Misteret dhe baladat që do të fshihen nën rrugën e re që po ndërtohet në jug të Shqipërisë

Nga: Sefer Pasha

Qyteti i moçëm i Kardhiqit me 6000 banorë u shemb si në përralla. Një monstër me llavë e çmenduri në tru si Ali Tepelena shkoi në satër tek Hani i Valaresë me 705 burra. Zonjave të Kardhiqit u qethi kokat dhe i lëshoi në malin e Buretos. Kardhiqi që ishte reklama e Labërisë u boshatis që të nesërmen. Kuisnin vetëm qentë. Qyteti, i cili ishte në kulmin e lulëzimit, prej së largu ngjante si një trëndafil në krye të një skene mali. Nuk kishte natë. Yjet që binin mbi mermer e mbi xhamat e kristaltë të sarajeve e zbrapsnin errësirën. Thuhet gjithashtu se rrezet e diellit bënin rikoshet në muret e veshura me flori dhe në monopate ndizeshin zjarre. Fosfori në lëndën e materialeve të ndërtimit ndriçon vetiu natën. Lastarët e agimit në Çajup thyheshin përballë “yllit” të fshehur në male. Tek merresha me këtë dukuri mu kujtua Gëtja, i cili thotë: “Tregojnë për një gur në Bolonjë, që i vendosur në diell, i thith rrezet e tij dhe vazhdon të ndriçojë vetë pastaj për ca kohë natën, me dritë të tij”.
Qyteti i Kardhiqit nuk u mor në mbrojte as në vitet e demokracisë. Tani krenar e sheh veten kaluar dhe si sfinks vikat që nga kalaja: “Unë jam Qyteti i Kardhiqit. Rruga e re Kardhiq – Delvinë është fati im. Shfaqjet do të fillojnë sërish në skenën e madhe të varur në gozhdën e Kopresë”. Kardhiqi enigmatik i veshur me mister nuk i mbështeti këmbët në tokë. I ruajti si flatra shqiponje. I njihte erërat dhe jetoj në fluturim. Sikur s’qe tokësor. Kronikanët thonë se qyteti i ka ruajtur kodet dhe kalendarët e jetës. Janë nën gërmadha.
Shënime nga rruga Kardhiq – Delvinë.

Rrugën e re që nga Ura për në kështjellën e kalasë së Kardhiqit e bëra shpejt si në një rrafsh poetik. Para se të qëmtoja ndonjë motiv nga punët e rrugës për në Delvinë ndalova tek Burimi i Burrave. Makinën e lashë në brinjë të kalasë. Udhën e përpjetë copë – copë do ta çapisja në këmbë. Vështrova nga kalaja dhe nuk e di sepse u turbullova. Këmbët nuk më bënin për t’u ngjitur në udhën e rrjepur që të nxjerr tek Pazari. Rashë në mendime. Çfarë po më ndodh i thashë vetes? Qytetarët e Kardhiqit treqind e ca vjet të shkuara para se të futeshin në qytetin e tyre i fshinin këpucët. I lanin me ujë në lumin e Kardhiqit, të Prongjisë e tek burimet në Qersaj. Çdo banor hynte i pastër në qytet. Edhe mysafirët gjithashtu do të bënin të njëjtën gjë. I mbanin veglat me vete edhe për pastrimin e patkonjve të kuajve. Belbëzova. Zakoni i lashtë i një qyteti misterioz më “urdhëroi” që edhe unë t’i laja këpucët. I hodha sytë 30 metra më lart. Aty gurgullonte Burimi i Baçes së Burrave. Pikërisht aty i lanin këpucët ata që do të futeshin në Kardhiq nga pjesa perëndimore. Këtë gjë do të bëja dhe unë. Mbushem me frymë. Më të moçmit më kanë thënë se të pushosh tek Burimi i Burrave dhe ai i Grave është njëlloj sikur të pish një vedër me verë. Fluturimthi sytë i hedh nga fusha e gjerë. Ali Pashë Tepelena e lakmonte se në Fushën e Kardhiqit prodhohej gjithçka. Vetëm bima e kafesë nuk bëhej. Por papritur dola nga atmosfera e “ftesës” që më bën fantazmat e kardhiqotëve të kulturuar të treqind viteve më parë. Mbi vilën e re të vëllezërve Shehu dëgjoja të thirrura të forta. Një makinë e shtrenjtë me targa të huaja ishte në buzë të greminës. E zonja e vilës më thotë se makina ishte e një kardhiqoti që banon në Amerikë. Kishte ardhur me të gjithë të shoqen amerikane për të parë Kardhiqin e hershëm. Vrapoj dhe i vete në ndihmë. Pamja e frikshme e fshiu erën e romatizmit tim. Gjithashtu një tjetër makinë po gjëmonte mbi Shkëmbin e Bekçiut. E njoh. Është djali i Xhemil Halulit, Altini, i cili punon si emigrant në Gjermani. Disa turistë francezë me çanta në shpinë po i binin nga mekami. Ndjeva një revoltë të brendshme për rrugën që varet si një lëkurë gjarpri. Si nuk e bën kardhiqotët këtë rrugë i them vetes? Dhe fare natyrshëm belbëzoj atë këngë e lashtë sa bota: – “/Shtëpisë i daltë themeli/ /Që nuk nxori një djal nga beli/. Unë nuk jam kardhiqot e nuk di ç’të them për tregtarët e kësaj ane. Mu kujtuan vargjet e rapsodit Tartar Zeka, i cili thotë: – Nuk dija as farë, as fis/ /Se do i thoja nja di/. Ndërrroj mendje. Ngjitjen për në Kardhiq do ta bëj një herë tjetër. Shpirti më qesh dhe nuk dua që mbi trarët dhe mahitë e reportazhit të vë ca dorëza kashte. Ka zëra se firma që po ndërton rrugën Kardhiq – Delvinë do t’i hedhë një “grusht serë” të përpjetës për në kështjellë. Jemi në kohë korone dhe nuk dua që të sjell trishtim. Edhe këtu tek Burimi i Burrave e shkoi nëpër mend një nga thëniet e Heminguejt që e kam shumë për zemër. Personazhit të Hemingejt “i pëlqente të dëgjonte anën gazmore të asaj që ndodhte në botë: asnjëherë të vërtetën, asnjëherë të keqen”. Në fshatin Kakodhiq më pret një poet i ri nga fshat Zhulat. Ai po shkruan një libër për këtë vepër të ëndërruar. Fshatarët e quajnë udhën “Rruga e detit”. Sipas tyre deti do të vij në Lumin e Kardhiqit. Në Qafën e Skërficës nuk do të ketë më ujqër, por do të dalin delfinë dhe ndonjë peshkaqen. Bëmat gojore më shoqërojnë kudo. Flitet dhe për mallkimet. Një nga të parët e Halulajve kishte një djalë që kishte bërë hajër në Anadoll. Kardhiqoti shkon për ta takuar. Në Anadoll djali që e kishte emrin Meleq i thotë të atit se për të ishte rezervuar një hotel luksoz. Gjithçka ishte paguar. Babai i kthen këtë përgjigje: “Unë erdha në Anadoll se më kishte marrë malli për ty e fëmijët e tu. Por pa vajtur unë në Kardhiq vaftë mandata që ti ke vdekur. Dhe kështu ndodhi. Kur babai i Melqeit të Parë po kthehej në Urën e Kardhiqit shikon gra me të zeza. I njeh. Nëma kishte bërë punën e saj. Sërish nuk jam i qetë. Sytë i hedh nga Mali i Pusit. Shumë mote më parë dy vëllezër francezë u përplasën me avionin privat në shkëmbin e malit të Pusit. U pa edhe nga kardhiqotët kur avioni mori flakë. Mbase tek kthesa e rrugës për në grykën e Piksit do të vendoset një shenjë treguese drejt Malit të Pusit, ku humbën jetën dy vëllezërit francezë. Turistët e huaj dhe sidomos ata francezë do të ndalojnë dhe do të vështrojnë shkëmbin tragjik. Por turistët do të mësojnë se populli i Golemit, i Zhulatit, i Kolonjës dhe i Kardhqit me të parë flakët e avionit vrapuan për t’u ardhur në ndihmë atyre që u copëtuan në malin e Pusit. Shpresonin që prej avionit të kishte dhe njerëz të gjallë. Të gjithë më të fuqishmit që mbërritën tek shkëmbi, ku ndodhi tragjedia, gjithçka që gjetën i paketuan në arka. Dhe ato i shkuan Ambasadës Franceze në Tiranë. E lexova këtë detaj në Arkivin e Ministrisë së Brendshme.

***

Nuk po lënë motivet e rrugës që po ndërtohet për t’u marrë me qytetin më tragjik të Shqipërisë. Kam ndalur me aparatin fotografik në dorë tek Honi i Skotinisë, ku po gërmohet për të mbërritur drejt Delvinës. Honi është i frikshëm. As sytë nuk mund t’i hedhësh poshtë. Ka shumë legjenda për Honin e Skotinisë. Kur agallarët e Kardhiqit deheshin me verë ja merrnin këngës: – /Më duket fundi i shtëpisë/ /Porsi Honi i Skotinisë/. Nuk i mban ky shkrim tregimet për Honin e Skotinisë. Por njëzë të vogël po e puthis. Për të kaluar për ndonjë hall nga krahu i Fushë – Bardhës për në Kardhiq e më tutje për në stanet përballë Delvinës kishte vetëm një mënyrë. Në anë të humnerës së Honit të Skotinisë ishte një qeparis i lart. Quhej Qeparisi i Halleve. Për të kapërxyer nga njëri breg i honit në tjetrin duhej të hipje në majë të qeparisit me shumë terezi. Me të hipur në majën e qeparisit duhej të filloje pak e nga pak lëkundjen e trupit të qeparisit. Fillimisht ngadalë e kur e “gradaoje” shenjestrën, e cila nga lëkundjet e kishe kaluar mesin e Honit të Skotinisë, dhe maja anonte nga buza e Kardhiqit, duhej të brakisje lëkundjen e qeparisit dhe të fluturoje si zog e të bije në truallin e Kardhiqit. E kanë matur topografët dhe largësia nga njëri cep i honit në tjetrin ishte 15 metra. Kurse thellësia një qind e ca metra. Ky veprim bëhej në raste dramash. Nuk kishte shteg tjetër. Po t’i bije më gjatë duheshin më shumë se dy orë. Udhëtoj, mbaj ndonjë shënim dhe herë pas here i hedh sytë nga kalaja e qytetit të Kardhiqit. Nuk ka shumë kohë që isha për vizitë në Qytetin e Kardhiqit. Hipa në kala. Preka traktet e gurëve me lartësi tre metra. Gjithashu u futa në kështjellë. Në kullat e larta. Në gërmadhat e garnizonit ku siç shkruan Çelebiu: – “Në kështjellë është dizdari me 100 ushtar”. Bëhet fjalë për vitet 1431 – 1432. Kurse në fillim të shekullit të 18 – të qyteti i Kardhiqit ka mbi 6 000 banorë. Po ashtu këqyra një nga minaret monumet të njërës prej shtatë xhamive(Këmbana e blerë nga agallarët e Kardhiqit në Anadoll me flori dëgjohej deri në Kakavijë). Pashë sterat e bulmetit, të ujit dhe vendvarrimet e vjetra monumentale të shkatërruara. Mbi Bimajt kërkova atë shpellën e ftohtë ku kërkuesit e floririt nga Tepelena kishin gjetur një qyp me mjalt 200 vjeçar. Nëpër sokak trokisnin tek unë si vargje biblike shënimet e Pukvilit: – “Varre të shpërndarë rreth e rrotull shesheve” dhe “ca qenër të egërsuar të cilët me të lehurat e tyre na dukesh sikur kërkonin të zot”. “Kardhiqi nuk ishte më veç një kufomë qyteti”, i mbyll shënimet Konsulli i Guvernës Frënge pranë Ali Pashës. Pashë gjithashtu skeletet e banjove publike. Kovaçhanën e jevgjve. Sokaqet me kalldrëme. Taborret, Dervenët dhe ca vizatime të mykur në shkëmbinj.
Qyteti i kishte vënë krahët malit. Mbrohej, por dhe e vazhdonte jetën mes mynxyrave të kohës. E që kardhiqotët të mbjetonin përgatiteshin për jetën. Rruga e re për në Delvinë na ndal nëpër monopate, ku kanë ndodhur dhe tragjedi. Një kardhiqot kishte shkuar në një nga pyjet e egër, të cilët duken që nga Delvina. Ai kishte marë me vete dhe të birin, i cili kur të rritej të udhëtonte si trim me karvanet, ku kishte plaçkitje. Kardhiqoti bën “një lojë” të rëndë me të birin e vetëm. E lë djalin në mes të pyllit dhe që nga monopatet herë kuiste si ujk e herë si cjap i egër. Djaloshi i vogël nuk e përballoi dot “teatrin” e të atit. I thërriste babës në emër nëpër pyll dhe nga ankthi i pushon zemra. Kur babai u kthye e gjeti të birin të vdekur. Unë e njoh mirë letërsinë botërore për fëmijë. Tek asnjë autor nuk kam lexuar një novelë me kaq tragjicitet. Udha e re i zgjoi nga gjumi vëllimet me tregime të një kohe të shkuar.
Hidhem në anën e majtë të rrugës për në Delvinë. Përball malit të Lenikut është bjeshka e Mbretes e më përtej ka shpella të frikshme. Barinjtë më treguan një monedhë flori. E kishin gjetur tek Sheshi i Burrave në rrënojat e Shahineve. Më thanë gjithashtu se kërkuesit e thesareve të floririt venin e vinin mbi shpellat e Prongjisë. Kërkohen thesaret e floririt të Demir Dostit. Ai qe aga dhe kishte fshehur në rrethana misterioze shtatë mushka me florinj në shpellat e malit të Lenikut. Që të mos i delte sekreti Demir Dosti i vrau rojet besnike, të cilët ja fshehën shtatë mushkat me florinj. Dihet fundi i Demir Dostit. Ai së bashku me Metush Again dhe 72 agallarë kardhiqotë u nisën për në Janinë siç e dokumenton historjani francez Gabriel Remerand, “vanë e më su kthyen dot”. I vrau veziri i pashpirt.
Jetën e qytetit të Kardhiqit e lidhin dhe me Ali Pashën. Janë shkruar mijëra faqe. Çfarë nuk thuhet. Edhe Pukvili që ishte “konsull i Guvernës Frënge” pranë Ali Pashës nuk është i saktë në tekst kur shkruan: – “se Pashai e dogji Kardhiqin se i turpëruan Velide Hanëmen”. Agallarët e Kardhiqit nga shumë burime historike, por dhe nga dëshmitë që kanë mbrritur gojë më gojë nuk ja çnderuan Ali Pashait, as Hankon dhe as Shanishanë. Po pse e bëri masakrën Ali Pasha? Agallarët e qytetit të Kardhiqit ishin çifligar të mdhenj. Zotëronin prona me kordinata gjeografike që nga Janina e deri në Vlorë. Ishin të pamposhtur. Ata mbjetonin se ishin të shkolluar nëpër Evropë. Qenë tejet të ditur dhe zbatonin Kanunin e Idriz Sullit. Akademikët e Kardhiqit si do të mereshin me dy gra të pambrojtura. Edhe pse ka një “incident” për borxhet që nuk ua paguante Pashai, ku e ulnin veten agallarët dhe zonjat e Kardhiqit. Autori i këtyre rradhëve është mitograf skrupuoz dhe ka shfletuar shumë në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë duke gërmur në gjuhet burimore të pathëna të shumta. Dhe jam bindur se njolla e “përdhunimit” të zonjave të Ali Pashë Teplenës ishte një shkak, të cilin e krijoj veziri për të pushtuar Kardhiqin. Kardhiqi sipas autorëve të huaj dhe vendas ka qenë kërthiza e universit në jug. Është quajtur Arbëria e Lumtur dhe Eqerem Çabej ka shkruar se qyeti i Kardhiqit ishte Kryeqytet. Qyteti kishte bibliotekë. Agallarët e mbanin veten si hyjni dhe e dinin se Pashai ishte një i pabesë. Duke e mbajtur veten për shenjtorë s’mund të bënin një krim biblik siç i akuzoi Veziri i Janinës. Çdo aga në Kardhiq mendonte për dinastinë e tij. Dëshmitë e oborreve të kardhiqotëve e tregojnë mirfilli thënien filozofike të agallarëve të kohës së Aliut. “Për të hequr këmbëzën e shkrepjes duhet një pendë qe”, thoshin filozofët kardhiqot në mënyrë proverbiale. Ata mendoheshin kur mernin vendime. Këtë dobësi e shfrytëzoi katili i Janinës. Edhe sot stërnipërit e agallarëve tregojnë se në odat e Kardhiqt filtej për zanat e petritat. Agallarët gjakpastër ishin ulikas dhe se përfillinin vezirin. Kishin ushtrinë e tyre me 4 000 trima. Betejat në Gurin e Dervenit, tek Shkëmbi i Bekçiut, në Taborre e në rrafshnaltën e Cepos flasin se ata e çuan ushtrinë e Vezirit të Janinës në zgrip të ekzistencës. Kjo që them nuk është imagjinatë e vyshkur. Por është një parthënie për të treguar se Ali Pasha pati shumë kosto në betejat me ushtrinë e Kardhiqit. Ai devijoj rrufeshëm nga betejat. Si egërshan i madh nuk e kishte hallin as tek zonjat që ja “përdhunuan”. Aliu ndyshoi taktikë. Vuri në punë emocionet dhe linjën e intrigës. Në pashallëkun e tij nuk mund të mbjetonte pa shtënë në dorë qytetin e Kardhiqit, që ishte një hambar i madh me pasuri. Biografët shkruajnë se veziri vuri në punë fantazinë dhe dinakrinë. Dhe ja arriti qëllimit. La pas një qytet gërmadhë. Agallarët e qytetit të Kardhiqit ishin ekonomist dhe konkuronin në tregjet e Ballkanit. Kazaja e Kardhiqit nuk mund të bëhej pronë e askujt. Vetëm e kardhiqtëve. Në qytetin e Kardhiqit bëheshin festa olimjadash. Agallarët e derdhin florinin kur e donte puna. Por atyre asnjë gram nuk u shkonte dëm. Gjirokastritët i ironizonin: /Vajta në Kardhiq/ /Bleva një ok fiq/ /Më dolën eksiq/ /I mata me ziq/. Historia e “çnderimit” është vepër e mendjes tinzare të Vezirit. “Jagoja” i Shekspirit është krijuar në vitin 1604. Kurse Pashai i Janinës ka sunduar gati dyqind vjet më vonë. Vetë Ali Tepelena ishte shumë herë më i keq se një “jago”. Dinaku i madh i ftoi agallarët e Kardhiqit në një gosti tek Hani i Valaresë. Ishin 705 burra. Veziri e porositë komndantin e trupave, i cili qe mirditor, që kur ai të fillonte gostinë me mish e verë mirditori të sulmonte dhe t’i vriste kardhiqotët. Por komndanti e kundërshton. Jo, i thotë Pashait. Unë vras vetëm ball për ball. Jam mirditor dhe nuk pres njeri në besë. Nuk të vras pas shpine. Të 705 burrat i theri Isuf Arapi me kasapët e tjerë të vezirit. Kjo tragjedi përjetësohet në këngën: – /Mu tek Hani i Valaresë/ /I biri Hanko Papesë/ /Theri shtatëqind e pesë/ /I vrau me ta pabesë/. Është hera e parë që një qytet si Kardhiqi ta shfaros një përbindësh i së njejtës racë si Ali Pasha. Kositi 705 burra. E thotë dhe kënga: – /Çka mali që s’lëshon lule?/ /Për të zestë kardhiqot!/. Veziri zonjat e bukura të Kardhiqit i mori si kope dhe i çoi në Libohovë. Ua qethi kokën sikur të ishin dele. Dhe i lëshoi përpjetë malit të Buretos me kokat të qethura. Me leshin e flokëve të grave të Kardhiqit Hankua dhe e bija Shanishaja mbushën dyshekët për të fjetur. Kur historjani Lefter Dilo më ka çuar tek varri i Shanishasë në Libohovë mendja ime harboi tek krimi monstruoz i karvanit të grave të Kardhiqit, që iknin nëpër malin e Buretos të tmerruara. Sa herë që bie fjala për mizoritë e Ali Pashë Tepelenës në Kardhiq e kujtoi me neveri vargun e poetit: – “Një varr i vetëm s’e nxë dot lavdinë”. E thënur troç krijuesi duhet të matet e jo të hyjnëzoj poetikisht me ngazëllim bëmat e një mizori.
E kam pasur mik Resul Llogon, birin e fshatit Kardhiq. Ai ishte Sekretar i Parë i Rinisë së Rrethit kurse unë bëja pjesë në forumet e rinisë. Resul Llogo u bë shkak që unë fola në Kongresin e Gjashtë të Rinisë së Shqipërisë para Enver Hoxhës. Me Resulin edhe kur qe në majë të piramidës edhe kur e shkarkuan për arsye biografike vazhdimisht bënin debat për çështje të veçanta të qytetit të Kardhiqit. Unë këmbëngulja se duhet të shkruhet një libër për naivitetin e parisë së Kardhiqit, të cilët shkuan si “cjapi tek kasapi” në thertoren e Valaresë të ujdisur nga Ali Pashë Tepelena. Çfarë ndodhi? Kardhiqi ishte shtet. Përse mungoi informacioni se Veziri i Janinës po i fuste në kurth? Si e përgati Ali Pasha Kalin e Valaresë? Dhe pyetjet dhe qortimet e mia nuk kishin të sosur. Resuli më dëgjonte i menduar. Dhe më tregoi një ndodhi të një agai nga Kardhiqi. Agai që e kishte shtëpinë poshtë kalasë kishte marë disa zogoritë që punonin argatë sipas stinëve. Agai i Kardhiqit u kishte dhënë që të korrnin elbin në arën e madhe në Qersaj. Kishte bërë pazar dhe u kishte dhënë dhe kapar. Zagoritët mprehën draprinjtë dhe nisën që të korrin elbin. Por ata sa i hodhën drapërinjtë e parë u bën gjak nga duart. Gjëmbat si dhemb qeni i sakatuan. Dhe zagoritët e lanë korrjen e elbit. U ulën nën hijen e gorricës dhe ja morën këngës. Këngën e dëgjoi dhe agai që vështronte që nga ballkoni. Agai e mori vesh se çfarë ndodhi. Ai dërgon një nga yzmeqarët dhe zagoritët me draprinj në duar i fton në odën e miqve. Fillon kënga, rakia, vera dhe mishi i pjekur. Pasi mbaroi dreka agai i Kardhiqit i paguan megjithëse zagoritët nuk korrën asnjë dorzë me elb. Kositësit nga Zagoria u habitën. Ta rrëfeva këtë ngjarje më thoshte Resuli për të treguar botën shpirtërore të agallarëve të Kardhiqit. Paria e qytetit të Kardhiqit ishte e pastër si loti i vesës. Dhe miku im Resul Llogo kishte të drejtë. Edhe pse në Kardhiq qarkullon në trajtë gojëdhane historia e disa djemëve të Kardhiqit brendia e saj duhet të merret si e vërtetë. Gojëdhanat e nxjera nga zëri i harresës në Kardhiq pikojnë pikë – pikë. Pasi Ali Pashën e vranë disa djem të Kardhiqit ishin fshehur si barinj në Mexhide të Janinës. Një mëngjes ata panë Thanas Vajën që po shoqëronte për në sarajet e Palahorit të venë e Pashait, Vasiliqinë. Kardhiqotët mundet ta kishin vrarë Thanas Vajën dhe Vasiliqisë t’ja qethnin kokën. Kishin hak për të marë. Ishin në mes të pyllit dhe rrufenë e hakmarrjes me sëpatën e gijotinës e bënin pa u mar vesh nga askush. Por djemtë e atyre që i theri Ali Pasha në Valare nuk e kishin kultin hipokrit të vezirit. Ata në Mexhide zgjodhën mesin e artë. Nuk bën vrasje.

Qyteti i Kardhiqit mbeti pa banorë. Sipas legjendës të cilën kurrë nuk e kam besuar në Kardhiqin e mallkuar mbeti një këndez. Dhe ai këndëz i vetmuar fluturoi që nga Pazari i Qytetit të Kardhiqit e ndaloi në fshatin Zenelaj afër Urës së Kardhiqit. Këndezi fluturoi shtatë kilometra si të qe gjeraqinë. Në Zenelaj i bën një mekam. Është edhe sot. Historinë e këndezit e tregojnë në shumë varjante. Është një përrallë më shumë seri e krijuar nga “jagoja” i Tepelenës. Një kardhiqot që vdiq këto ditë në Australi dhe që i ka gërmadhat e shtëpisë tek Pazari, kur u tregonte të huajve për vendlindjen, Kardhiqin, tregimin më të bukur e kishte për këndezin. Dhe të huajt e pëlqenin shumë.
Rruga e re që po hedh shtat drejt Delvinës po zbulon shumë thesare. Pa e marë kthesën për në Grykën e Piksit, përtej lumit të Kardhiqit, në këmbët e malit të Pusit, në vendin e quajtur Rehovë natyra mban të fshehur një mrekulli. Në rrëzë të malit është një pus më i madh se Syri i Kaltër në Sarandë. Gurgullon si lum uji i kristaltë. Por është një lum që “tallet” me njeriun. Ha vetveten. Nuk del në sipërfaqe. Vetëm ta bën me “sy”. Lumi vallëzon brenda “arkivolit” të tij e përcjell melodi me violinë. Qysh në kohën e Enver Hoxhës kanë ardhur me dhjetra eksplorues vendas dhe të huaj. Pulumbarë e zhytës të marrë janë futur në Guvën e Kocaqit dhe nuk ja kanë gjetur dot fundin. Edhe ata që janë zhytur me litar kanë mbetur pa fjalë. E pata biseduar me mikun tim Moikom Zeqon. Ai vetë ishte një eksplorator i rrallë. Nuk u bën dy ditë bashkë që të vinim me Moikomin për ta parë. Moikomi gjithnji më thoshte që të shkruaja një libër për Kardhiqin nga këndshikimi vetjak. E kujtoj Moikomin që iku para kohe. Atij i pata thënë shumë herë se nuk është hulumtuar për qytetin e Kardhiqit. Librat që kam lexuar për qytetin e Kardhiqit, të cilin e kam pikë të dobët dhe shpenzoj energji janë si gjethet e rrapit. Pa peshë.
Qyteti i Kardhiqit i kishte vënë shpatullat malit sup më sup për tu mbrojtur. Agallarët delnin shpesh në Pillua në Qafën e Skërficës për të pushuar e kuvenduar. Kishte agallarë që u hipnin kuajve dhe kafet e i pinin në Pillua dhe vështronin nga deti. Që nga Qafa e Skërficës qe varur për në Kalasë një rapsod i njohur në labëri. Një drekë ai kishte qenë mysafir tek disa agallar të Kardhiqit. Kishin pjekur lepuj të egër në saç. Rapsodin e kishin nderuar. Dhe rapsodi ishte nisur për në Kalasë ku kishte pasur punë. Kur mbrrin tek rrapi i Kalasës burrat që luanin letra nuk e begenisën. Nuk i dhanë as kafe. Dhe rapsodi iku pa u folur. Udhës në të dal të fshatit ai takon gratë që kishin qenë për të vjel duhan. Ato e pyetën se si kaloi me burrat e tyre tek Rrapi i Kalasës. Dhe ai ua kthen me këngë: /Pika – pika moj Kalasë/ /Për burrat që ke/ /Thonë gratë kemi burra/ /Jalla mbeçin kallogre/. Thuhet se gratë e çuan këngën në fshat. Burrat e ndoqën rapsodin dhe e vranë. Po kënga mbeti. Por banorët e Kalasës ma shpjegojnë ndryshe.
Me një nga inxhnjerët që zbaton projektin e hapjes së tunelit të Qafës së Skërficës bëjmë debat. Fjalën e mori i pari inxhinjeri. Ti u bje këmbanve të botës së vjetër më thotë ai. Kur isha i ri kam punuar në ndërtimin e hidrocentralit të Fierzës. Atëherë ardhja e gazetarëve dhe e shkrimtarëve tërhiqte vëmendjen. Kërkohej heroi i digave. Një rekalamë në shtyp bënte përshtypje. Enver Hoxha nga shtypi e mori personazhin e Futat Çelës që punonte edhe pse ishte i verbër. Sot faqet e shtypit mbushen me kronikën e krimeve. Kur u bë festa e inagurimit të Fierzës u shpërndan dhuratat nëpër pako. Kur e hapa pakon u çudita. Më kishte rënë një kukull ariu. Tani kemi tjetër pamje. Punëtorët e komapanisë nuk dua t’ja dinë se për çfarë do të shkruash ti që je munduar që nga Tirana dhe në kohë pandemie. Kompania jonë është një stuhi që do të mbrrijë me minuta në zemrën e Delvinës. Nuk ka më heronj ore mik. Ka luftë për jetë a vdekje që të hapet rruga. Këto ditë na janë hapur ca telashe dhe lisit po i biem me kokë.
E dëgjoi inxhinjerin që është pothuajse në moshën time. Dhe i tregoi historinë e Luanit të Tuneleve, të cilin e pata takuar në zyrën e Sekretarit të Parë në Kukës. Luanit të Tuneleve i kishin bërë një padrejtësi dhe ai po i ankohej të parit të vendit. Kur Luani nuk mbeti i kënaqur nga përgjigja e të zotit të shtëpisë i dha këtë përgjigje: “Unë kam punuar 25 vjet nëpër tunelet e Shqipërisë. Dhe nuk pashë dritë. Si do të shohësh dritë ti që punon në këtë zyrë luksi”. Inxhinjeri më ndërpreu. Të mora vesh ma ktheu ai. Ai Luani i Tuneleve ka pasur të drejtë. Socializmi bëri shumë vepra të çmuara. Por me përjashtim të digave të tjerat i mori lumi. Pse? Socializmi i kishte shtigjet e mbyllura. Dhe megjithë punën kolosale nuk u gjet ajo drita për të cilën ka folur ai Luani i Tuneleve. Ndërsa me hapjen e tunelit të Skërficës drita e Lumit të Kardhiqit do të vërshoj në hapsirat e Delvinës, Sarandës, Igumenicës e të Korfuzit. I puq mendimet me të inxhinjerit dhe i them se rruga do ta forcoj ekonominë. Ja ilustroj me një tregim të jetuar. Vëllai, Myslim Pasha, që mbrojti 365 kilometra det kishte ikur një ditë më parë për të bërë matjet nga Ksamili në ishullin e Barketës. Ishte i kërcënuar dhe ruhej nga nga ndonjë krim. Unë që e shoqëroja u nisa disa orë më vonë se më kishin ardhur disa miq nga Rahoveci. U nisa dhe doja të mbrrija sa më shpejt në Ksamil. Isha në ankth dhe Ksamili më dukej në fund të botës. I thoja vetes se si nuk u hap kjo udha e re Kardhiq – Delvinë. Kishte shumë mote që përfiltej. Jo sot po nesër.
Bota e Inxhinjerit sikur më dehu. Je si ata të “Zërit të Popullit” këmbëngulte ai më vështrim nga Korfuzi. A e ke dëgjuar atë këngën e myzeqarëve: “Tri nuset e Stasit lajnë një shami”. Qafa e Skërficës ku do të hapet tuneli nuk është “shamia” e nuseve të Stasit. Jemi në betejë. Nuk është fushë me lule. Sot asnjë intervistë nuk bën dot. Janë ndërprerë punimet. Nuk dihet se nga vjen goditja. Por merru me misteret. Para disa ditësh një punëtor duke gërmuar gjen në një shpellë një kuti bronci të mbyllur. Punëtori u zhduk. Thonë se kutia që gjeti ishte me flori nga të agallarëve të Kardhiqit. Me të dëgjuar e kam. – UnëNuk flas. Dua ta dëgjoj inxhnjerin që tregon gjëra të bukura. Jemi në qendër të fushës së dramës vazhdon ai. Po sikur gjatë punimeve të tunelit të shpërthejë ndonjë degë lumi e fshehur në mal. Legjendat kardhiqote thonë se mes për mes Qafës së Skërficës kalon një rrëke përroi. Dëgjohen dhe zhurma. Por matjet topografike e nxjerin përroin mbi tunel. Këtu “tri nuset e Stasit nuk lajnë një shami”. Ne duhet të dalim në det me mend, me gjak, me para, me thonj e me bomba deri tek ai ishulli “Barketa” për të cilin sakrifikoi yt vëlla. Sikur është hapur përsëri kjo çështja e detit me Greqinë. Greqia kërkon të zgjeroj kufijtë detar. Po bëhet zhurmë si këtu në Qafën e Skërficës se mundet të ketë dhe ndonjë “pazar”. Kur inxhinjeri filloj të bëj disa llogaritje me siguri për tunelin unë fillova ta ndaj egjrin nga gruri. Ç’motive do më mbeten për t’i stivosur në shkrim? Inxhinjeri tha shumë gjëra intersante e që mund t’i gjesh vetëm në Qafën e Skërficës. Por një detej është i bukur si bora e Malit të Pusit. Dhe cila është kjo borë e bukur? Kur agallarët e Kardhiqit delnin për të gjuajtur në Qafën e Shtufit zagarët u nxirnin në prita lepuj të egër të hutuar. Lepujt hutaq u ndalonin përpara çifteve. Lepurit hutaq i delnin në të dy veshët dy gjendrra në formë lajthie dhe atij i bllokohej dëgjmi. Shurdhohej. Le të lehnin zagarët dhe të dëgjoheshin krisma lepuri dremiste si i përgjumuar. Ai nuk dëgjonte. Pikërisht këta lepuj të sëmurur nga veshët agallarët nuk i vrisnin. Bëje sherr me ta po të vrisje “shurdhin” e Qafës së Shtufit. Lepurin shurdh e kapje dhe me dorë. Agallarët mbanin me vete dhe veteriner, të cilët kur i kapnin lepujt ua hiqnin gjendrrat në vesh dhe “shurdhi” me t’ju kthyer dëgjimi fluturonte nga njëri shkëmb në tjetrin.
Gjatë gjithë udhës më mudon mendimi se çfarë do t’i përcjell lexuesit me këtë shkrim? Në rrëzë të Qafës së Skërficës më ngacmojnë kararitjet e shpendëve. Pyes një vinçier e ai më thotë se Qafa e Skërficës ka pasur shumë “qytete”. Për ujqërit, arinjtë, gjerqinat dhe skifterët. U zhdukën këto qytete. Nuk kam ndonjë interes për ato që më thotë vinçieri. Tjetër gjë më tërheq vëmendjen. Në të dy anët e rrugës janë zbuluar tjegulla, vegla bronxi, pjata të thyera, copra gëlqereje të përzjera me lesh dhie (Në të gjitha muret e Kardhiqit gjen gëlqere, baltë, e shtuf të pleksura me lesh dhie).
Si dhe herë të tjera, edhe këtë rradhë, nuk kam ardhur si “studjues” i enciklopedisë së Kardhiqit. Nuk është fusha ime. Gjithsesi më mundon mendimi se ku zhvillohej jeta artistike e qytetit, që ishte në fund të fundit qendra e krahinës së Labërisë? Ku janë gjurmët e teatrit? Në kështjellë? Gjithashtu ku gjenden këndet ku zhvilloheshin garat me kuaj, vrapimet, mundjet, qitjet, hedhjet dhe ngritjet e gurëve të rëndë, ceremonitë në xhami dhe në kishë, dasmat, mortet, pazaret e gjesë së gjallë dhe udhët e karvaneve. Mbase kështjella ka qenë amfiteatri i madh me shumë anekse. Askush nuk ka bërë gërmime. Pazari i Qytetit të Kardhiqit duhet të kthehet në muzeun e madh. Aty ku meret kthesa për në Mbrete është edhe tani një çezmë fije – fije. Për të pritur rrekenë e ujit që vinte nga lart ka qenë një rrasë guri me mbishkrime. Ndofta që në kulmin e lulëzimit të Kardhiqit. Në fund të rrasës së sheshtë mjeshtri i çezmës kishte bërë dhe një “liqen” të vogël, që udhëtarët të vinin buzët dhe të pinin ujë. Në kohën e kooperativës gurin e rëndë me një të shtyrë traktori e hodhën nën udhë. E kam parë. Tani është në mes të kories me qelbësa. Po sa objekte ka në gërmadhat e Kardhiqit e që janë vepra arti? Me qindra.
Rruga e re Kardhiq – Delvinë është e lidhur me mijëra fije me qytetin e lashtë të Kardhiqit. Është e djel dhe miqtë kanë shkuar një kec në hell në anë të lumit ku gurgullon një koritë me ujë të ftohtë. Mishin e pjek në hell Siri Kroi të cilin e kam mik. Siriu që po shkon drejt të 90 – tave ka shtatëdhjetë vjet që pjek mishra në hell tek “Meka” e rrepeve të Lumit të Kardhiqit. Ka një valixhe me dru arre ku ka stivosur dekoratat, çertifikatat dhe shpërblimet që i kanë dhënë për këtë zanat. Ka dekorata që nga Haxhi Lleshi, Adil Çarçani, bile dhe nga Beqir Balluku që u pushkatua. Çufe Mullai i Sigurimit të Shtetit nga Fushë Bardha mbante për fat në misionet e tij jashtë Shqipërisë një zall nga Lumi i Kardhiqit. Siriu më jep një cipë nga mishi i pjekur dhe këndon një varg të këngës së Lenos që thotë: -“Çobanët i qortoje/ /Mish me cipë u kërkoje/.
Lëviz anës së lumit në zallin e të cilit kanë ndodhur çudira. Kam jetuar një skenë të një dreke, ku merte pjesë Shefqet Peçi, Dritero Agolli e të tjerë. Hanin e pinin nën hijen e rrapit. Shefqet Peçi u deh dhe shkoi pas trungut të rrapit. I futi të dy gishtat në gojë dhe e nxori të gjithë vrerin. U ul përsëri në qilimin e shtruar mbi zall dhe i tha trapezës se ashtu siç ka nevojë rrapi të ndërroi gjethet ashtu dhe njeriu e ka të domosdoshme vjelljen kur gjethet të jenë plakur. Ai e nisi sërish rakinë me dolli. Ju drejtua Dritero Agollit dhe i tha:-“Ti je devolli, por nuk di të pish raki me dolli si picariotët”. Dritero Agolli u skuq. Ai mori një gotë uji e mbushi plot me raki dhe e ktheu me fund. Pastaj të gjithë qeliqin e gotës e përtypi me dhemb si të qe cipë brinje nga keci dhe e kapërxeu. Shefqet Peçi që nuk e priste thirri: – “O derra, buçe!”! E përdorte shpesh këtë zharagon të picarjotëve. Dritero Agoli bëri një lavazh në spitalin e Gjirokastrës dhe mbasdite ndoqi pjesë nga Festivali i Dytë folklorik.
Në vitet e socializmit drekat tek Rrepet e Kardhiqit kanë lënë pas shumë bëma. Muhamet Prodani kishte pjekur dhe kishte ngrënë me të shoqen një qingj të pjekur. Kurse një të dytë e kishte marë me vete. Ishte kthyer të nesërmen dhe kishte kërkuar një mish tjetër. Atë qingjin që e kishte marë me vete e kishte futur në frigorifer. Natën përgjonin si ai dhe gruaja se mos ja hanin njëri – tjetrit. Gjeneralin e kishte zënë gjumi dhe e shoqja që kishte “vigjiluar” ja kishte ngënë mishin. Muhameti i revoltuar u kishte treguar shokëve të shtabit dhe këtë hisori që mbahet mend nga brezat. Ja kishte tregur Mehmet Shehu. Në Çorrush kishte shkuar Enver Hoxha gjatë viteve të luftës tek Shehu. Mehmet Shehu i kishte thënë të atit, Shehut, se e kishte shumë shok mysafirin nga Gjirokastra. Por Shehu nuk e futi Enver Hoxhën në odën e miqve. E la të flinte në koçekun e misrit. Nuk i dëgjoi lutjet e të birit. Kur Enver Hoxha iku të nesërmen Shehu i Çorrushit i tha, Mehmetit: – “Ky djali nga Gjirokastra do ta hajë kokën!”.
Në krah të Siri Kroit u ula aty ku gurgullonte një degë e lumit që vjen nga Zhulati. Zejet e lumit më ngjajnë si gërmat e vargjeve të poetit Arben Duka. Vëllai i poetit, krimologu Sofokli Duka, ishte një romatik i papërsëritshëm. I gjurmonte këto rrëza. Në një rast e mbaj mend mirë kur pas një ngjarje në Sarandë u kthyem dhe morëm “frymë” në zallin e Lumit të Kardhiqit. Pimë uzo me konserva peshku. Sofua i ulur mbi zejet e bardhë i hodhi sytë nga mali i Pusit, të cilin e kishim mbi kokë dhe ja mori këngës: /Mali i Pusit kullon serë/ /Qan për Ymer Xhafer/ /Që s’kërcen me dhen në lerë/. Prej zallit të lumit duket një shtjegëz e malit të Çajupit, ku tre nga vëllezërit Duka e rritën veten si poet. Përvec Sofokliut dhe Arbenit po kaq i talentuar është dhe vëllai tjetër, Apostoli. Gazetar, redator, skenarist dhe poet. – – Siri Kroi e ka pjekur mishin nën Shelgun e Bajram Ligut. Vrasësi i Bimbashit turk Bajram Ligu ishte nga fshati Prongji. Pas vrasjes së Bimbashit Bajram Ligun nuk e shpërblyen. Dhe ai anës së Lumit të Kardhiqit thurte shporta e kanistra me shufra shelgu. Dhe në çdo kanistër e shportë qëndiste portretin e Çerçiz Topullit. Në Gjirokastër ja blinin me të parë. – Mbi kokë tufat me korba si të qenë mëshqerra të zeza kakarisin. I vështrova, por nuk më ngacmoj vargu: – /O ju korba mos më ngani…./Jo. Korbat vinin rrotull për të marë ndonjë kockë. Pi pak verë e përsëri nuk jam i qetë. Dëmet dhe paniku i koronës më ngjallin ankth. Në Tiranë flitet për sakrificën e mjekëve. Ka prej tyre që e humbën jetën. Tek këta rrepe në rini mjeku Arqile Boti nga Bodrishta më tregonte për mjekun dhe shkrimtarin Anton Çehovi. Çehovi guxoi dhe në ishujt Sahalinë mjekoj të burgosurit dhe të internuarit me kolerë. Bëri vizita dhe në izbat e muzhikve. Siç e ka shkruar vet Çehovi ai qëndroj në ishujt Sahalinë “3 muaj dhe tri ditë”. Udhëtoj me kuaj, me varka e në këmbë. – – ———-Megjithëse në luginën e Lumit të Kardhiqit nuk ka të infektuar unë nuk kam qenë kaq i shqetësuar as kur isha në luftën e Koshares si ushtar i UÇK – së them i menduar. Pranë një kasolleje alpine në Koshare, ku mblidheshim për të pushuar natën ishte dhe një dhomë me arkivole. Ishin gati për ata që do të vriteshin në betejat me serbët. Shumë herë e pata pyetur veten se cili nga ata do të ishte arkivli im? Në ato çaste kisha një farë lumturie. Do të futesha në arkivol për Kosovën e lirë. Po që të vdesësh nga korona më duket një gjë e pështirë. Tema e koronës sikur më nguli një thikë. I hodha sytë nga zalli i lumit që në këtë pikë gjeografike ka gjerësinë e Danubit. Para shumë motesh skulptori Arben Bajon e kam takuar në mes të zallit të lumit. Arbeni me sëpatë po priste një trung arre të thatë që e kishin sjell nga lart përmbytjet. Bashkë me Meleq Halulin mezi e prenë trugun e trashë të arrës. Arben Bajos i duhej për skulpturat që i gdhendëte me dru arre. Nuk dua ta besoj që skulptorin e talentuar nga Gjirokastra e përlau korona në kulmin e lulëzimit të tij. Si unë dhe si Arbeni ishim miq të Muntaz Dhramit. Jam i sigurtë që Muntazi kur ta lexoj shkrimin me siguri që do t’i vij mirë, që unë e kujtoj me dhimbje këtu në zallishten e lumit të Kardhiqit Arben Bajon, ku ai pati marë një trung arre. Arben Bajo mezi e priste përfundimin e rrugës Kardhiq – Delvinë. I trishtuar si një zall lumi kujtoj takimet me skulptorin Arben Bajo. Skulptori qe i ashpër me kohën tonë të zhytur në moçalin e korrupsionit. Maskarenjtë e Ali Asllanit bëjnë para e zënë ndonjë karrike në parlament thoshte ai. Nuk e hiqte nga goja thënien e Fushesë: – “Me para blihet pushteti dhe me pushtet fitohet paraja”. Në studjon e Muntaz Dhramit Arbeni i paharruar i recitonte gjithnji disa vargje, që thoshte se janë të shkrimtarit Namik Dokle: – /O Kurtish kapter i motrës/ /Pse po më shkon si urithi i tokës?/ /Kjo partia, he lum dada!/ /Edhe mutit i dha grada/. Prej brengës time i bëj me rrudha zejet e lumit për ikjen nga kjo jetë të Arben Bajos. Në këtë fillim vjeshte edhe zejet ngjajnë si flokë bore. Sa mirë do të ishte sikur tek ky shteg, në anë të rrugës së re Kardhiq – Delvinë të shkruhej: – “Rruga Arben Bajo”. Skulptori nuk ka bërë ndonjë trimëri. Ai në mes të zallit të lumit preu me sëpatë një trung arre. Nuk e la të kalbej. I dha “frymë”. E ktheu në vepër arti.
E shfletova bllokun kur qeshë i lirë. Lexo e gris nga ato që kisha zgrapsur shkrep më shkrep. Vizë këtu e vizë atje. Kot më kot. Duke sistemuar shënimet mu kujtua thënia e Tafil Tërpanit, i cili megjithëse tregonte gjëra të bukura thoshte në fund: /Kështu ka thënë Xha Tafili/ /Ca mi merrni e ca mi lini!/. Po në lehën e ugarit qe një dramë që nuk ma bënte dora ta fshija. Kur Kardhiqi ishte qytet krushqit e një agai kishin shkuar të mernin nusen në fshatin Kopçez. E nxorën nusen nga shtëpia dhe kur ajo i hipi kalit të kuq një rrufe e ardhur nga malet e rrëzoi nusen, e cila mbeti e vdekur. Plasi sherri mes krushqve dhe njerëzve të familjes së nuses. Të zotët e shtëpisë donin që ta mbanin vajzën. Tek ata të varrosej. Por krushqit nga Kardhiqi qëlluan të sertë. Mbushën armët. Nusen e hipën në një vig lisi dhe e shpunë në Kardhiq të vdekur. Dhe në Kardhiq u varros./gazetadita.al