Miranda Hashani: Të mbijetojë muzika e mirëfilltë është obligim e detyrë edhe e institucioneve jo vetëm e jona

Miranda Hashani, edhe pas 30 vitesh karrierë vazhdon të jetë njëra nga këngëtaret më të dashura për publikun.

Këngëtarja e njohur numëron hite të shumta në karrierën e saj.

Intervistoi Lindita Canolli-Fejzullahi/ObserverKult

Keni kaluar tre dekada me këngën. Si ishin këto vite për ju?

Miranda Hashani: Mbi 30 vite karrierë është një rrugë e gjatë përplot mund e sakrificë, suksese e përmbushje. U jam falenderuese pafundësisht adhuruesve të mi e bashkëpunëtorëve që ishim bashkë e vazhdojmë edhe sot drejt sukseseve të tjera. Kam ecur çdo shkallë me shumë kujdes për t’u ngjitur drejt kësaj rruge që nuk ka qenë aspak e lehtë për mua. Por, jam shumë krenare për çdo gjë që kam arritur.

Ju keni diplomuar për dizajn grafik. Sa jeni aktive në profesionin e juaj, dizajnin?

Miranda Hashani: Me dizajnin kam qenë më aktive gjatë studimeve dhe pak vite pasi kam diplomuar. Pastaj disi më pak sepse kënga më merr shumë kohë, përkushtimi rreth familjes edhe fëmijëve është një obligim tjetër. Ndaj për këtë po i rri larg këtë kohë dizajnit. Por mbaj kontaktet me kolegët dhe miqtë e informohem për çdo gjë rreth artit në përgjithësi sepse është diçka që më lidh gjithashtu.

Arti, e bukura është pasioni im. Kohë pas kohe pikturoj, ngjyrave si ndahem dot, është një tjetër përmbushje shpirtërore e imja artistike.

Keni marrë pjesë edhe në ekspozita, apo jo?

Miranda Hashani: Ekspozitë personale nuk kam pasur ndonjëherë por kolektive po, kam marrë pjesë disa herë. Në një të ardhme edhe nuk i dihet, ndoshta do të realizoj një ekspozitë personale.

Publiku ju njeh përmes këngës…

Miranda Hashani: Publiku i gjërë më njeh me këngën, janë pak ata që më njohin me dizajnin, pikturën e artet tjera. Por njeriu kur don mund të arrijë t’i menaxhojë mirë të gjitha.

Ju i keni kënduar dashurisë, nënës, ndarjes…

Miranda Hashani: Një melodi, tekst e orkestrim duhet të jetë mirë i punuar, nuk ka rëndësi tema nëse është ndarje, dashuri, dhimbje, gurbet apo edhe tema tjera. Rëndësi ka sa godet, sa zemra i bën për vete. Publiku është i ndryshëm, është në dorën e tyre cilën këngë e bëjnë për vete.

E imja është që të jem sa më e kujdesshme në përzgjedhje dhe e përkushtuar që gjithmonë t’ua ofroj më të mirën këngë të mundshme publikut. Pra, që të përcjell kënga mesazh të mirë, motivues, inspirues etj.

Ju jetoni në mes të Shkupit, Gjermanisë edhe Kosovës. Sa po është e vështirë që të jeni afër publikut që ju kërkojnë?

Miranda Hashani: Aspak nuk është e vështirë, u them shpesh të gjithëve që Evropa nuk është më larg. Nga kudo që nisesh për dy orë arrin në Shkup, Prishtinë apo Tiranë. Ndaj nuk mungoj aty ku ftohem. Vij shpesh edhe për vizitë pasi që nuk pres të më marrë malli për vendin tim, familjen time, shoqërinë e edhe fansat e mi.

Cila është kënga që publiku e veçon, e këndon saherë që ju këndoni para tyre.

Miranda Hashani: Kam disa nga ato këngë që publiku i këndon bashkë me mua dhe të them të drejtën ndjehem kaq mirë për këtë kur dëgjoj njëzëri të gjithë bashkë të këndojnë këngën time, një ndjenjë e papërshkruar. Thjesht ndjehem e mrekulluar.

Do të veçoja këngët “Mos më lini vet”, “Qeraxhiu”, “Përse” etj

Cila është kënga që ju e keni më për zemër, nëse mund ta veçoni njërën. Nëse po, pse e doni më shumë atë këngë ?

Miranda Hashani: Kjo një pyetje e vështirë! Nuk do të mund të ndaja asnjërën. Kjo sepse në çdo këngë kam dhënë mund, copë të shpirtit tim, ditë e net, përkushtim maksimal që të dalë sa më mirë. Ato i ndanë publiku pastaj, ndërsa unë secilën këngë e këndoj me emocionin e njëjtë si ditën e parë.

Përgjatë këtyre viteve karrierë a mund të veçoni një vit si më të suksesshmin?

Miranda Hashani: Si në çdo profesion që ka ngritje e ulje, të njëjtat i kam pasur edhe unë në karrierë. Por mesin gjithmonë e kam dashur më shumë ndaj kam qëndruar aty e kam mundur tu rezistoj disa rrymave të reja që erdhën mes nesh që aspak nuk i pëlqej e as nuk i preferoj.

Për mua koha më e mirë ka qene vitet e ’90 kur kishte më shumë festivale, koncerte e turne të ndryshme nëpër diasporë.

Komercializmi po vazhdon të mbizotërojë. Sa është e vështirë të mbijetojë muzika e mirëfilltë?

Miranda Hashani: Komercializmi është momental, ndërsa këngët e bukura nuk vdesin kurrë.

Të mbijetojë muzika e mirëfilltë është obligim e detyrë edhe e institucioneve jo vetëm e jona. Ato duhet sa më shumë të mbështesin artistë me projekte serioze se vetëm kështu mund ta ruajmë dhe kultivojmë trashigiminë tonë kombëtare e ta shpiejmë atë në shkëlqimin më të lartë e të bukur.

Dëshira ime është që t’i ruajmë fillet tona muzikore dhe të qëndrojmë sa më shumë tek muzika e mirëfilltë shqiptare, ta trashigojmë brez pas brezi.

Ju i keni rezistuar kohës si muzikante. A i bie ‘nuk keni lëshuar pe’ në kriteret tuaja?

Miranda Hashani: E kam pasur dhe vazhdoj të kem kriter në çdo paraqitje timen kudo, qoftë në mbrëmjet e mija, dasmat e mbledhi të ndryshme, dhe vërtetë nuk lëshoj pe në asnjë mënyrë. Shumë herë më kanë vu në provë, por nuk ia kanë dalë. Unë vazhdoj ta dua, ruaj e ta kultivoj vetëm këngën e bukur shqipe, atë që e kam trashëguar nga gjyshërit e mi.

Ju i keni dy fëmijë, a mendoni se ndonjëri nga ta, do të shkojë rrugës suaj. A keni vërejtur ndonjë interesim për muzikë? A ua kishit rekomandu të merren me muzikë?

Miranda Hashani: Doni dhe Deti këndojnë shumë bukur, kanë të dy ngjyrë të mirë vokali, shpesh këndojmë bashkë, por aspak nuk janë të orientuar kah muzika. Të dy e duan sportin më shumë, si duket më shumë janë ndikuar nga Mentori pasi ai ka qenë fudbollist. Duke e ditur që të merresh me sport është më shëndetshëm, nuk po ju imponohem të merren me muzikë.

A presim ndonjë këngë të re së shpejti nga ju?

Miranda Hashani: Kënga ime më e re “Rri me mua” me tekst të Avni Qahilit dhe muzikë të Ebrar Mazhar pritet të dalë këto ditë. Tani me çdo gjë ka përfunduar, edhe videoklipi nga Urbangraphics. Jam shumë e kënaqur dhe i falenderohem çdonjerit që ishin me mua gjatë realizimit. Është një këngë dashurie që shpresoj të pëlqehet nga fansat e mi.

Një mesazh për publikun?

Miranda Hashani: Sukses është kur arrijmë të realizojmë qëllimet tona në jetë, rëndësi ka të mos dorëzoheni kurrë dhe të besoni që nëse vazhdoni keni fituar ndërsa po u ndalët keni humbur./ObserverKult


miranda hashani

Lexo edhe:

MIRANDA HASHANI: HARROJE, HARROJE TI DASHURINË TONË… (TEKSTI DHE KËNGA)

Teksti i këngës “Harroje dashurinë tonë”, e kënduar nga Miranda Hashani.

E di s’kam të drejtë
ta thur unë këtë këngë,
se ty djalë i dashur
të shoh veç në ëndërr .

Dhe bashkë kur u ndamë
nuk thamë nat’n e mirë,
por thamë lamtumirë.

Tekstin e këngës së plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult