Milazim Krasniqi: Pagjumësia e Nekibe Kelmendit

Tërë natën rri mbi këtë libër të shenjtë,
Lexoj shkronjë mbas shkronje, fjalë për fjalë
Balli më është rënduar, sytë më janë ënjtë,
Lotët pa pushim derdhin mërzinë valë- valë

Duart më janë mpirë e më as i ndiej
A janë pjesë e imja a veç më janë ngjitur
Prapë më ndihmojnë faqet e librit t’i kthej
Më lëvizin nga një Forcë e përndritur

Faqeve të librit më shpërndahen lotët
Rrjedhin mbi germa, fjalët ndrisin shumë
Prandaj nuk kam si të fle, madje as të kotem
Nuk mund ta lë këtë spërndritje për një gjumë

Lotët që më rrjedhin rrëke mbi fjalët e shenjta
Janë më të kthjellët sesa vesa mbi lëndinë
Janë lot nëne që burojnë nga dhembja
Dhe përpiqen ta përmbytin me dashuri gjithësinë

Lotët e mi rrjedhin dhe nuk do të shteren
Lotët e një nëne fatmjerë nuk shterojnë
Sytë e saj lemerinë panë e kurrë nuk teren
Si murana vdekjen dhembjen e shënjojnë

Ah këta sytë e mi atë natë e panë hatanë
Kastriotin, Kushtrimin e Bajramin** kur m’i morën
Nuk di si s’m’u verbuan, nuk di si nuk u thanë
Siç nuk e di as sa vrushkuj lotësh nxorën

Këta sy mbeten këtu si kroje që nuk thahen
Dhe si pasqyra ku reflektohet drita qiellore
Fjalët e shenjta në lotët e mi kur të mos lahen
Vdekjes do t’i them: pse mua të parën nuk më more?!

6 dhjetor 2015

_____________________

*Nekibe Kelmendi ishte avokate, aktiviste për të drejtat e njeriut dhe politikane e njohur shqiptare nga Kosova.

** Natën e 24 marsit 1999, bashkëshortin e saj, Bajram Kelmendin, me të dy bijtë, Kastriotin dhe Kushtrimin, forcat policore serbe i kanë arrestuar në shtëpinë e tyre dhe po atë natë, pa asnjë proces gjyqësor, i kanë ekzekutuar në dalje të Prishtinës dhe i kanë lënë aty pa varrosur. Nekibja më ka treguar se, pas vrasjes së dy djemve dhe të të shoqit, javët e para të kësaj tragjedie i ka kaluar duke lexuar Kur’anin famëlartë vetëm për ta ruajtur durimin dhe mendjen e kthjellët.

ObserverKult