Mirela Papuçiu: Stinë festash në Tiranë

Dy të rinj puthen përpara kryesisë së Kuvendit.
Elektriciteti mes tyre nuk ia doli të ndezë
dritat e zbukurimeve.
Ato, si prostitutat, presin natën të ekzistojnë.
Konkursi i fotografise ” Mbro, promovo”,
shpalosur kangjellave të Presidencës
ngjan me varakun e tubave llamarinë
të sobës me dru që rripej me zjarrin e parë.
Tek Akademia e Arteve “etyde pikture” i mbajnë ca burra të rinj majë skelave.
Tubetat e bojërave tani i përdorin bojaxhinjtë,
piktorët provojnë trendin e ri te furçave.
Fundja, te gjithe duhet te ushqehen!
Uljet në dyqane janë më të larta se çmimet,
po mësymjet e blerjeve janë me pushime.
Në korsinë e biçikletave dy qen duken të humbur.
Nuk ka asnjë tabelë Ekovolis.
Një burre i moshuar tërheq një grua të moshuar prej dore.
Mua më tremb hapi i terratisur
dhe gremina e syve të saj.
Hap rrëmbimthi bllokun e shënimeve
për t’ i bërë pak vend vetes.