Milazim Krasniqi: Tregim për një gurkë të tradhtuar


Ai burrë kishte qenë në rini i tradhtuar,
Sepse kish dalë partizan
I bindur se po luftonte
Në krahë të Çerqillit dhe të Britanisë,
Si luftëtar i lirisë.

I zënë me korrigjimin e gabimit
Ku e futën komunistët,
E kaloi rininë dhe u plak vetëm,
Me një çifte, një çifteli e me një atki.

Britaninë e Madhe nuk e tradhtoi
Kurrë,
Sepse në çdo odë
Me ngulm paralajmëronte:
“Britania e Madhe do të kthehet, o burrë!”

Falë një mesazhi nga BBC
Ashtu si ai e kishte kuptuar,
Në vitin 1968, Januzi pati dalë në mal
Që të ndalonte me armë
Ushtrinë sovjetike,
Nëse do të mësynte në Breznicë,
Siç pati bëri në Pragë
Kulçedra armike.

Kur vërtet u kthye Britania e Madhe
Në Kosovën tonë, në vitin 1999,
Askush nuk u kujtua ta nderonte
Atë burrë,
Me një buçetë lule
A me një epitaf,
Që kishte jetuar për Britaninë e Madhe
Me pushkë në krahë.

Si një gurkë sypatrembur
Januzi jetoi e vdiq në pritje
Të kthimit të Britanisë,
Pa e marrë me mend, as në ëndërr,
Që prapë do të ishin fitimtarë
Këlyshët e Rusisë.

24 nëntor 2020
(Nga vëllimi në dorëshkrim)

ObserverKult