Milazim Krasniqi: E vërteta e Betejës së Kosovës nuk ka në vete asgjë mitike

Nga Milazim KRASNIQI

Në kontekst të këtij realiteti të hidhur të raporteve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në shekujt XI-XIV, edhe sa i përket ngjarjes kulmore, Betejës së Kosovës të vitit 1389, si ngjarje që e fillon rënien e sundimit serb dhe e fillon instalimin e sundimit osman, nuk mund të kuptohet se si mund të kenë qasje të njëjtë shqiptarët dhe serbët, sepse arsyet e serbëve për të vajtuar disfatën e tyre janë reale, por arsyet e shqiptarëve, për ta trajtuar me të njëjtat terma atë betejë, nuk janë racionale. Sipas mitologjisë serbe, gjaku i car Llazarit, i cili e ka “shenjtëruar tokën serbe të Kosovës”, është gjak i cili simbolizon serbizmin e Kosovës dhe prezencën e përhershme të Serbisë në Kosovë. Ata thonë se car Llazari e ka humbur pushtetin tokësor, por e ka fituar pushtetin qiellor. Kjo mitologji është produkt i Kishës Ortodokse Serbe dhe i nacionalizmit ortodoks serbomadh, prandaj me asgjë nuk lidhet me të vërtetat shqiptare.

Nga pikëpamja shqiptare, ajo betejë ose roli i saj duhet të shikohet në mënyrë kritike, e jo romantike. Shqiptarët nuk mund t’u konkurrojnë serbëve për t’ua marrë primatin në rolin që kanë pasur në Betejën e Kosovës. Prandaj, kur shqiptarët flasin për ardhjen e osmanëve në Ballkan, në këtë rast duhet të flasin për ardhjen e tyre në territoret, të cilat kanë qenë të sunduara prej serbëve. Më saktë, këto territore kanë qenë të sunduara nga Llazar Hrebellanoviçi, (pjesa lindore e Kosovës me Novobërdën si qendër), nga Vuk Brankoviçi (me Prishtinën si qendër) dhe nga Toma Preluboviçi, (ky i fundit në Epir). Ata ishin sundimtarë në mbeturinat e dinastisë serbe, e cila filloi të fragmentohej pas vdekjes së Uroshit në Betejën e Maricës, (1371), me ç’rast u shua trashëgimia nemanjide. Kjo është pika të cilën duhet ta kemi gjithmonë parasysh, sepse kur kanë ardhur Osmanët në Ballkan, nuk ka pasur një shtet shqiptar, ose mbretëri shqiptare, të cilën ata ta kenë prishur, por ka pasur popull shqiptar që ka qenë i pushtuar prej serbëve dhe në një proces të thelluar asimilimi fetar e kolonizimi etnik.

Atëherë cila është e vërteta lidhur me betejën e Kosovës? Koalicioni për Betejën e Kosovës ka qenë arritur ndërmjet Llazar Hrebelanoviqit dhe mbretit të Bosnjes, Tvërtko, të cilët paraprakisht kishin arritur një marrëveshje për ndarjes e shtetit të Dushanit, i cili kishte filluar të shkërmoqej. Ajo ndarje e negociuar e trashëgimisë së Dushanit në dy njësi të mëdha, i mbante ata të lidhur në interesat e tyre për mbrojtjen e sundimit dhe për eliminimin e pretendentëve të tjerë të fronit perandorak serb. Pretendent mbi trashëgiminë e Dushanit, ishte edhe Kraleviq Marku, i biri i mbretit Vukashin, i cili sundonte në Prilep dhe i cili në Betejën e Kosovës ishte në anën e ushtrisë osmane. Rreshtimi i Kraleviq Markut në anën e osmanëve ka implikime serioze mbi karakterin e asaj beteje. E para, kjo tregon se nuk ka qenë një betejë ndërmjet një koalicioni të krishterë dhe një tjetri mysliman, meqë rreshtimi i Kraleviq Markut në anën e forcave osmane, e rrëzon këtë pretendim. Pra, rivaliteti ishte edhe ndërmjet vetë serbëve, që po rivalizonin e po bënin përpjekje që të zhvatnin sa më shumë territore e pushtet mbi rrënojat e ish shtetit të Dushanit. Mbreti Vukashin nga ana e vet dhe i biri i tij, Kraleviq Marku, kishin pretendimin se ishin trashëgimtarë të ligjshëm të shtetit perandorak serb. Në kohën e sundimit të car Dushanit, Vukashini ishte emërtuar prej tij sekretar i shtetit dhe me testament ishte emëruar këshilltar i Uroshit, birit të Dushanit. (Gjuzepe Gelqiq, Zeta dhe dinastia e ballshajve, Shtëpia Botuese 55, Tiranë, 2009, fq. 84) Vdekja e mbretit Vukashin dhe e mbretit Urosh në Betejën e Maricës në vitin 1371, paraqet ngjarjen më kulmore tragjike të serbëve dhe nëse do të duhej të mbahej mend ndonjë ngjarje nga ajo periudhë, është pikërisht beteja e Maricës, e cila i hapi rrugë marshimit osman.

Pas disfatës në Maricë, shumica e sundimtarëve serbë pranuan vasalitetin ndaj sundimit osman, e ndër ta edhe i biri i mbretit Vukashin, Kraleviq Marku. Ai si vasal edhe mori pjesë në betejën e Kosovës në anën e osmanëve, megjithëse arsyet e tij mund të kenë qenë më të thella, se sa detyrimi i imponuar nga vasaliteti. Kraleviq Marku mund të ketë pasur idenë që pas disfatës së Llazarit e të Tvërtkos, të shtrijë sundimin e vet edhe mbi territoret e tyre dhe të rikthejë territoret që ia kishin marrë Ballshajt, vetëm disa vite më parë. Nëse kjo do të mund të dokumentohej me të dhëna dokumentesh, atëherë do të rezultonte se beteja e Kosovës ka pasur edhe elemente të luftës civile ndërmjet vetë serbëve. Këngët epike serbe e theksojnë elementin e tradhtisë, të Vuk Brankoviqit, (i cili ishte dhëndërr i Llazarit!), me çka në një mënyrë edhe e krijojnë idenë e një komploti brendaserb. E drejta, disa vite para Betejës së Kosovës, mbreti Vukashin marshoi kundër Llazarit dhe dhëndrrit të tij, Vuk Brankoviqit, duke ua marrë një pjesë të territoreve. (Gelqiq: 84)

Ç’është e vërteta, përçarjet dhe konfliktet ndërmjet Vukashinit, Lazarit e Vuk Brakoviqit, të plotësuara edhe nga veprimet e Nikolo D’ Altomanos, pasardhësit të Vojnovit, e lehtësuan marshimin e osmanëve. Prandaj, më shumë se sa epitetin e një koalicioni unik, ata e kanë epitetin e rivalëve të përçarë, që ia kishin me hile njëri-tjetrin. Edhe fakti që menjëherë pas Betejës, trashëgimtarët e sundimit të Llazarit e pranuan vasalitetin ndaj osmanëve dhe bënë krushqi të rrufeshme me ta, duke ia dhënë sulltan Bajazitit për grua Milevën, të bijën e Llazarit, është tregues i atij pasioni për ruajtjen e pushtetit me çdo kusht.

Një element me rëndësi lidhur me Betejen e Kosovës është abstenimi i dy sundimtarëve më të fuqishëm shqiptarë të asaj kohe, Karl Topisë dhe Gjergj Balshës I. Mospjesëmarja e tyre në koalicion i ka brenda vetes dy motive, motivin etnik dhe atë fetar. Motivi etnik ka të bëjë me përpjekjet e tyre që të kompaktësohen e të forcohen, pas fillimit të shkërmoqjes së perandorisë serbe të Dushanit, e cila ua kishte zënë frymën shqiptarëve. Fitorja e Gjergj Ballshës I kundër Kraleviq Markut dhe marrja prej tij e Prizrenit, kishte shkaktuar edhe një fërkim etnik në territoret e përfshira në atë konflikt. Nga ana tjetër, “ Ballshajt kishin përqafuar fenë katolike më 1369” (Gelqiq:105) gjë që ka pasur implikimet e veta, së paku psikologjike në raport me ortodoksinë serbe. Poashtu, edhe Karl Topia ishte katolik dhe i lidhur me lidhje speciale me Venedikun, gjë që poashtu ka pasur implikimet e veta në qëndrimin e mbajtur ndaj koalicionit serb.

Me rëndësi edhe më të madhe në këtë kontekst është qëndrimi abstenues ndaj koalicionit ndërmjet Tvërtkos e Llazarit dhe aleatëve të tyre, që mbajtën dy shtetet më të fuqishme katolike të asaj kohe, Hungaria dhe Venediku. As njëra e as tjetra nuk e ndihmuan koalicionin. Edhe ky qëndrim e bën të qartë se nuk mund të bëhet fjalë për një konflikt ndërmjet feve e qytetërimeve, sepse mospjesëmarrja e shteteve katolike të kohës, e përjashton motivimin fetar të asaj beteje.

Shteti serb ose shtetet serbe në atë kohë ishin të dobësuara e nuk ishin lidere të botës krishtere. Përkundrazi, Hungaria dhe Venediku kishin primatin e shteteve lidere të krishterimit, prandaj pa pjesëmarrjen e tyre në një koalicion, ai nuk ka mundësi kurrsesi që të quhet koalicion i krishterë. Në koalicion nuk ka marrë pjesë me asgjë as Raguza, poashtu një entitet i rëndësishëm dhe i proviniencës katolike e madje as Kotorri apo ndonjë komunë tjetër bregdetare. Prezenca e Raguzanëve ka qenë e dukshme në qytetetet e gadishullit ballkanik në atë kohë, por ata janë rezervuar nga çfarëdo implikimi në anën e koalicionit serb. Bile, është shënuar një gjest i tyre shumë domethënës edhe nga aspekti fetar: kur Gjergj Balsha I e mundi dhe ia mori Prizrenin Kraleviq Markut, raguzanët që jetonin në atë qytet, e kanë pritur me dhurata të vlefshme. Ndërsa, në ditën e Betejës së Kosovës, sundimtari i Zetës, Gjergj Strazimir Ballsha II, “ në ditën fatale të betejës së Kosovës, ndodhej pikërisht në Ulqin”. (Gelqiq:170)

Pra, e gjithë bota katolike e asaj kohe ka abstenuar nga ajo betejë, duke i lënë serbët ortodoksë dhe vasalët e tyre, që të rropateshin vetë në konfrontim jo vetëm me osmanët po edhe me renegatët e vet, si puna e Kraleviq Markut. Mungesa e shteteve dhe e entiteteve katolike të asaj kohe, pashmangshëm e bën atë betejë më pak të rëndësishme për popujt e rajonit e edhe për Europën.

Përundimisht, mospjesëmarrja e dy dinastive me elemente shqiptare, e Ballshajve dhe e Topiajve në atë koalicion, tregon mospjesëmarrjen faktike të shqiptarëve. Pjesëmarrja e shqiptarëve në radhët e ushtrisë së Vuk Brankoviqit, ishte pjesëmarrje e të nënshtruarve, që ishin të detyruar të luftonin nën komandën e sundimtarit të tyre të imponuar. Ndonjë pjesëmarrës tjetër, si Dhimitër Jonima, (ishte edhe ai vasal i serbëve), ishin feudalë të vegjël e pa asnjë element të subjektivitetit shtetëror, i cili në atë kohë, me aq sa ishte, ishte nën autoritetin e Ballshajve dhe të Topiajve.

Po të shikohen rrjedhimet pas Betejës së Kosovës, tabloja duket edhe më e habitshme: e bija e Llazarit, Mileva u bë gruaja e sulltan Bajazidit, e bija e Llazarit, Mara ishte gruaja e Vuk Brankoviqit, ndërsa Helena, poashtu bijë e Llazarit, ishte gruaja e Gjergji II të Ballshajve. Kjo lidhje krushqie ndërmjet tyre dhe sulltanit, e përjashton krenarinë kombëtare dhe fetare nga sjelljet e serbëve, të cilët me të siguruar të vasalitetit nga osmanët, u treguan shumë entuziastë dhe besnikë të sulltan Bajazidit. Të dy bijtë e Llazarit, Stefani dhe Velkoja, luftuan me besnikëri në krahë të sulltan Bajazidit, deri sa ai humbi në Betejën e Ankarasë më 28 korrik 1402.

Lidhur me Millosh Kopiliqin në relacione dhe dokumente të kohës nuk ka të dhëna konkrete, që do ta prezantonin si një personalitet historik. Formësimi i figurës së tij më shumë i dedikohet poezisë se sa historisë, ndërsa dihet që nga Aristoteli se poezia i paraqet gjërat ashtu si kanë mundur të ndodhnin e jo ashtu si kanë ndodhur. Prandaj, duken joseriozë ata historianë dhe intelektualë që hulumtimin dhe vlerësimin e bazojnë në këngët epike, qofshin ato serbe, shqiptare apo të popujve të tjerë.

Në fund të fundit, vrasja e sulltan Muratit, nuk e ndërroi fatin e serbëve, nuk e pengoi disfatën e tyre, prandaj nuk ka pse të ekzagjerohet si ngjarje. Janë të shumtë mbretër e perandorë që kanë rënë në beteja, por edhe ajo inkuadrohet në rrjedhën e përgjithshme të ngjarjeve, e nuk ka pse të krijohen mite tronditëse, që pastaj e deformojnë pamjen e vërtetë të historisë. Por, kjo u ndodh popujve të vegjël e të kompensuar, të cilët vogëlsinë e tyre faktike mundohen ta zëvendësojnë me madhështinë e rreme mitike të së kaluarës. Serbët janë shembull tipik i kësaj mendësie.

Konsekuencat e betejës së Kosovës për shqiptarë që kishin qenë nën sundimin serb
Pas çmontimit të sundimit serb, që filloi më 1389, procesi i sllavizmit të shqiptarëve ndërpritet dhe një pjesë e madhe e tyre fillojnë e kalojnë në fenë islame. “Ajo që duhet kuptuar mirë nga ky përvijim i përciptë i ligjit muslimano-osman është se ligji osman nuk ishte i centralizuar për të gjithë territorin, por ishte në praktikë, një ligj i veçantë territorial, pasi feja, profesioni,vendbanimi, gjendja shoqërore dhe seksi i çdo individi përcaktonin ligjin subjekt i të cilit ishin.” (Sugar:19)

Kalimi i hershëm në Islam i shqiptarëve, para së gjithash ka qenë i motivuar si ikje nga autoriteti i dhunshëm i Kishës Ortodokse Serbe dhe asaj Greke. Meqë Kisha Serbe e kishte fituar autonominë në vitin 1219, autoriteti i saj kishte përfshirë edhe shqiptarët ortodoksë të gjendur nën sundimin serbë së paku që nga viti 1196. Përndryshe, sundimi osman nuk provokoi ndonjë presion ndaj kishës ortodokse serbe e aq më pak ndaj asaj greke, i cili do t’i shtrëngonte besimtarët e tyre që të konvertoheshin në fenë islame. Përkundrazi, toleranca ndaj Kishës ortodokse ishte shumë e madhe. “Pushtetet e reja që i dha Kishës ortodokse Mehmeti II bënin në fakt që ajo të ishte një shtet brenda shtetit. Me kalimin e kohës hierarkët filluan ta konsiderojnë veten si sundues dhe mbrojtës de facto të të krishterëve dhe njëkohësisht si të vetmin organ për t’u përballur me pushtetin qendror. Kisha i kreu këto detyra me një shkathtësi të madhe. Jeta e popujve të krishterë të Ballkanit varej po aq nga efikasiteti i autoriteteve kishtare sa dhe nga ato osmane. Kjo shpjegon faktin që dallimet e ndryshmet midis tyre, si psh ajo me mitropolitët e Ohrit e të Pejës, u zhvilluan në një shkallë të gjerë brenda për brenda kishës. (Sugar:57) Edhe pse Kisha ortodokse praktikisht ishte shtet në shtet, shqiptarët me shumicë e braktisën atë. Arsyeja ishte e thjeshtë: meqë nuk kishin arritur të kishin një kishë të veten, ata e pranuan me shumicë Islamin, në përpjekjet e tyre që të ruanin përkatësinë etnike, duke iu shmangur asimilimit etnik në serbë, i cili imponohej përmes konvertimit fetar në ortodoksi. “Kështu “kombi” ose mileti grek do të përfaqësohej dhe do të drejtohej tanimë nga Patriarkana e Stambollit. Mosmarrëveshjet midis grekëve do të zgjidheshin nga gjyqet ortodokse. Së fundi, u lejua ushtrimi i lirë i veprimtarisë fetare. Në të vërtetë ky status i përgjigjej gjendjes që kishin zakonisht bashkësitë e krishtera në vendet myslimane, por vendosja e kësaj situate në shkallë shtetërore dhe njohja e rëndësisë së Patriarkanës përbënin një ngjarje me rëndësi.” (Mantrani: 93)

Është e qartë se autoriteti aq i madh i kishës greke e më vonë edhe të asaj serbe, mbetej me fuqi gllabëruese ndaj shqiptarëve, prandaj kalimi i tyre në Islam ishte më shumë ikje nga ajo politikës gllabëruese se sa si pasojë e ndonjë politike konvertuese të osmanëve. Po qe se do të kishin osmanët politika koherente të konvertimit fetar të të sunduarve, ato do t’u drejtoheshin edhe popujve të tjerë e jo vetëm shqiptarëve. E vërteta është se ata shqiptarë që ngelën nën ombrellën e Kishës Ortodokse serbe, me kohë u asimiluan në serbë.

Nga ana tjetër, përmes kompaktësimit etnik të motivuar nga ndarja e qartë prej serbëve e grekëve, rrritja e popullsisë shqiptare gjatë periudhës së sundimit osman është evidente si edhe zgjerimi territorial, i cili arriti të përthekonte edhe tërë Shqipërinë bregdetare, Greqinë veriore, Maqedoninë e sotme dhe Kosovën e sotme po edhe Serbinë e sotme, deri në afërsi të Beogradit. Ky ka qenë në fakt një ekspansion demografik i shqiptarëve, i pari dhe i vetmi në historinë e tyre, pas tkurrjes tragjike të ilirëve. Po të mos u mirreshin shqiptarëve territoret e tyre në të cilat jetonin në periudhën e sundimit osman nga Fuqitë e Mëdha Europiane në Kongresin e Berlinit dhe po të mos përligjej okupimi i territoreve shqiptare nga ana e shteteve fqinje pas Luftërave ballkanike dhe pas Luftës së Parë Botërore, gjë që provokoi eksodin tragjik të shqiptarëve drejt Turqisë, shteti kombëtar shqiptar do të mund të ishte territorialisht disa herë më i madh se sa është Shqipëria e sotme dhe vetë kombi shqiptar do të ishte numerikisht disa herë më i madh nga sa është sot. Përfundimisht, mund të konstatojmë se shqiptarët hynë në shekullin XIV nën Perandorinë Osmane si një popull i pushtuar, i defaktorizuar, në një proces të asimilimit etnik e fetar nga serbët, ndërsa në fillim të shekullit XX, kur dolën prej Perandorisë Osmane, ishin një komb i konsoliduar, që ishte i aftë të luftojë për shtetin e vet kombëtar, në një rrethim ballkanik dhe evropian shumë armiqësor.

*Shënimet dhe literatura u hoqën për këtë botim.
ObserverKult