Mimoza Ahmeti: Poema e kafesë

poema e kafesë nga mimoza ahmeti observerkult

Poema e kafesë nga Mimoza Ahmeti

O, Maria nga Miloti!
që bëje kafe për shoferat e skodave
të Veriut-
mishërim i femrës ishe,
prej kafes që dije ta bëje,
dije ta shkrije
dhe burrat të donin fuqishëm
sepse…
Dije.

Isha fëmijë dhe asnjëherë
nuk e pashë Marian e Milotit.
Të rriturit flisnin përditë për të –
e bukur, vetulla gajtan,
kishte në qafë një kokërr kafeje,
nishan.
“Ah Marin Marjana, gushën me nishana”!
Kurse Bali,
ajo që bënte kafe te Klubi i Lidhjes së Shkrimtarëve
kishte një kokërr kafeje anash hundës…

Gra që kanë kokrra kafeje
nishana mbi trup!
Sensuale,
thithëse, venoze…
Kallup!

Kam parë një ëndërr me sy hapur këto ditë,
ajo më tha:
“Ti do të mbash këtej e tutje taka të holla-
nga ato që u ngulen burrave në zemër,
kurse çunave u pickojnë ijen në mëlçi
Taka që kërcasin sikur
thyejnë kafe
të të ngrihet tensioni…

Ah pasioni!
Nuk kalon pasioni…
Pasioni vetëm shpërdorohet,
ndërsa motivimi harrohet!
“Duhet ta përdorësh motivimin!
Ai vjen, të lë, po nuk e përdore!
Unë kam humbur kushedi sa motivime!
Duke i lënë pas dore”.
Këtë më shkruante në provim
një student i gjenisë naive…

E gjithë kjo parantezë për një filxhan kafe!
Kur isha shtazanë në Eir,
haja kafe me grushta
dhe i merrja erë bidonit të vajgurit derisa mehesha!
Thoni, çfarë logjikë mund të ketë në këtë kërkesë trupi?
Dhe në cilin trupim logjik
është përhapur dëshira gulfuese për një kafe?

Teze Fekja na shikonte filxhan,
Filxhani i saj ishte më parashikues se moti,
më transhendent se mesha,
më shkencor se kimia!
Për sytë tanë,
përmbi filxhan,
Teze Fekja ishte Perëndia.
Unë edhe mund t’jua vizatoj
që ta shikoni:

Jadigjari më shiti mullirin e kafesë
para se të emigronte në Itali.
Dhe, kur u kthye, ma kërkoi të ma blinte.
Nuk e shes, i thashë. Ta bleva se e doja!
Jadi mbeti e zhgënjyer! Sikur po e tradhëtoja…

Ne kishim pasur në shtëpi, një mulli vigan,
që duheshin dy veta për t’ia mbyllur kapakun, dhe tre të tjerë
për t’i rrotulluar krahun e dorezës,
pasi e kishim rrasur mirë te kofshët e mamasë.
Por kafeja që nxirrte ishte magji-
e hollë si hi
me aromë alivani…

Ah Antuani! (Pastaj Bataclan-i…)
Kur e përcolla, në aeroport
pashë në “duty free” një mulli e ia bleva,
ia shtiva me zor në duar!
Dhe nuk e pashë më atë dashuri
të bekuar!

Ҁ’paske bërë më tha Irini, që merte vesh nga dhuratat!
Po nuk i jepet mulli kafeje tjetrit
se i jep gjithë hallet e botës!
Ҁ’thua, moj, thashë
e pa frymë rashë në atë kujtim
që qenkësh edhe Pinakli
i jetës sime…
sipas astrologes Mari!

Eci në Paris…
Kudo që jam, eci në Paris.
Franca është refeneja ime.
Ndoshta ngaqë gjyshja jetoi ne okupacionin francez…
O-
ku-
pa-
cioni…
Ҁfarë është “cion”-i?
Më mirë mos ma thoni…
Po dal mendsh nga dëshira për një kafe!

Kafe
Kafene…
Kafe bar…
Kafe shop…
“Kafe Flora mbushur plot!”
Në Romë të bie të fikët nga aroma
kur kalon anës kafeneve…
Italia është një tavernë kafeje kum-hapur,
por Parisi
i ka karriget e holla,
të duket sikur do të thyhen
prej dëshire për t’u lakuar
rreth vitheve të tua,
epen duke
murmuruar…
“Comment ca va, comment ca va,
notre chere,
mimoza”…
Sikur të mbajnë në duar…
Dhe ndërsa ulesh për të pirë
xixa të dalin nga nofullat nepsie
zgjatohen gishtërinjtë nga dëshira duke tërhequr filxhanin pranë,
zgjohen bulat poshtë thonjve tek rrokin bishtin,
hapen e flegrat e frymës para se ta marësh hurpin,
bie vernik’ i qepallave të mbyllura mbi faqe,
sapo rrjedh nëpër lug gllënjka e parë
çel amza duke kaluar nga fyti
te tëmblat,
ngop të pangopshmin-
trurin.
Fiken organet, bien një nga një
në ritmi…
Ҁdo farë mendimi që përbënte problem tretet…
Kryet bie lirisht në Univer-
nuk ka gjë tjetër
veç distancë e shpluar krejt me prani,
kapilaritet, qetësi.
Më në fund
Je
Ti.

U zgjova sot me lumturinë
që mund të prek ëndrrën e një filxhani kafe,
që mund ta pi me nge
vetëm,
moment që intimisht
më lidh me jetën.

Oh, Maria nga Miloti
im atë të dëshironte
vetëm me të dëgjuar,
ime më xhelozonte për ty inferiuar…
Midis burrave
vendosje ti sens dhe rend…
Unë të ëndërroja – një ëndërr e ndaluar-
prej krejtve
heshtas – haptas ishe e dëshiruar…
Nën avujt e ekspresit dhe zhurmës elektrike
të tubit
që futej brenda xhezvesë
duke fekonduar pas banakut
shpirtëra pritës
me aromin deliruese
të kafesë!
(Oh Maria nga Miloti,
që e kishe përbuzur një burrë,
i cili të pati kërkuar ujë
pasi kafenë e kish pirë…
Atij nuk i mbushe filxhan kafeje më kurrë!
Dhe ia bëre shumë mirë!)

ObserverKult

Lexo edhe:

ARMIKU IM, POEZI NGA MIMOZA AHMETI