Pyetësorit të Prustit i përgjigjet Mimoza Rexhvelaj, shkrimtare dhe studiuese.
Cila është ideja juaj për lumturinë e përkryer?
-Të kesh zemrën plot me ndjenja pozitive mbi jetën dhe njerëzit që të rrethojnë. Të nxjerrësh më të mirën nga çdo situatë. Të mos biesh në grackën e dëshpërimit, të mësohesh t’u gëzohesh gjërave të vogla, që për masën nuk kanë rëndësi si lindja e diellit, vesa mbi petalet e luleve, apo një fluturë lozonjare që lëvizën e shkujdesur rreth teje.
Cila është frika juaj më e madhe?
-Të mos kem pranë familjen time, pa ta jam e humbur. Se imagjinoj dot veten…
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
-Në fakt admirimin e kam veç për krijuesin, por që më frymëzon është gruaja shqiptare, në tërësinë e saj. Jam e rrethuar me gra që kanë ndikuar në formimin tim, kanë qenë modele të gruas së fortë, si gjyshet, mami, tezet, motrat, miket. Në të gjitha ato kam parë e admiruar forcën shpirtërore që kanë për të bërë gjithçka që familja të jetë e bashkuar e lumtur. Kam parë si bëjnë sakrifica për mbijetesë, kam parë se si bëjnë kompromis për të çuar përpara dhe gjëra që nuk shkojnë. Ato janë luftarake. Janë mbrojtëse, janë burim drite e mirësie, janë të forta, durojnë gjithçka dhe nuk ankohen kurrë. Meritojnë admirim!
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
-Thonë se i ngjaj Norës së Kelmendit ndoshta nga që jetoj në veri dhe më ka bekuar zoti me disa tipare të vajzave malësore. Mbretëresha Teutë me frymëzon shumë dhe pse aq pak flitet dhe trajtohet si figurë historike.
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
-Kam mbetur fëmijë i llastuar, ruaj ato privilegjet nga fëmijëria dhe nganjëherë them se e teproj.
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
-Mosmirënjohjen, gënjeshtrën, nuk i fal mashtruesit, fjalën e pambajtur. Këtyre ju kam shpallur luftë të hapur.
Në cilat gjëra e teproni?
-Me blerje. Hahahaha.
Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
-Asgjë, nuk gënjej kurrë dhe nuk dua të më gënjejnë.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
-Bota e librave, sepse aty lëvizë nga të dua dhe si të dua, në lirinë time të plotë pa kufi, kohore e hapësinore…
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
-“Faleminderit!” dhe “Bekime”.
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
-Nuk pendohem asnjëherë për gjërat që bëj edhe kur dështoj, shoh përpara nxjerrë mësim dhe “Hasta la vista!”
Ç’ka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
-Tre fëmijët e mi vijnë të parët në gjithçka. Familja në tërsi.
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
-Jam mirë shumë! Jam njeri pozitiv kam mësuar të nxjerr më të mirën nga çdo situatë. Dua shumë që ekulibrin në jetë dhe strategjinë time për të qenë e lumtur me gjërat e vogla t’ua përcjellë edhe njerëzve që më rrethojnë. Kam një botë gati përfekte për veten time e kam ndërtuar vet, kjo më mban të qetë gjithmonë, të kthjellët. Siç thonë nga anët tona :”Nesh e mirë!”. Më pëlqen të lë kujtime të bukura tek njerëzit që më rrethojnë.
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
-Të isha më dorështërguar, hahaha jam pak vonë për këtë. Jam në paqe me me veten dhe jemi bërë shoqe të ngushta sa merremi vesh mrekullisht.
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
-Kam një familje të shëndoshë dhe po rris tre fëmijë të lumtur, tre ekselentë,besoj që kjo është arritja më e madhe për një nënë. Të rrisim qytetar të denjë që janë investim për të ardhmen e vendit.
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
-Asgjë! Çdo gjë që kam jetuar deri tani ka qënë mësim për mua, si të mirat, si zhgënjimet. Jeta është sfidë, unë jam luftarake…
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
-Zambak i bardhë i liqenit të Shkodrës, ku jetoj e jam rritur mes tyre ose shqiponjë që ngjan me mua, shpirt i lirë…
Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
-FAMILJA! Ata janë jeta ime, për ta jap jetën. Këtu nuk bëj kompromis, për ta shemb botën.
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
-Njerëzit që rendin pas gjërave materiale, njerëzit që shiten për një post, për një vend pune, njerëzit servil, nuk i honeps dot. Njerëzit pa shtyllë kurrizore, pa pa parime, pa ideale. Kjo pjesë më trishton dhe nuk duhet që këto modele të promovohen as të shiten për “vlera” siç ndodh rëndom…
Ku do të dëshironit të jetonit?
-Kudo, mjafton të kem pranë njerëzit e mi të dashur. Ku janë ata, aty është parajsa.
Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
-Besnikërinë, mënçurinë, fisnikërinë.
Çfarë vlerësoni tek një femër?
-Nuk i ndaj me gjini, ato cilësi që dua tek një mashkull, i dua edhe tek një femër, por mund të shtoj klasin, feminilitetin, janë krijesa që zoti i bekoi si përçuese të jetës, ndaj duhet të qëndrojnë në lartësinë dhe madhështinë e detyrës që kanë, të jenë femra, ashtu të brishta e plot magji. Janë gati qenie hynore nuk kanë pse të heqin dorë nga ajo që janë.
Cili është shkrimtari juaj i preferuar?
-Janë disa, por do të veçoja – Migjenin.
I kam jetuar disa nga situatat e tij dhe e ndiej afër gjithmonë.
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Ata që duan pa kushte. Ata që i japin mirësi e bekim për njerëzit në nevojë. Ata që nuk bëjnë kompromis me padrejtësin, që i kanë shpallur luftë atyre që punojnë për të mjeruar popullin. Jam idealiste.
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
-Të aktroja. Jetoj gjithmonë si e vertetë pa hyrë në rol, nuk e mësova kurrë aktrimin në jetë. Po ta kisha mësuar e di që do i kisha shmangur vetes shumë beteja. Hahahaha
Si do të dëshironit të vdisnit?
-Duke u lutur zotit që kur unë të jem larg, ai të kujdeset për njerëzit e mi!
Cila është motoja juaj?
-Kemi ardhur në këtë botë për të jetuar dhe për të lënë gjurmën tonë. Ndaj motoja ime është:”Jetoje të sotmen, por puno fort që e nesërmja të jetë më e bukur se sot!”/ObserverKult