Visar Zhiti: Në Gjirin Baltik kujtoj Havzi Nelën…

visar zhiti

– do të ishte 90 vjeç sot –

Nga Visar Zhiti

Dallgë të turbullta, gri, ja ashtu
si flokët e mi.
Fryn erë e fortë
në ngjyrën e dallgëve.
Mesditë e shqetësuar
që më ndjell largësive
​drejt Finlandës,
po ku është Helsinki,
ku fshihet kështu pas këtij shiu
që ngjan me shiun tim
të burgosur?
Po kjo pulëbardhë
që vjen rrotull meje me klithma,
mos është ajo poezia për Helsinkin,
që e shkroi fshehurazi mbi kurrizin tim
një i burgosur tjetër?
…të drejtat e njeriut… mërmëriste
Havzi Nelaj, ah, më pas
djajtë do ta varnin, hapur, jo fshehtas
si Eseninin,
prandaj po lëkunden drurët
ashtu… si ai. Nuk je më,
Miku im,
mes teje dhe Helsinkit
ka mbetur kaq shumë mjegull!
Era bëhet me kthetra
dhe kërkon të copërlojë harrimet,
sqepat sqepojnë verbërinë. Përplasen dallgët
pa e thënë atë që ti le përgjysmë
mbi kurrizin tim.
Dallgë të tjera erdhën
dhe më mbuluan,
s’isha më
dhe unë u bëra dallgë…


  • E shkruar në San Petersburg,
    maj 2014, nxjerrë nga libri
    “Si na erdhi ai, i ndaluari”.

ObserverKult


Marsel Lela

Lexo edhe:

MARSEL LELA: RRUGICAT NATËN…

Ju ftojmë të lexoni poezinë “Rrugicat natën” të poetit, Marsel Lela!

Janë pamundësia për të shkruar poezi për to,
Janë shëmbëllim i rrudhave të ballit
Dhe i erëmimit të freskët mbi parmakë.
Janë vargje të shkruara në vetën e parë,
Janë fustanet e grisura të dashurive të zorshme
Dhe kaçurrelat e mbushura me padurim.
Janë rriskat e bukës të kafshuara me ëndje
Në turravrapin e pafajshëm të lodrave.
Rrugicat natën
Janë motive këngësh, fishkëllimash e pritjesh,
Janë komplote të fshehta
Për bastisjen e portokajve
Pas avllive – Bastije.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult