Mimika Luca po i mungon shumë kinematografisë shqiptare…

Mimika Luca, zëri dhe zemra e butë, që u përjetësua si një shkëlqim në artin tonë skenik

Nga Albert Vataj

Një vit më parë, më 21 shkurt 2023, u nda nga jeta në moshën 86-vjeçare, Mimika Luca, duke lënë pas një emër të skalitur me pasion dhe përkushtim në panteonin e artit tonë skenik.

Do të shuhej edhe një tjetër shkëndi në llamburitjen e qiellit, ku një plejadë e tërë regjisorësh, aktorësh, skenaristësh, kineastësh, kostumografësh, fotografësh, etj., etj., me punën dhe sakrificat e tyre, dëshmuan se kishin ardhur për të ndërtuar tempullin e kinematografisë shqiptare, të asaj tradite që mbeti sprovë e kurajës dhe besimit, një thesar në kujtesën e gjeneratave dhe faqe në historinë e artit shqiptar.

Mimika Luca, ju dha amshimit, ashtu paqësisht siç ishte krejtkund prania, zëri dhe shpirtja e saj u gjegj duke mëkuar, më shumë se aktoren, nanën, vetë lartësimin e atij hyjnimi, ku çdo grua shenjtërisht ngjitet për t’u shndërruar në një yll të shkëlqimshëm.

Ajo nuk do të mund të vijë më, si herë të tjera të festojë ditëlindjet, apo kremtet e zëshme të një zemre nëne, në Fish City, aty ku djali i saj, Gjergji, ka shndërruar kufomën e një të shkuare zezonash, në një mrekulli të sipërmarrjes. Ajo mungon prej një viti shkallëve të pallatit ku ajo jetonte.

Nuk është më çapitja e atyre hapave të lehtë dhe kumbimi i butë i atij zëri, që ngrohu shpirtje dhe përtërini përjetime te të gjithë ata që ishin çdoditshmëria e saj.

Kinematografia shqiptare, ajo sprovë e vullneteve dhe pasionit për të bërë më të mirën në një kohë kufizimesh dhe mbikëqyrjes së censorëve komunistë, pamundësish të panumërta dhe kufizimesh vrastare, u nda me Mimikën, siç u nda me dhjetëra e dhjetëra jetë, që lanë shpirtin e tyre në themelet e kësaj ngrehine.

Mimika Luca është tashmë një vepër dhe vlerë në kujtesë, është e gjallë në rolet që ajo përjetësoi përkushtimin, është sërish te filmat, “Detyrë e posaçme” (1963), “Kryengritje në pallat” (1972). Ende nuk mund të harrohet Laja në filmin “Kur hidheshin themelet” – (1978), nëna e Anës te “Në shtëpinë tonë” – (1979), Drita në “Zambakët e Bardhë” – (1983), drejtoresha e shkollës në “Nxënësit e klasës sime” (1984), edukatorja te “Taulanti kërkon një motër” – (1984).

Spikat Mimika Luca me delikatësën e një nëne të ve dhe në merak për Alberin, në komedinë “Shi në plazh” – (1984), shkruar Teodor Laço, me regji të Gëzim Kame dhe muzikë të Aleksander Lalo.

Sërish me rolin e nënës ajo solli shpirtjen e saj të thellë në filmin, “Të shoh në sy” (1985), nëna e Marigosë në komedinë legjendare, “Përrallë nga e kaluara” – (1987), nëna e Etlevës në “Treni niset më shtatë pa pesë” – (1988). Për të mbetur e tillë, Mimika e madhe e bukurisë dhe brishtësisë së një shpirti, te Shega në filmin “Rrethimi i vogël” – (1986), Leni, bashkëshortja e Iliazit, “Botë e padukshme” – (1987), “Viktimat e Tivarit” (1996).

Rolet që ajo luajti ndoshta nuk ishin role të mëdha, por zemra e sajë e madhe i dha zemër çdo nëne që ajo solli në jetë, identitet çdo personazhi që ajo e veshi me pasion dhe përkushtim, duke dëshmuar se një aktore e madhe mund ta tregojë madhështinë e talentit të vet edhe në role të vogla.

Mimika ishte një prej atyre aktoreve të kinematografisë shqiptare, e cila nguliti në celuloid dhe memorien një vetvete të patëdytë, një integritet të mbujtur me ambicie dhe përkushtim.

Ishte dhe mbeti unike, duke qenë e favorizuar edhe nga karakteri dhe personaliteti, nga butësia dhe brishtësia, nga zëri dhe shprehia e saj e fytyrës.

Ishin këto veçanti që i garantuan asaj një vend të privilegjuar në filmin shqiptar, në jetësimin e gjallë që ajo u dha personazheve që ju besuan.

ObserverKult


edhe ëndrrat lodhen poezi nga visar zhiti
Visar Zhiti

VISAR ZHITI: NË GJIRIN BALTIK KUJTOJ HAVZI NELËN…

– do të ishte 90 vjeç sot –

Nga Visar Zhiti

Dallgë të turbullta, gri, ja ashtu
si flokët e mi.
Fryn erë e fortë
në ngjyrën e dallgëve.
Mesditë e shqetësuar
që më ndjell largësive
​drejt Finlandës,
po ku është Helsinki,
ku fshihet kështu pas këtij shiu
që ngjan me shiun tim
të burgosur?
Po kjo pulëbardhë
që vjen rrotull meje me klithma,
mos është ajo poezia për Helsinkin,
që e shkroi fshehurazi mbi kurrizin tim
një i burgosur tjetër?
…të drejtat e njeriut… mërmëriste
Havzi Nelaj, ah, më pas
djajtë do ta varnin, hapur, jo fshehtas
si Eseninin,
prandaj po lëkunden drurët
ashtu… si ai. Nuk je më,
Miku im,

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:


marsel lela

MARSEL LELA: RRUGICAT NATËN…

Ju ftojmë të lexoni poezinë “Rrugicat natën” të poetit, Marsel Lela!

Janë pamundësia për të shkruar poezi për to,
Janë shëmbëllim i rrudhave të ballit
Dhe i erëmimit të freskët mbi parmakë.
Janë vargje të shkruara në vetën e parë,
Janë fustanet e grisura të dashurive të zorshme
Dhe kaçurrelat e mbushura me padurim.
Janë rriskat e bukës të kafshuara me ëndje
Në turravrapin e pafajshëm të lodrave.
Rrugicat natën
Janë motive këngësh, fishkëllimash e pritjesh,
Janë komplote të fshehta

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult