qëllimi dhe çduketë qoku, atëhere trupi bëhetë si kufomë, i ka ikurë shpirti, rrëzohetë si thesi që i është derdhurë mielli.
Historija na rrëfen një tok shëmbëlla.

Po le të vimë mê afrë nesh: Greqia u-ngjall nga robërí e Tyrqisë, pse populli grek besoj me të vërtetë se është stërnip i Elinëvet, se kryqi orthodhoks do të luftojë me krahun e tyre fuqin’ e Muhamedit, se Perëndia i thëriste të ringjallin Bizansin, të bëhenë të lirë dhe fatbardhë.

Luftat e Grekëvet që më 1770 gjer më 1829 janë shëmbëlla plot mësim për forcën që munt t’i japë njeriut ideali, puna plot shpresë dhe vullnet, besimi ne fati i tij.
Bullgarët duallë në dritë kur kujtuan Borisin dhe Shishmanin, kur besuanë se Metodi dhe Kirili qenë paranikët e tyre, kur thanë se Bullgarija, Rumelija Orientale dhe Maqedhonija duhet të formojnë një Shtet të vetëm, të fortë dhe të begaçmë. Ky ideali i mbajti Maqedhonët bullgarët që të durojnë zgjedhën e Tyrqisë, të heshtin nënë verigat e Grekut dhe të Sërbisë, të mos dishprohenë kur u digjenë dhjetë herë shtëpitë dhe pshatrat e tyre. Shpresa me një pritmë të shkëlqyerë i bën të therorësojnë jetën dhe lumtërin’ e sotme.

Sërbija u-rrit dhe u madhua kur vërtet poetët dhe shkrimtarët e saj i inspiruanë se do të ketë i tëri kombi fatin e një pasaniku të lumturë të Dushmanit. Kjo fé i bëri të shohin shpesh të lirë përpara sy vet të tyre, të kenë kurajo përpara çdo rreziku, si kalorësi i zoti që hipën një kalë të mirë dhe s’i trëmbet syri, as nga hendeku, as nga ledhi.
Shpresa mbahetë me punë dhe me ideal. Ay që s’ka një qok, s’ka as fuqi, ësht’ i sëmurë. Entusiasma vjen prej dëshirës së fortë, prej amorit, prej vullnetit dhe dëshirësë. Ajo na bën që të duamë të rrojmë, të gëzojmë jetën. Ajo na bën, prapë që të therorësojmë jetën tënë për ëndrën dhe qokun.

Cili duhet të jetë ideali ynë?
Duhet të jetë madhëri dhe nderi i Shqipëtarit, njësí dhe bashkim i kombit, lumtërí dhe përparim i përgjithshëm.

Në qoftë se bindemi që duhet të jemi një faktor qytetërimi në Ballkanët, që do t’a bëjmë vëndin tënë një kënt toke të lulëzuarë, të pajuarë me gjithë bukuritë morale dhe materiale, se do t’a bëjmë kombin që të përmëndetë me nderim dhe lëvdatë, atëhere, padyshim do të ecim, do të përparojmë, të bashkuarë, të fuqisuarë, se do të kemi një dritë, drita që na jep dëshira e nderit dhe e madhërisë së përbashkët, dëshira që të zëmë një vënt në histori, një vënt nderi me një qytetërí tënë, me një literaturë, me një art, me një prosperitet lëndorë tënë.

Fuqija e shpirtit, ideali kombiar, do të na japë hov edhe për lumtërinë materiale. Mos reusitja personale nukë do të na dishpërojë mê, se do të mejtojmë sukcesin e përgjithshëm, do të kemi durim dhe metodë në punë, lark dishprimit dhe zëmërimit.

Ahere, kur të jetë ndezurë në zëmrët tënë ky zjar i ngrohtë, do të shohim se bashkimi i dëshiravet dhe i fuqivet, është një nevojë për neve, se therorësí e egoizmëse vetiake është një qejf për neve, se në të gjithë do të shikohemi si vëllezrit e shokëruarë për veprën e përbashkët, për të ngrehurë godin’ e shëndoshë të madhërisë sënë.


Përgatiti: ObserverKult

——————

Lexo edhe:

MID’HAT FRASHËRI: TË FALEM TY, O E DASHURA IME!


MID’HAT FRASHËRI: FOLMË, DUA TË DËGJOJ ZË NJERIU…