Mini-bibliotekat, aty ku mund ta merrni librin, ta lexoni e ta ktheni!

Mini-bibliotekat janë pjesë tashmë e disa qyteteve të Kosovës. Vendosja e tyre është bërë me iniciativën e Xhezide Selimit, e cila ndonëse është me profesion juriste, ka një dashuri të madhe për librin dhe shkrimin.

Me ndihmën e disa dashamirësve të librit, gjashtë biblioteka të këtilla të vogla janë vendosur në Viti, Ferizaj, Gjilan, Mitrovicë, Skënderaj dhe Drenas.

“Kjo është bërë në një periudhë prej 4 muajsh, ku e para u përurua në Viti më 17 shkurt, dhe kjo së fundmi në Drenas më 24 qershor”, thotë Selimi.

Selimi e ka filluar si ide krejt e vetme por rrugës ka gjetë dhjetëra mbështetës, vullnetarë për ta ndihmuar në lidhje me sigurimin e kabinave-objekteve që shndërrohen në mini-biblioteka.

Selimi nuk e ka ndërmend të ndalet dhe objekte të këtilla me libra së shpejti do t’i kemi edhe ne vende të tjera.

“Kudo që kemi ftesa për të tilla mini-biblioteka dhe atje ku gjejmë mbështetje do krijojmë patjetër. Synoj në çdo qytet e shesh të Republikës sonë por edhe në vende tjera ku flitet shqip, Preshevë, Kumanovë, Shkup etj”.

Për këto mini-biblioteka kujdesen vet qytetarët e atyre vendeve ku vendosen.

“Pothuajse çdo mëngjes më dërgojnë foto qytetarët afër mini-bibliotekave dhe më informojnë edhe për gjendjen dhe kujdesin ndaj tyre. Ato që i kam më afër kujdesem edhe vetë kur mundem”, shton Selimi.

Sfidë tjetër që lidhet me to padyshim është edhe ruajtja nga dëmtimi eventual, marrë parasysh që ka pasë edhe në të kaluarën vendosje të bilbiotekave të këtilla, por të gjithë e dijmë fatin e tyre.

“Deri më tani asnjëra nga to nuk është dëmtuar, përjashto Drenasin kur padashje fëmijët duke lozur me top, kishin thyer xhamat, mirëpo edhe punëkryesi i mini-bibliotekës atje s’kishte kryer punën si duhet. Prandaj edhe lehtë është thyer xhami, të cilin ditën e nesërme e rregulluam dhe në tjera vende askund nuk pati asnjë dëmtim” , potencoi ajo për ObserverKult.

Qëllim parësor i këtyre bibliotekave është nxitja e leximit dhe mundësia më e lehtë për të arritur deri te libri. Të gjithë ata që duan mund që ta marrin librin e caktuar për lexim dhe kthehet sërish, duke e ruajtur fondin librar.

Xhezide Selimi

Përpos vendosjes ato lypset të mbushen me libra, por Xhezide Selimi edhe në këtë aspekt ka hasë në përkrahje dhe mirëkuptim.

“Shkrimtarët janë nga ata që më së shumti më mbështesin vullnetarisht me krijimtarinë e tyre, por edhe qytetarët na kanë sjellë libra të shumtë”.

Se a kthehen apo jo këtu librat pas leximit, momentalisht është vështirë “të përcaktohet”, marrë parasysh që brenda ditës mund ta merr dikush tjetër librin që është kthyer, ndonëse Selimi thotë se vetë i ka parë shumë qytetarë duke kthyer libra.

“Në disa vende ku kisha lënë fletore për evidencë kam parë se kanë shkruar datën kur kanë kthyer librat, pra jam shumë optimiste se librat e marrë do të kthehen”.

Ajo ka në plan edhe projekte të tjera që lidhen me nxitjen e leximit.

“Por edhe projekte apo iniciativat për krijimin dhe pasurimin e bibliotekave shkollore të viseve malore kryesisht e në veçanti të shkollave që kanë një emër gruaje do t’i vazhdojë, përherë aty ku gjejë dhe mbështetjen e personave që duan të bëjnë diçka të mirë për vendin e tyre”.

Xhezide Selimi krahas dashurisë së madhe për librin edhe vetë shkruan poezi. Ajo paralajmëron se gjatë këtij viti do ta kemi një libër të sajin me poezi.

“Që të jetë si një dokumentim i ndjenjave të mia të brendshme dhe shpërfaqjes së tyre sado artistike e poetike që arrijë t’i shkruajë”, tha ajo.

ObserverKult


Lexo edhe:

XHEZIDE SELIMI: ME AROMË PRANVERE