Migena Arllati: Pronësia autoriale, serioziteti dhe autoriteti në evoluimin jetësor- të gjitha këto për mua janë shumë të shtrenjta

Pyetësorit të Prustit në ObserverKult i përgjigjet shkrimtarja dhe studiuesja, Migena Arllati:

Cila është ideja juaj për lumturinë e përkryer?

– Vetë lumturia është një gjendje e lartë e të qenurit, e ndjesive, e komoditetit dhe gjithçkaje që njeriu percepton në lidhje me kënaqësitë që merr dhe jep në jetë. D.m.th se kjo gjendje, pra thjesht lumturia, ofron tërësinë e asaj që njeriut i mjafton për të qenë i lumtur. E përkryer? Për këtë pyetje do të përgjigjem po ashtu me një pyetje. A ka më përkryershmëri se lumturia? Na pëlqeu apo jo, jeta, në vijimësinë e gjatë të saj, na ofron pjesëza të arta apo të ndryshkëta, dhe gjithçkaja rreth nesh nuk mund të jetë kurrsesi në të njëjtën gjendje. Ashtu siç jeta lëviz, ashtu lëviz edhe të qenurit i lumtur apo jo i lumtur. Ndaj, s’na mbetet tjetër veç lumturinë ta dëshirojmë dhe të përkryerën ta synojmë. “Askush nuk ka të drejtë të më mësojë si do jem i lumtur”, shprehej I. Kant. E kemi a nuk e kemi lumturinë, ajo gjithsesi është në ne, qoftë edhe si ëndërrim a si dëshirim.

Cila është frika juaj më e madhe?

– Përgjithësisht, nuk kam frikëra në veten time ngase e di mirë dhe e njoh qartë çdo hap që bëj, çdo gjë që planifikoj, çdo investim dhe angazhim. Ajo që bëj me mendjen dhe me duart e mia, nuk më sjell asnjë frikë, ngaqë është në mes roli i vetëdijes. Në jetë e sipër kam kuptuar se të papriturat janë ato që kanë një efekt tronditës, sidomos kur vijnë nga rrjedha që nuk i njohim dhe nuk i kontrollojmë, pra kur përgatiten pa dijeninë tonë. Kjo më sjell frikë, e papritura në të cilën njeriu është i papërgatitur. Është privilegj i njeriut të njohë veten dhe botën përreth, dhe po ashtu, mbetet i dobët dhe “i zhveshur” kur nuk mund të kontrollojë të panjohurën. Dhe, e panjohura, e papritura, tronditja që mund të vijë nga “asgjëja”, për mua janë frikësuese.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

– Epo, rreth të admiruarit shpesh më ndodh të shpreh çudinë sesi në top-listën e njerëzve më të admiruar në botë janë politikanët, të pasurit, artistët e “modës” nga mediat sociale etj. Trendi i të admiruarit, pra, përgjithësisht lidhet me politikën, luftërat, pasurinë, interesat… Bile, së fundi këtu vërejmë edhe njerëz të formateve televizive, si “Big Brother” e të ngjashme, të cilët admirohen aq sa bëhet një tifo e tmerrshme pas tyre. Përgjithësisht, mendoj se admirimi i ardhur nga bota e politikës dhe ajo e televizionit, është si një lloj pandemie e përhapur në mënyrë të rrufeshme. Njerëzit bëhen aq të lidhur emocionalisht pas idhullit të tyre, saqë arrijnë deri aty sa çdo argument ta ndërtojnë, bile edhe ta sajojnë, në favor të asaj që admirojnë. Personalisht, admiroj njerëzit e fortë, që nuk jepen para vështirësive; admiroj njerëzit që janë vetvetja dhe nuk ndryshojnë sipas lojës së momentit. I dua dhe i çmoj të tjerët jo për atë që kanë por për atë që janë. Ndoshta tingëlloj pak jashtë modës me këtë, por unë gjithmonë kam qenë e dhënë pas vlerave që i konsideroj fundamentale për botën shpirtërore të njeriut. Dhe kjo, në të shumtën e rasteve, qëndron larg pushtetit të politikës, larg pushtetit të materiales, në kah krejt të kundërt me të dukshmen dhe me reklamën.

Cili është personaliteti historik me të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

– Më vijnë ndër mend shumë emra, por qëllimshëm dua të ndalem në emra femërorë, në emra të grave shqiptare të cilat kanë bërë shumë në kohën kur jetuan, por në suazat e kohës janë sfiduar dhe mbytur nga rrethanat dramatike. Përhapëset e arsimit shqip Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi, shkrimtarja Musine Kokalari, patriotja Shote Galica, pra gra që thyen tabu dhe guximshëm, nuk ngurruan të dalin në ballë të proceseve emancipuese në vendin tonë. Ato u përballën edhe me përndjekjen, me burgimin, me leçitjen dhe lënien në vetmi të skajshme, por ishin dhe mbeten triumfuese në misionin e lartë të mbrojtjes së gjuhës shqipe dhe të lirisë kombëtare. Më vijnë ndër mend edhe plot të tjera, por mbi të gjitha, dua të veçoj emrin e Elena Gjikës, me origjinë të pastër shqiptare e cila jetoi dhe veproi me aq ngulmim në kohët kur ishte shumë i vështirë pranimi i rolit të gruas në letërsi, politikë, drejtësi, diplomaci, kur të gjitha këto ishin pronë e mendjes mashkullore. E admiroj atë për talentin, bukurinë dhe sidomos për përkushtimin e parreshtur ndaj aspiratave të popujve të vegjël, ndaj barazisë së gruas, ndaj integrimit dhe arsimimit të saj. Vetë pseudonimi artistik “Dora d’Istria” përmblidhte gjithçka që përbënte themelin e punës së saj: lidhjen e fortë me rrënjët e popullit nga vinte dhe njëkohësisht, tolerancën dhe kozmopolitanizmin ndaj botës dhe kulturës. Ajo është personaliteti historik me të cilin dua të identifikohem.

Cili është tipari juaj që nuk e pëlqeni?

– Në jetë mbaj parimin se ai që nuk punon, nuk ekziston. Përgjithësisht, jam shumë kërkuese ndaj vetvetes, kam kërkesa të larta në punën dhe ndërmarrësitë e mia profesionale. Ndonjëherë, kjo më shkakton lodhje dhe kam nisur të mos e pëlqej tek vetja faktin që dua të realizoj gjithçka nga ato që planifikoj. Agjendat javore të stërmbushura, ngarkesat e njëpasnjëshme kanë nis t’më sjellin lodhje të cilat shtresohen mbi njëra-tjetrën dhe kjo nuk është tjetër veç një stërlodhje e madhe. Për mua, jo për vite por për disa dekada rresht, nuk ka pasur pushim. Jam gjendur në një degëzim të ngjeshur angazhimesh, si në familje, në botën e librave (krijimtari letrare dhe studime), në mësimdhënie, në aktivitete kulturore etj., etj. Sigurisht se kam dashur dhe i kam bërë, por tashmë ka nisur ngapak të mos më pëlqejë gjithë kjo ngarendje, gjithë ky angazhim i paorar që ia ngarkoj vehtes. Sigurisht se është herët të përcaktohem për kohët e mëndafshta të qetësisë dhe rehatisë, por e ndiej se duhet frenuar, se duhet jetuar dhe gëzuar më shumë për veten, bashkëshortin, fëmijët, prindërit. Ata janë fillesa dhe mbaresa ime.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?

– Në kohërat kur njeriu është i pjekur në moshë, pra në moshën time, vëren se sinqeriteti me të cilin i ka trajtuar njerëzit, besueshmëria ndaj gëzimit apo dhimbjes së tyre, jo gjithmonë ka qenë me vend. Kam kuptuar se shumë prej të njohurve tanë nuk janë të vërtetë, nuk janë ata që duken, ose më mirë nuk janë ata që ne i dimë. Prandaj, nuk më pëlqen maskimi, sjellja kinse. Sado të sillen mirë e bukur, kur ajo është fallso, një ditë maska do t’ju bjerë. Po ashtu, përveç karaktereve të pasinqertë, nuk më pëlqen viktimizimi. E kam fjalën për njerëz që viktimizohen para nesh qëllimshëm për të marrë vëmendje, për të pasur përfitime apo për t’u dukur të shkelur nga jeta. Një njeri me karakter të fortë sfidohet, rrëzohet dhe ringritet sërish, pa skena vuajtjeje dhe përgjërimi.

Në cilat gjëra e teproni?

– E teproj duke u dhënë pas shumë punëve njëherësh. Kjo më “shfrytëzon”, pra më shtrydh në maksimum energjitë dhe kohën. Kompjuteri im është dëshmitar i 5-6 orë pune për çdo mbrëmje, pasi më parë, gjatë gjithë ditës kam ngarendur në të gjitha angazhimet e tjera, duke nisur nga ora 7.30 e mëngjesit kur dërgoj djalin e vogël në shkollën fillore e deri në pasdite vonë kur mbarojnë të gjitha planifikimet profesionale në një orar të ngjeshur. E tepruar me të gjithë qenien!

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?

– Nuk kam asnjë arsye të gënjej por nëse ndonjëherë do të më duhej të gënjeja, kjo do të ishte një “gënjeshtër” fëmijësh. Pra, një gënjeshtër e tillë si: “Kam ngrënë bukë”, dhe jo “Nuk dua bukë”. Tani që po e mendoj, më vjen ndër mend se kam gënjyer për ta lehtësuar dikë, jo për t’u bërë bashkëfajtor por thjesht për t’i ofruar një rrethanë lehtësuese. Jeta ndonjëherë bën fajtorë njerëz që nuk e meritojnë. Ishte thjesht një gënjeshtër “e bardhë”.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

– Në familjen tonë udhëtojmë shpesh. Në 90 % të rasteve ato janë udhëtime pune, por duke qenë se këto i kemi kaq të shpeshta, i shfrytëzojmë edhe për të pushuar apo për një shëtitje që ia mundësojmë vetes nga ato rrethana. Rrugëtimi më i shpeshtë është ai për në Shqipëri. Jo vetëm për arsye se unë jam nga Shqipëria dhe atje kam rrënjën time, kam prindërit që i dua dhe i vizitoj shpesh, por edhe sepse Shqipëria është një projeksion i shumëfishtë bukurish dhe pasurish. Secili qytet, bile edhe secila qytezë të ofron veçanti si në aspektin natyror, ashtu edhe në atë kulturor. Unë e njoh mirë vendlindjen time, por më besoni, ende befasohem kur shkoj në ndonjë zonë që nuk kam qenë më parë, apo diku ku kam qenë dikur moti. Tradita jonë, natyra me pasuritë e rralla, bimësia dhe gjelbërimi, gatimet e shumëllojshme, të gjitha këto nuk kanë të sosur. Rrugëtimi për në Shqipëri është “pangopësia” ime.   

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

– Fjalët përshëndetëse dhe ato falënderuese i përdor pa asnjë përtesë. Jam shumë e vëmendshme që ato të jenë shqip, dhe jo në gjuhë të tjera, as në barbarizma, as në modernizma. Leksiku profesional po ashtu është i pashmangshëm dhe doemos e përdor në masë të madhe. Por, duke qenë se i kam trajtuar gjerësisht shprehjet frazeologjike, dhe duke qenë se ato përdoren rëndom në jetën e përditshme të Gjakovës, shpeshherë e gjej veten duke i thënë ato sipas situatës, sidomos: I din Meta pun’t e veta, Gaz i madh kur t’bin rrasadi, N’ia paç inatin jepja hakin etj. 

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

– Asnjëherë nuk jam penduar për veprimet e mia, edhe nëse më kanë sjellë sfidime e vështirësi në jetë. Është mëse e natyrshme që njerëzit të duan një jetë të qetë dhe pa kokëçarje, por mendoj se në emër të dashurisë, në emër të familjes, në emër të pasionit që kam për letërsinë dhe për kulturën përgjithësisht, unë jam sfiduar dhe jam përballur me sfilitje jo aq të lehta. Nga të gjitha vështirësitë e kaluara, nuk jam penduar dhe nuk kam hequr dorë asnjëherë. Është jeta ime dhe të miat po ashtu janë edhe gëzimet e vështirësitë bashkë. Pendimi më vjen vetëm në rastet kur përballem me mosmirënjohjen, me talljen a me anashkalimin e qëllimshëm, kur më parë më kanë përdorur dhe shfrytëzuar për të arritur qëllimet e veta. Pendesë për të qenurit pjesë e suksesit të dikujt që i konsideron njerëzit “njëpërdorimësh”. Karrieristët nuk janë asnjëherë falënderues.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

– Fëmijët. Fëmijët dhe librat. Sa herë që gjendem diku në ndonjë rreth të ri, prezantohem kështu: Nënë e katër fëmijëve dhe autore e 15 librave. Jam nënë e katër fëmijëve dhe gjyshe e një mbese, fëmijët janë dashuria ime më e madhe në jetë. Për hir të tyre, shpesh, jam bërë mohuese e idealeve personale, pasi të jesh nënë e katër fëmijëve është sakrificë dhe të duhet të shkelësh apo të largosh nga prioriteti, një pjesë të qenësishme të ëndërrimeve a planifikimeve. Për fëmijët bëj gjithçka sepse për mua, ata janë gjithçka.

librat e mi po ashtu. Mendoj se nuk do isha kjo që jam pa librat e mi, një punë e pandalur tredekadëshe, një pasion që nuk fle asnjëherë, një energji që më shtyn të “lodh” trurin në laboratorin krijues.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

– Momentalisht, në një trysni të kohës dhe ideve për t’i shtjelluar ato. Një muzë e cila më viziton shpesh, më shtyn të krijoj, një labirint idesh të cilat i ravijëzoj në vija të trasha dhe pres të gjej kohën për t’i realizuar, një sirtar me minimumi 5-6 punime në redaktim e sipër, dhe plot e plot “gjallesa” të tjera në pritshmëri apo në ecuri drejt finalizimit. Thjesht, më duhet më shumë kohë të cilën nuk kam ku ta marr!

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

– Do të ndryshoja pikërisht këtë, punën pa orar dhe dinamikën e pandalshme për të bërë shumë e më shumë. Është e vetmja gjë për të cilën vetvetja nuk më bindet. Ndoshta unë e kam edukuar “keq” botën time mendore dhe shpirtërore duke kërkuar prej saj realizime pafund, por më shumë se çdo gjë tjetër më vret pasiviteti, të kaluarit e kohës me rëndomtësira.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

– Dinamika shoqërore kërkon emancipim dhe unë si krijuese e studiuese sakrifikoj për të bërë art. Kjo sakrificë pasohet me arritje, të cilat falë punës dhe këmbëngulsisë sime, nuk janë pak. E gjendur jo rrallë herë mes paradokseve të kohëve moderne, i vë detyrë vetes për të qenë promotore e riprodhimit të vlerave kulturore. E konsideroj synim jetësor gjenerimin e ideve, ndryshimin e koncepteve dhe dukurive për të evoluuar mendësitë në të ardhmen.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

– Nuk e mendoj fare këtë. Të kthej kohën është e pamundur ndaj nuk dua as ta sjell ndër mend si ide. Në respekt të pyetjes, mund të them se nëse do ta ktheja kohën, do të isha një Migenë në një vend dhe hapësirë tjetër, pa u konfrontuar me rrethana të cilat më kanë frenuar, ndaluar, ndryshuar sipas mënyrave të tyre. Në një vend dhe hapësirë tjetër…

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

– Kjo pyetje të jep mundësi të imagjinosh përtej së mundurës. Nëse do të ishte e mundur, ndoshta do të zgjedhja të isha një breshkë. Një breshkë që e ka shtëpinë e saj gjithmonë me vete; një breshkë që duket sikur ecën ngadalë, por në fakt ajo nuk ndalet kurrë dhe ka aq vetëbesim se do të arrijë, sado që të tjerët mund ta shpërfillin; një breshkë që me këmbët e saj shkel edhe në terren të vështirë, në pyje a në bjeshkë, që kapërcen ferra e pellgje; një breshkë që struket e vetizolohet sa herë që “censura” don ta kapë për gjuhe; një breshkë që ushqehet bio, me vesë, me gjelbërime e natyrë të virgjër; një breshkë plot intuitë për genin dhe qytetërimin… Kjo do t’doja të isha, një breshkë e Camajt me shumë rrathë mbi shpinë, nga ato që jetojnë mbi njëqind vjet.

Cila është gjëja më e shtrenjtë që posedoni?

– Zotëroj veten dhe besimin në Zot se mund të jem ajo që dua dhe mund të kem gjithçka që ai, falë punës sime, më mundëson. Besoj me gjithë fuqinë, se të posedosh nuk do të thotë të numërosh toka e prona, mijëra e miliona, por të jesh i plotësuar me të mirat e jetës të cilat janë të konceptuara në mënyrë të tillë që ndërtohen hap pas hapi, të tilla si: familja prindërore, shkollimi, ndërgjegja, familja e re e ndërtuar, fëmijët, pasuria intelektuale, pronësia autoriale, serioziteti dhe autoriteti në evoluimin jetësor. Të gjitha këto për mua janë shumë të shtrenjta, dhe sërish kthehem aty nga e nisa: Të zotërosh veten, me besimin në Zot!

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

– Mjerimi më i madh është injoranca. Injoranca është shkaku i sjelljeve më të këqija te njerëzit. Ajo dërgon në frikë, frika dërgon në urrejtje dhe urrejtja në dhunë. Dhe ja rezultati: një shoqëri në kaos, me shkelje të përçdoherëshme të të drejtave të njeriut. Jam ithtare e diturisë dhe emancipimit ndaj sa më larg detit të injorancës. Asgjë nuk i bashkon përgojuesit, intrigantët, demagogët, aq shumë sa mungesa e intelektit, pra e injorancës që për mua është mjeruese.

Ku do të dëshironit të jetonit?

Do të doja të jetoja në Elbasan, në vendlindjen time. Ndjehem pak a shumë fatkeqe që jam larguar nga atje pa i mbushur ende 22 vjeç. Ndoshta është një peng emocional, por vërtet më vjen keq që jam larguar nga atje. Elbasani është qyteti i Kristoforidhit dhe i Xhuvanit, qyteti i Normales dhe i Isuf Myzyrit, ndaj unë, me dhe pavetëdije bart në vetvete dëshirën për të qenë një “gur” në murin e Kalasë së madhe elbasanase. Qyteti im i lindjes, i njohur për traditat e lashta mijëvjeçare, është vendi ku shkrihen aq natyrshëm gegnishtja e toskërishtja, ku përthyhen me njëra-tjetrën konfesione të ndryshme fetare, ku vlerat e qytetarisë dhe civilizimit kanë qenë gjithnjë për t’u lakmuar. Duke qenë e vetëdijshme për rolin e vendlindjes tek secili person, unë si elbasanllije jam krenare që jam lindur, edukuar, shkolluar dhe rritur gradualisht mes njerëzve që e duan artin, e duan të bukurën, e duan jetën.

Në shtëpinë e gjyshërve të mi, dera e Bishqemësve në Elbasan, për vite me radhë kanë qenë mysafire të shpeshta këngëtaret Fitnete Rexha dhe Havsa Zyberi. Unë, si e vogël, i mbaj mend që të dyja duke kënduar në duet bashkë me gjyshin dhe të tjerët në shtëpinë e madhe: “S’paske pas nji pik’ mëshire”, dhe plot e plot kujtime të tjera në familjen tonë. Jam rritur me muzikën e Shqipërisë së mesme dhe e kam në damarë. E them këtë pa asnjë tendencë mburrjeje dhe megallomanie për të shitur mend. 

Cila është cilësia juaj më e veçantë?

– Mund të tingëlloj subjektive nëse flas për të veçantën tek unë, por mendoj se një ndër cilësitë e mia është artikulimi, stili gjuhësor i pasur me forma shprehjesh dhe larg klisheve; pedantëria po ashtu, si dhe mbi të gjitha: rigoroziteti. Jam rigoroze dhe e përpiktë në maksimum me këdo dhe kudo ku jam.

Çfarë vlerësoni tek një burrë?

– Tek një burrë vlerësoj apriori mbështetjen që i jep botës femërore. Një burrë i përgjegjshëm, duhet të ketë aftësinë për të përparuar në jetë bashkë me familjen. Përkundrazi, një burrë që mburret vazhdimisht për bëmat dhe arritjet e tij, ndërkohë që gruan dhe vajzat e veta nuk i përkrah në shkollim e punësim, ai është një pseudo, një njeri egoist dhe i pagdhendur.

Çfarë vlerësoni tek një grua?

– Tek një grua vlerësoj përkushtimin e pafund për familjen, burrin dhe fëmijët e saj, pa lënë pas dore ndihmesën e vazhdueshme ndaj prindërve dhe të tjerëve me të cilët ka ndërtuar të djeshmen dhe të sotmen. Po ashtu, çmoj gruan që vlerëson vetveten, që krahas suksesit në karrierë, di të sfidojnë veten për një familje të lumtur, duke mos e konsideruar familjen dhe fëmijën si pengesë për ecurinë në profesion.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?

– Mes shkrimtarëve shqiptarë, pa dyshim Ismail Kadare, e pas tij Fatos Kongoli, ndërsa mes të huajve Ernest Hemmingway, G. G. Markez dhe Franc Kafka. Meqë jemi te letërsia, dua të përmend thënien e të famshmit Italo Calvino i cili thotë: “Letërsia është Toka e Premtuar në të cilën gjuha bëhet me të vërtetë ajo çka duhet të jetë!”. Kjo do të thotë se letërsia dhe gjuha janë një binom i pandashëm, ku e para pa të dytën s’mund të funksionojë dhe e dyta pa të parën s’mund të ekzistojë.

 Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

– Heronjtë e mi janë njerëzit që japin dashuri, ata të sinqertët, dashuria e të cilëve nuk kalon nga interesi. Janë ata që e përçojnë të vërtetën pa pritur poste e ofiqe. E gjithë bota ka nevojë për më shumë dashuri ndaj në emër të humanizmit, uroj që të gjithë njerëzit të jenë më të dashur dhe më të afërt me njëri – tjetrin.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

 – Do të doja shumë të pikturoja. Për fat të keq nuk e kam këtë aftësi. Shpesh mendoj se grafitet, pikturat, skulpturat janë një dimension tjetër i poezisë, ndaj do të doja me gjithë zemër që ta trajtoja edhe këtë lloj të artit. Sikur të kisha sadopak prirje… 

Si do të dëshironit të vdisnit?

 – Dua të jetoj gjatë, aq gjatë sa t’i kryej të gjitha punët që kam. Jeta ime është një derë në të cilën trokasin vazhdimisht punë, ndaj ato duhen kryer. Po ashtu, mendoj të plakemi së bashku, ne të dy. Ndërsa fëmijët të jenë të pjekur, të jenë sistemuar në jetë, ne kemi investuar shumë në rritjen dhe shkollimin e tyre; aq më tepër që ky i vogli, tashmë 8 vjeçar, na ka kthyer sërish t’ia nisim Abetares dhe tabelës së shumëzimit nga e para.

Teksa mundohem ta imagjinoj fundin, diku rreth të nëntëdhjetave, shoh rreth vetes me sytë e imagjinatës, nipa e mbesa, memoare kujtimesh, shënime e fletëza të zhgarravitura… dhe unë, një plakë e thinjur, e rrudhur, me duart plot gunga si trungu i një lisi, do të thoshte Tolstoi.

Vdekja vjen e bukur kur njeriu ka ditur të jetojë e të trashëgojë!

Cila është motoja juaj?

 – S’ka sfidë të patejkalueshme. Jeta sjell plot vështirësi por njeriu është më i fortë se guri, druri dhe të gjitha lëndët bashkë, sepse është NJERI!

Kam shumë mbresa të fituara në pesë dekadat e mia, dhe sidomos ndjenjën se në jetë, e vetmja forcë që të bën të ecësh përpara, është puna dhe vetëm puna. E përkrah modelin e gruas së re, të menҫur dhe të aftë, që vrapon, gjithmonë vrapon, dhe me punën e saj ҫdo ditë ngjitet lartësive.

ObserverKult


Lexo edhe:

(VIDEO) KUMTESË NGA MIGENA ARLLATI, “POETË TË SË DUKSHMES APO TË SË NDJESHMES”/ FESTIVALI POETIK I PRISHTINËS 3