Na merr malli të gjithëve
Ata që ikën, si dhe ne që nuk e lamë qytetin ndonjëherë.
Na merr malli të gjithëve
Na merr për të afërmit që i humbëm kthesave të ditëve të verbëta
dhe për të panjohurit që, padukshëm, na u ulën, kohën e një puhie, pranë
Na merr malli të gjithëve siç e merr lëkurën
për freskinë e çarçafëve shtruar për herë të parë,
për gishtat e butë rrëzë frymës së agimeve të majit,
për buzët gjysmë të çelura të dihatjeve që na lindin pasi vdiqëm, kaq herë.
Na merr malli për gëzimin që na i qendis sytë
kur veshim kostumin e rehatshëm,
lehtësuar nga kanavaca kollarisur me frikën prej vetes
Na merr malli të gjithëve, na merr
T’u hipim pajtoneve tani kur njerëzit u hipin rendom avionëve
Të nisemi më këmbë për tek tjetri
se e gjitha sa kemi, tash, na është grumbulluar
në mollëza
e lëkura është tëhollur shumë për gjithë këtë mall.
Malli është një nusepashke në pëllëmbën e trishtë të mërzive.