Mitrush Kuteli: Bukën tonë të përngaditshme…

kutelit
Mitrush Kuteli

…Jepnae neve sot, se e bëjmë kabull të përzier me dhé, me elb e me thekër;
…në s’ke bukë, nozullimore të pjekur a të papjekur, të situr a të pasitur, me hime a pa hime, jepna miell misri për kaçamak, po jo kokrra sepse Tirana s’ka mullinj as me erë, as me ujë, as me naftë për të bluar misër. Ata të pakë mullinj që kanë mbetur, bluajnë vetëm fjalë më havadan, kur të trasha e kur të holla;
…në qoftë se për gjynahet tona të shumta, nuk u bëmë me kohë tregtarë e gjysmëhajdutë, po mbetëm rrobaxhinj të urtë edhe duvaxhinj të Shtetit Arnaut, bekoj depot e Sastebhanës që misri–kokrra këtij muaji të mos jetë fort i prishur, se plënci ynë nuk është plënc derr as fabrikë alkooli…
Kësisoj fillonte një letër-lutje, me pullat e rregullshme, si për Kryqin e Kuq, po ashtu edhe të tjerat, e drejtuar, prej një nëpunësi shqiptar, allahut të vetëm edhe zotit të madh në tri fytyra, në banesën e tij verore të qiellit të shtatëdheteshtatë.
Nuk dimë për cilin shkak letra nuk i ra në dorë zotit allah.
Mund të ketë bërë vaki që pëllumbi i postës shqiptare të jetë takuar rrugës me ndonjë skadrilë aeroplanësh, mundet që letra t’i ketë rënë në dorë më parë Xhebrailit, i cili të mos jetë i kënaqur me numrin e të vdekurve që i jep Shqipëria ditë për ditë e natë për natë, me pushkë e mitraloz, dhe kërkon ta dyfishoja me uri e mizori. Mundet që allahu-zot të mos kish pasur nge për një lutje të një nëpunësi arnaut të rënë nga vakti (nga ari në kartë me lule), fakt është se ai pat dekretuar që nëpunësi ta mbushë plëncin me misër-kokrra dhe ky zotni-misër-kokrra të jetë i prishur, si e do rregulla e përgjithshme sastebore.
Është e vërtetë se Sastebi i porositi nëpunësit atërisht edhe teknikisht që misri të lihet në diell për t’u tharë (se po ta linte Sastebi ose axhenti, humbiste nga kilja …alkoolin) e pastaj hidhet në erë, po nëpunësi-matuf, meqë ka edhe detyrë kundrejt shtetit të dalë në zyrë e të shkruajë në regjistra, nuk e mbushi plotësisht porosinë atërore, kësilloj që misri zuri të nxjerr avull alkooli. Ndodhi , për fat të keq, që Tirana të mos jetë as Shkodër, as Elbasan, ku ka fabrika alkooli, se ndryshe do të kish mundur ta shkëmbente misrin me raki, kësisoj që u desh të shenjtërohet me një ramazan të ri, të pohuar dhe detyruar zyrtarisht prej epërsive shtetërore.
Si i pa këto të gjitha, nëpunësi i kurdisi një lutje të dytë zotit-allah ku i pohoi marrjen e misrit, dymbëdhjetë kile për kokë e plënc, po iu lut që t’i falë edhe një plënc tjetër, një plënc derri, të aftë për të ngrënë, misër-korra të prishur …Dhe shtonte si përfundim: « I lumtur pat qenë, o Zot, Mbreti ynë Gjergj Kastrioti Skënderbe, që u pat lindur e pat jetuar kur nuk kish ardhur fara e misrit nga Amerika dhe hante bukë gruri, a bukë elbi të përzjerë më thekër duke mos qenë i detyruar të ketë edhe një plënx derri, si nëpunësi shqiptar i vitit 1944 pas Krishtit.»

Përgatiti: ObserverKult