Migjeni: Nën flamujt e melankolisë

migjeni kangët e pakëndueme

Poezi nga Millosh Gjergj Nikolla Migjeni

Në vendin tonë
kudo valojnë
flamujt e një melankolije
të trishtueshme…
… dhe askush s’mund të thotë
se këtu rron
një popull që nderton
diçka të re.
Aty këtu nën hijet
e flamujvet
mund të shifet
një mund, një përpjekje
e madhe përmbi vdekje
për të pjellë diçka të madhe,
për të qitë në dritë një xhind!
Por, (o ironi)
nga ajo përpjekje lind
vetëm një mi.
Dhe kështu kjo komedi
na plasë dellin e gazit,
nsa prej marazit
pelcasim.
Në prakun e çdo banese
ku ka ndoj shenj jetese
valon nga nji flamur
melankolije të trishtueshme.

ObserverKult

Lexo edhe:

MIGJENI: A DO QYMYR, ZOTNI?

Dy thasë qymyr mi kal. Pranë, malsorja. Trotuari me blok dyqanesh djathtas, ashtu edhe majtas. Kali dhe malsorja në parakalim. Qymyri në konkurs. Shikon njeriu artist dhe ia prish sytë kjo dis-harmoni. Një disonancë e vrazhdë. Malsorja i fryn hundët, prodhimin e njesh për trotuar dhe gishtat i fshin për xhubletë. Veprim i thjeshtë, por motiv delikat për një piktor. Thupra në dorë të malsores shkrryhet përtokë dhe shkruen një vijë kilometri gjatë rrugës. Q’ashtu malsorja nënvizon mendimet e veta.

– A do qymyr, zotni?
– Sa?
– Dymbëdhetë lekë… Po ndalu, thuej ti sa. Pse po hik?
– Në kët vapë dymbëdhjetë lekë? – pyet një tjetër tue perqeshë.
– Po sa jep ti, pra?
– Jo, mue nuk më duhet.

–  Vërtet vapë ban. Pa kujt i duhet qymyri. Po e mbaj dhjetë lekë, mendon malsorja dhe hec nëpër hije rrugës së qytetit. Kali lëviz në symbyllë. Ndoshta andron. Tash në pleqni andrron dashnin’ e dikurshme të pelës. Malsorja s’e nget. Nuk e trazon në knaqsi të tij të pamvarshme. Asht duruese. Kur dalin në diell, përdhe shkrryhet një hije.

Tekstin e plotë e gjeni KETU

ObserverKult