Migjeni: A do qymyr, zotni?

migjeni zeneli

Nga: Migjeni

Dy thasë qymyr mi kal. Pranë, malsorja. Trotuari me blok dyqanesh djathtas, ashtu edhe majtas. Kali dhe malsorja në parakalim. Qymyri në konkurs. Shikon njeriu artist dhe ia prish sytë kjo dis-harmoni. Një disonancë e vrazhdë. Malsorja i fryn hundët, prodhimin e njesh për trotuar dhe gishtat i fshin për xhubletë. Veprim i thjeshtë, por motiv delikat për një piktor. Thupra në dorë të malsores shkrryhet përtokë dhe shkruen një vijë kilometri gjatë rrugës. Q’ashtu malsorja nënvizon mendimet e veta.

– A do qymyr, zotni?
– Sa?
– Dymbëdhetë lekë… Po ndalu, thuej ti sa. Pse po hik?
 – Në kët vapë dymbëdhjetë lekë? – pyet një tjetër tue perqeshë.
– Po sa jep ti, pra?
– Jo, mue nuk më duhet.

–  Vërtet vapë ban. Pa kujt i duhet qymyri. Po e mbaj dhjetë lekë, mendon malsorja dhe hec nëpër hije rrugës së qytetit. Kali lëviz në symbyllë. Ndoshta andron. Tash në pleqni andrron dashnin’ e dikurshme të pelës. Malsorja s’e nget. Nuk e trazon në knaqsi të tij të pamvarshme. Asht duruese. Kur dalin në diell, përdhe shkrryhet një hije.

Dy hije. Dy hie të ngatrrueme, të kapërthyeme, hieja e kalit dhe hija e malsores. Nuk mund ti dallojsh këto dy hie. Nuk mund t’i këputish. Njana pa tjetrën nuk shkojnë. S’kanë vlerë. Se vetëm bashkë përbajnë një tansi. Një tansi jetsore. Krk-krk kthehet qymyri në shtëpinë të kalit, krk, krk, krk dhe krizmat monotone të patkojve të kalit, që ndeshin për gurë.
Malsorja çon kryet. Shikon diellin… koha me u nisë. Me u kthye në malsi. E qymyri s’u shit. Vendosi ta japi ma lirë.

– O ti djalë, sa asht sahati?
– Djaloshin e tërheq bukuria e malsores. Miqësisht i afrohet dhe i thotë sa asht ora. E pyet sa e mban qymyrin. Ban pazarllëk, edhe pse s’ka qëllim ta blejë. Por malsorja asht e bukur dhe e re. Pse mos të kuvendojë pak me të? “Asht e ndytë, – konstaton djaloshi. Sa teveqelë janë këto katundarët. Nuk të kuptojnë. Duhet me i thanë… dhe atë që nuk thohet”.

Kështu mendon djaloshi dhe e shikon malsoren si bir zotnie shërbtoren e re të veten. Teveqele! Teveqele! S’kupton asgja!. Dhe djaloshi shkon në punë të vet. E malsorja fillon të shqetësohet për kthimin në malsi. Shikon diellin, si gjithnjëi po afrohet nga perëndimi. Si ka për t’u kthye në malci nëpër terr? Me të vërtetë, ajo nuk dron prej lugetënve dhe bubezhelave por… T’ishte plakë nuk do kishte aspak frikë, por… Kujtohet si nja dy tri herësh i janë vu mbrapa do njerëz, dhe së pari nuk dinte se ç’lypshin prej saj… Pra, nuk i ndron bubazhelat si qytetarët, por njerëzit… Njerëzit i ka ajo frigë. E pse? Pse asht e re dhe pak e bukur.

– Një dhimbë e kandshme shtrëngon zemrën e malsores.
– Sa e ke at qymyr fisnike?
Malsorja siellet. E njef njeriun q’e pyet. Ja ka shite edhe nji herë qymyrin. I thotë:
– Tetë lekë! – Jo, shtrejt e ke… Më ke idhnue atë ditë, – i thotë njeriu dhe shikon majtas e djathtas.
Malsorja qeshet, disi e turpnueme. E mshef ftyrën. Kuqet. Nuk i çon sytë në njeriun. Pyet e frigueme:

– Sa për ty pra?
– Pesë!
– Merre shtatë!
– Hajde për gjashtë! Malsorja rri pezull.
Mendohet. Shikon diellin – Ja pash hajrin! – thotë, dhe i shkon mbrapa blesit. E ai njeri q’aty , ai që tash po ec përpara saj, peshon shumë randë në kujtesën e malsores, e cila kuqet e skuqet nga turpi.

ObserverKult


Lexo edhe:

ANTON ÇETTA: DO TË VIJ PRAPË, POR PËR NJË PUNË TJETËR, EDHE MA TË MADHE SE KJO