Migjeni: O, si nuk kam një grusht të fortë…

migjeni kangët e pakëndueme

O, si nuk kam një grusht të fortë
t’i bij mu në zemër malit që s’bëzanë,
ta dij dhe ai se ç’domethanë i dobët –
n’agoni të përdihet si vigan i vramë.

Unë lugat si hij’ e trazueme,
trashigimtar i vuejtjes dhe i durimit,
endem mbi bark të malit me ujën e zgjueme
dhe me klithma të pakënaqura t’instinktit.

Mali hesht. Edhe pse përditë
mbi lëkurë të tij, në lojë varrimtare,
kërkoj me gjetë një kafshatë ma të mirë…
Por më rren shaka, shpresa gënjeshtare.

Mali hesht, dhe në heshtje qesh.
E unë vuej, dhe në vuejtje vdes.
Po unë, kur? heu! kur kam për t’u qesh?
Apo ndoshta duhet ma parë të vdes?

O, si nuk kam një grusht të fuqishëm!
Malit, që hesht, mu në zemër me ia njesh!
Ta shof si dridhet nga grusht’ i paligjshëm…
E unë të kënaqem, të kënaqem tu’ u qesh.

*Titulli i origjinalit të poezisë “Recitali i malsorit

ObserverKult

—————————————————–

o millosh gjergj nikolla migjeni kangët e pakëndueme

Lexo edhe:

MIGJENI: MALLI RINUER

Valët muzikore fluturojnë nga përndimi
shkrepen e përtrihen
per murët e dhomës seme,
edhe mandej dridhen
mbrenda në zemër teme
dhe zgjojnë ndijesina që mbìu ka hini.

Ndijesitë e mija me valët muzikore
shkëmbejnë puthje të nxehta
posi dy dashnorë
e pa mshirë shëgjeta
më therë në kraharor
edhe më merr malli për jetë ma gazmore.

Poezinë e plotë e gjeni KETU

ObserverKult