Poezi nga Mihallaq Qilleri
Kur të mos kem vdekur, them,
Do t’i shuaj të gjitha vitet e mia të djeshme,
Do të lundroj me varkën e parë në detin e mrekullisë,
Do ndjej aromën prej jasemini të trupit tënd,
Duke shtyrë vdekjen për më vonë, më vonë..
Kur të mos kem vdekur, do mendoj
Se ti ishte në të vërtetë thelbi, pjalmi i ekzistencës,
I tonës ekzistencë, prej mishi e gjaku, natyrisht,
Kur të jem përsëri ashtu siç isha kur të njoha,
Do të dehem jo për ta harruar,
Por për të kujtuar puthjen tënde të parë, sigurisht.
Dhe sot kur shfryj këto vargje idiote, aq të butë,
Për fat dielli shndërit dlirë e ngroh timin trup,
Si një përfytyrim shprese i së nesërmes,
Kur magjinë tënde të nxehtë, të afshët, do kem pranë,
Do të pëshpëris papushim se të kam xhan, shumë xhan.
Besoj se nuk do vdes, lëshuar udhëve të një grimce,
Le të quhet me emrin e shëmtuar kurorë a corona,
Kurora ime je ti, e bukura, e zgjuara, sa bota,
Sa dhembshuria njerëzore, sa ndjesitë e bardha, tona.
Kur të mos kem vdekur, them,
Do të shuaj të gjitha vitet e mia të djeshme,
Do të lundroj me varkën e parë në detin e mrekullisë,
Do ndjej aromën prej jasemini të trupit tënd,
Duke shtyrë vdekjen për më vonë, më vonë…
ObserverKult
Lexo edhe: