Mimoza Ahmeti: Letër mamkës

Letër mamkës, poezi nga Mimoza Ahmeti: Mamka,mos ta lexoj këtë letër tjetërkush veç teje,jo se sekrete, por ende nuk jam e fortë plotësishtpër t’i mundur këto që po të them:

Letër mamkës, poezi nga Mimoza Ahmeti

Mamka,
mos ta lexoj këtë letër tjetërkush veç teje,
jo se sekrete, por ende nuk jam e fortë plotësisht
për t’i mundur këto që po të them:
Tirana është fare e zakontë.
me ngushtësinë e shtëpive të ulëta,
me udhët e lodhura të dimrit,
me një pesëmbëdhjetëkatësh në qendër
ngritur si utopia ime,
me roje të përforcuara në udhëkryqe ambasadash,
me police-qukapikë qershori të zbehur.

Diç parandjej, mamka!
Kurrë shteti nuk ka qenë kaq përballë njeriut,
kurrë tradhëtia e burrave nuk ka qenë më në modë,
kurrë gjumë më të rëndë nuk kanë fjetur netët
dhe gratë më të humbura, më të zbrazura.

Po të them e dashur, rreziku po më fton duke qeshur
me gojën pa dhëmbë të një dashurie kafshuese
me çarje në karakter,
që është një pjesë e çarjes shoqërore,
po më ofrohen detyra, miq e të njohur të shumtë,
të gjithë të lartë nga emrat, por të ulët nga tensioni i jetës,
përpiqen të më ngrenë duke u kapur pas meje,
po më rrëzojnë ende pa u ngritur.

E dashur, dëgjomë pa shqetësim,
unë do t’i grij, do t’i grij, po të them,
si në makinën e mishit
në vargjet e mia.

ObserverKult

Lexo nga Mimoza Ahmeti edhe:

ARMIKU IM, POEZI NGA MIMOZA AHMETI

armikuim poezi nga mimoza ahmeti

Armiku im,
shpeshherë më fyeve në mënyrën më të dobët,
shpeshherë të fyeva në mënyrën më të cekët,
armiku im.
E ç’do të ish jeta ime pa ty
dhe e jotja pa mua?
Askush s’mund ta dijë.
(Kur kushtëzimi mbaron qenja zhduket. )

Armik. Armiku im!
Prej teje rashë në gjurmë dhe përfitim
të asaj që kërkoja,
prej teje gjallëroi lënda ime, u zgjua,
u përbetua,
dhe ngashëreu,
kur vrasja shpirtërat mbërtheu.

Oh, në të vërtetë, ti je dashuria
dhe jo urrejtja ime,
armiku im.

Poezinë e plotë e mund ta lexoni duke klikuar KETU

ObserverKult