Mirko Amidžić: Për kë bien kambanat

Ngandonjëherë ndihem
krejt çuditshëm në errësirë,
Në krahët e imagjinatës time
që zhytet në gjumë,
Jetës i gëzohemi
ndërsa vdesim vetëm,
Sepse askush nga ju nuk e di sonte
se për kë bien kambanat,

Vetmia m’i mbledh duart
dhe mua më shndërron në dhuratë për ty,
Si pulëbardhën në një det të stuhishëm
më ndjekin erërat
Unë ende e fsheh dhimbjen time diku
thellë në errësirë,
Sepse askush nga ju nuk e di sonte
se për kë bien kambanat,

Kur qielli merr shpirtin dhe e hap
para meje e di që do ta mbyllësh derën,
Shiu i vret kujtimet ngadalë
me tingullin e tij monoton,
Në vend teje shiu ai po më përkëdhel
me dorën e vet të ftohtë,
Në dhomën tënde derisa vazhdon loja
e kohës dhe orës.

Përktheu: Fadil Bajraj

ObserverKult


Lexo edhe:

JEFF WEDDLE: E PASHMANGSHME